BERLIN, 5 nëntor /ATSH/ – Gjermania po propozon të akordojë 100 milionë euro shtesë për të ndihmuar në rindërtimin e infrastrukturës ujore, energjetike dhe të transportit në Ukrainë, si dhe për të rritur qëndrueshmërinë e saj përballë sulmeve gjithnjë e më intensive ruse, sipas Reuters.
Sipas një letre të Ministrisë së Financave drejtuar Komisionit Parlamentar të Buxhetit, fondet do të përdoren për të riparuar dëmet e shkaktuara nga fushata e bombardimeve ajrore ruse, e cila është intensifikuar që prej verës.
Shuma do t’i shtohet financimit për Ukrainën të parashikuar në buxhetin gjerman të vitit 2026.
Mbështetja e mëparshme
Në shtator, qeveria gjermane kishte akorduar edhe 250 milionë euro për mbështetjen e Ukrainës përmes Fondit të Mbështetjes së Energjisë për Ukrainën.
Në letër thuhet se nevoja për financim shtesë nuk ishte parashikuar në kohën kur u miratua buxheti federal për vitin 2026, pasi intensiteti i konfliktit nuk mund të parashikohej.
Sulmet ruse ndaj infrastrukturës
Sipas dokumentit, që prej korrikut 2026, Rusia ka shtuar shpeshtësinë dhe intensitetin e sulmeve ndaj infrastrukturës kritike dhe civile, përfshirë qytetet e mëdha, rrugët e transportit, qendrat logjistike dhe kompanitë.
Rreth 80 për qind e kapacitetit të prodhimit të energjisë elektrike në Ukrainë është shkatërruar që nga nisja e pushtimit rus në vitin 2022, ndërsa sulmet e tetorit shkaktuan ndërprerje të energjisë në më shumë se një të tretën e rajoneve të vendit.
Fondet e reja do të përdoren për pajisje të prodhimit dhe magazinimit të decentralizuar të energjisë, riparimin e infrastrukturës së ujit dhe energjisë elektrike, pajisje kundër zjarrit, si dhe rikonstruksionin e ndërtesave shkollore.
Qeveria e kancelarit Friedrich Merz mbetet kontribuesi më i madh evropian në mbështetje të Ukrainës, duke i ofruar asaj miliarda euro ndihmë ushtarake. /Ad.Ab./ a.jor.
Burimi: ata.gov.al










