TIRANË, 5 nëntor /ATSH/ Instituti i Statistikave (INSTAT) kërkon 11 pozicione shtesë pune dhe një fond prej 20 milionë lekësh në buxhetin e vitit 2027, me qëllim përmbushjen e detyrimeve për përmirësimin e statistikave makroekonomike dhe rritjen e cilësisë së prodhimit statistikor. Kërkesën e bëri të ditur drejtoresha e përgjithshme e INSTAT-it, Lantona Sado, gjatë raportimit në Komisionin për Nismat Qytetare, Bashkëpunimin dhe Mbikëqyrjen Institucionale.
Progresi i vitit 2026 dhe sfidat e vitit 2027
Sado theksoi se institucioni ka shënuar progres gjatë vitit 2026 në veprimtarinë statistikore, në përmbushjen e detyrimeve në kuadër të integrimit evropian dhe në përgatitjet për Censusin. Sipas saj, këto procese kërkojnë vijimësi dhe investime të mëtejshme gjatë vitit 2027.
“Progresi duhet të avancojë edhe më tej gjatë vitit 2027 dhe kërkon burime financiare të nevojshme, investime në infrastrukturën njerëzore, teknike dhe atë të prodhimit të statistikave”, u shpreh Sado.
Statistikat makroekonomike dhe llogaritë kombëtare
Një ndër prioritetet kryesore të institucionit mbetet përmirësimi i statistikave makroekonomike sipas standardeve evropiane të llogarive kombëtare, në përmbushje të rekomandimit nr. 6 të Kuvendit. Sipas Sados, INSTAT ka vijuar punën për përmirësimin e llogaritjes së llogarive kombëtare, rritjen e transmetimit të të dhënave dhe forcimin e bashkëpunimit me institucionet.
Megjithatë, ajo nënvizoi se përmbushja e plotë e pikave përfundimtare kërkon të dhëna më të plota, përmirësim të mëtejshëm të cilësisë dhe dokumentim më të mirë metodologjik.
Në këtë kuadër, INSTAT parashikon rritje të mëtejshme të vëllimit të të dhënave statistikore, gjë që sjell edhe ngarkesë më të madhe për stafin në përpunimin, verifikimin dhe shpjegimin e tyre. Për këtë arsye, kërkesa për 11 punonjës shtesë synon të mbështesë prodhimin dhe cilësinë e statistikave makroekonomike, si dhe koordinimin e detyrimeve që lidhen me kapitullin 18 të integrimit evropian.
Fondi shtesë dhe investimi në staf
Sado bëri me dije se kërkesa shtesë prej 20 milionë lekësh është përfshirë në planifikimin buxhetor për vitin 2027 dhe adreson gjithashtu rekomandimin nr. 8 të rezolutës së Kuvendit, që lidhet me investimin në një staf me përvojë dhe profesionalizëm për prodhimin e statistikave të pavarura dhe të besueshme.
Vendet vakante dhe qarkullimi i stafit
Drejtoresha e INSTAT-it u ndal edhe te situata e burimeve njerëzore, duke pranuar se institucioni aktualisht ka 24 vende vakante. Sipas saj, largimet lidhen kryesisht me daljen në pension, kalimin në administrata apo institucione të tjera, si dhe largimin nga statusi i nëpunësit civil për arsye personale.
Pavarësisht kësaj, Sado theksoi se qarkullimi i stafit mbetet në nivele të ngjashme me katër vitet e fundit dhe se institucioni po vijon investimet në zhvillimin profesional të punonjësve përmes trajnimeve dhe mundësive për ngritje në detyrë.
Aktualisht, INSTAT ka në proces pesë thirrje për plotësimin e vendeve vakante, ndërsa synon të hapë edhe procedura të tjera deri në fund të vitit.
“Jemi duke punuar me intensitet dhe me transparencë të plotë”, deklaroi Sado, duke nënvizuar si një nga arritjet e institucionit thithjen e profesionistëve me formim të përshtatshëm në fushat e ekonomisë dhe statistikave, një proces që, sipas saj, nuk është i lehtë.
/a.f/
Burimi: ata.gov.al










