Kalo te përmbajtja

Lajme të shpejta, të verifikuara dhe të paanshme

Lajm i fundit
Aktualitet

Genc Burimi: Rama si diktator, Spiropali si gladiator në PS

Genc Burimi: Rama si diktator, Spiropali si gladiator në PS
Foto: balkanweb.com

Mbledhja e Asamblesë Kombëtare të Partisë Socialiste në Gjirin e Lalëzit prodhoi një nga episodet më absurde në historinë e drejtimit të kësaj partie nga Edi Rama. Gjithçka nisi me një gafë procedurale dhe politike të vetë kryeministrit. Në fillim të mbledhjes, Rama paralajmëroi me zë të lartë përjashtimin nga partia të Elisa Spiropalit dhe Plarent Ndrecës, pa llogaritur se në një parti me statute të depozituara rregullisht në gjykatë, një veprim i tillë është i pamundur nëse nuk plotësohen disa kushte statutore. Ato janë: anëtari duhet të ketë krijuar një fraksion; anëtari duhet të ketë votuar në kundërshtim me direktivat e partisë; dhe anëtari mund të përjashtohet vetëm me votë nga partia. Spiropali nuk hynte në asnjë nga këto raste, përveç atij të “lirisë së shprehjes së mendimit ndryshe”, që statuti e toleron brenda kuadrit të “demokracisë së brendshme”.

Kur erdhi momenti i votimit dhe në sallë u ngritën zëra kundër nga figura të rënda të partisë, pikërisht sepse Spiropali nuk kishte shkelur asnjë rregull të statutit, Rama u tërhoq dhe nuk organizoi votim. Kjo shpjegon edhe deklaratën e parë të Sekretarit të Përgjithshëm, Blendi Klosi, i cili pas mbledhjes pranoi realitetin: përjashtimi nuk u hodh në votim, dhe ata të dy, Spiropali dhe Ndreca, mbeten anëtarë të PS-së, duke u larguar vetëm nga forumet drejtuese. Rama i dha menjëherë Klosit urdhër të prerë që ta ndryshonte deklaratën publike. Statute apo jo, me votim apo pa votim, Klosi duhej të gjente formulën. Për Ramën, nga ajo që kishte thënë për Spiropalin nuk kishte kthim mbrapa.

I ngujuar midis dëshirës së kryetarit për të mos e tërhequr fjalën dhe nevojës për të gjetur një rrugëdalje pa shkelur formalisht rregullat e brendshme, Klosi publikoi në Facebook një arsyetim të çuditshëm. Si të përmbushej edhe statuti, edhe dëshira e shefit? Për hir të statutit, Elisa Spiropali mbetet zyrtarisht anëtare e partisë; për hir të shefit, ajo konsiderohet “e përjashtuar”, sepse, sipas arsyetimit të Klosit, “në PS anëtarësohesh online dhe nuk ka kuptim përjashtimi edhe nga partia”.

Me fjalë të tjera, Klosi u përpoq t’i thotë shefit të tij, partisë, mediave dhe opinionit publik se, duke e kthyer në një “anëtare online”, Spiropali është po aq e papërfillshme sa mijëra anonimë të tjerë që regjistrohen me një klikim. Pa dyshim që ata mijëra anëtarë “online” do ta kenë të vështirë ta pranojnë këtë përçmim. Spiropali gjendet kështu si Maksimusi në filmin “Gladiatori”: një ndër mijëra të tjerë, por me një avantazh, sepse mbi të gjithë ata bashkon jo vetëm partia, por edhe urrejtja ndaj uzurpatorit, që aq sa e shfrytëzon, aq edhe e poshtëron.

Rama e citon vetë shpesh atë shprehje të Niçes: “ajo që s’të vret, të bën më të fortë”. Kjo thënie e urtë i shkon rrallë tani si një dorëzim për Spiropalin dhe të tjerët që ndihen të përbuzur, por edhe si një ftesë për hakmarrje dhe për pushtet brenda PS-së. A do ta dijë ajo ta përfitojë maksimalisht nga kjo situatë absurde? Ka dy rrugë përpara saj: ose vepron si Koçeku dhe mbyll derën me dorëheqje, duke mos pranuar statusin e poshtërues të një anëtareje “online” në parti; ose, si Gladiatori, e pranon me krenari statusin e “ushtarit të thjeshtë” për t’u kthyer në arenë dhe për t’i sfiduar shefin sa herë të ketë mundësi.

Një gjë është e sigurt: Klosi, në përpjekje për ta zhvlerësuar Spiropalin, ka fyer pa dashje gjithë bazën e thjeshtë të partisë, duke i dhënë kështu rebeles një ushtri të gatshme të pakënaqurish.

Burimi: www.balkanweb.com

Të fundit Të gjitha