Publikimi i gazetarit [Bledi Mane] në faqen e parë të “Rilindja Demokratike” më 28 nëntor 1998, një ditë para referendumit për Kushtetutën që kemi sot, është mjaft kuptimplotë.
Në atë numër, në një ditë vendimtare për vendin, opozita e PD-së e kishte braktisur procesin. Aleati më i rëndësishëm i saj, Partia Republikane, nuk u bë pjesë e tij. Në fakt, Partia Republikane, e drejtuar atëherë nga Sabri Godo, nuk ishte aleate e PD-së. Që në vitin 1996, Godo ishte arkitekti i një formacioni të djathtë konservator, “E Djathta e Bashkuar Shqiptare”, e cila në Shkodër kishte fundosur PD-në dhe kishte siguruar një grup parlamentar të pavarur në Kuvend.
Bojkotimi i procesit kushtetues
Sali Berisha e bojkotoi procesin e hartimit, miratimin në Kuvend dhe referendumin popullor për ratifikimin e ligjit themelor të shtetit shqiptar.
Pak ditë përpara zhvillimit të referendumit, organi kryesor mediatik i PD-së botoi një titull të madh: “Do të përgjaket referendumi!”.
Ky titull solli në Tiranë, më 22 nëntor 1998, një ankth dhe shqetësim të përgjithshëm. Megjithatë, njerëzit shkuan qetësisht dhe votuan për të përmbushur detyrën e tyre qytetare, dhe vendimi i tyre, siç ka ndodhur gjithmonë, qe i drejtuar në adresën e duhur.
Retorika e “pushtetit të përgjakur”
Kjo logjikë apo taktikë e një pushteti të përgjakur shfaqet si fantazmë sa herë që në skenë del kryemjeshtri i saj, Sali Berisha, por edhe njerëz të rinj që na paraqiten si kundërshtarë, rivalë, madje modele të ndryshme nga “Doktor Përgjakja”.
Fantazma e kësaj politike ka shoqëruar gjithë stinën e protestave që nga qershori: “Ju ka ardhur fundi”, “Do ta djegim fare”, “Do të bëjmë terror”.
Analiza e gjithë kësaj logjike, që në radhë të parë ka një narrativë verbale dhe mediatike, është bërë shpesh, duke sjellë, ose duke tentuar të sjellë, arsyen aty ku nuk vjen, dhe prioritetin aty ku nuk merret.
Pasojat e përgjakjes politike
Megjithatë, problemi mbetet te koncepti politik i “përgjakjes së pushtetit” ose i “pushtetit të përgjakur”, në kuptimin e pasojave që ai lë në shoqëri, në shtet dhe te popullsia. Shqipëria e ka provuar këtë në lëkurën e saj disa herë që nga themelimi i shtetit. Pasojat kanë qenë katastrofike, duke lënë gjithmonë trauma, dramë dhe mbi të gjitha ndarje dhe përçarje tronditëse, shkatërruese për një vend të vogël si ynë.
Kombe më të mëdha se ne, me shumë më tepër degë dhe rryma të ndryshme, e kanë gjetur kohezionin për të mbajtur atë që është thelbësore për një shtet-komb, shtyllën kurrizore që mban trupin.
Përgjakja si fenomen është tronditëse, dramatike dhe prodhon vetëm tragjedi. Po përse atëherë përsëritet, si një mallkim që i vjen një vendi sa herë që nis një cikël zhvillimi politik e sidomos ekonomik?
A është ajo një alternativë, apo një version shantazhi që e zëvendëson atë? Padyshim që është e dyta, e cila edhe sot vjen si dhunë verbale për të shtyrë ose detyruar njerëzit të zgjedhin këta “të tmerrshmit”, sepse përndryshe do digjemi. Ky është një film krejt i vjetër: në Italinë e Musolinit në 1922 dhe në Gjermaninë e Hitlerit në 1933. Të gjithë ata që kanë dalë në histori si shembuj të kësaj logjike nuk janë gjë tjetër veçse viktima të shefave të tyre, të cilët paguajnë me muaj që të sillen si të çmendur para njerëzve, për t’i frikësuar shumicën. Po si mund ta kenë kjo një vend anëtar të NATO-s?!
Burimi: shqiptarja.com










