Ish-gjyqtari i Premierligës angleze, Graham Scott, ka zbuluar dy stadiumet ku ka pasur më të vështirë të ruante qetësinë dhe paanshmërinë gjatë kohës sa ishte në detyrë.
Dyshimi për paanshmërinë e VAR-it
Scott ka theksuar se dëshmitë e VAR-it do të “sugjeronin se ekziston njëanshmëri në favor të vendasve”, pasi teknologjia VAR “ka tendencë të ndërhyjë më shumë në favor të skuadrave mysafire, sepse ndaj tyre bëhen më shumë gabime”.
Ish-arbitri më pas e ka cilësuar stadiumin e dikurshëm të Evertonit, “Goodison Park”, si stadiumin “më armiqësor” në Premierligë dhe njërin prej vendeve ku ishte më e vështirë të gjykonte në mënyrë neutrale, së bashku me “Old Trafford”.
Në një intervistë për “The Athletic”, Scott fillimisht foli për mundësinë e ekzistimit të njëanshmërisë te gjyqtarët, duke thënë: “Natyrisht që mund të jetë një gjë e tillë… është diçka nënvetëdijshme; mund të mos e kuptoj as vetë se ekziston!”
58-vjeçari, i cili ishte gjyqtar i Premierligës për dhjetë vjet, nga viti 2015 deri në vitin 2025, shtoi se arbitrat nuk favorizojnë kurrë me vetëdije skuadra të caktuara.
“Nuk e di se ku qëndron e vërteta”, pranoi Scott. “Dëshmitë e VAR-it në fakt sugjerojnë se ekziston njëfarë njëanshmërie në favor të vendasve, pasi VAR-i ka tendencë të ndërhyjë më shumë në favor të skuadrave mysafire. Pra, diçka e tillë ekziston.
“Nuk jam i sigurt nëse kjo vlen edhe për klubet më të mëdha, por natyrisht që këtë do ta thosha, apo jo?”, deklaroi 58-vjeçari. “Sigurisht që nuk ekziston ndonjë organizim i tipit: ‘Duhet të kujdesemi për këta njerëz’ apo të mos kujdesemi për ta”.
Goodison Park, stadiumi më i vështirë
Scott u pyet më pas nëse kishte stadiume apo klube të caktuara ku ishte më e vështirë të “përballoje presionin dhe të mbeteshe neutral”. Përgjigjja e ish-gjyqtarit të Premierligës ishte e menjëhershme: “Goodison Park”.
“Stadiumi më armiqësor dikur ishte Goodison. Pjesërisht për shkak të vendndodhjes dhe strukturës së tij, pasi gjithçka ishte shumë e ngushtë.
“Gjithashtu, tifozët në tribuna ishin të gjithë të përfshirë maksimalisht në ndeshje. Goodison ishte gjithmonë shumë i ngushtë. Besoj se në mendjen tënde duhet të jesh i fortë, i vendosur dhe të sigurohesh që të marrësh vendimin e duhur”, u shpreh Scott.
58-vjeçari e përshkroi stadiumin e dikurshëm të Evertonit edhe si një vend “fantastik”, duke pranuar se ishte një prej stadiumeve të tij të preferuara për të gjykuar ndeshje.
“Një vend i shkëlqyer për të gjykuar dhe me atmosferë fantastike”, tha ai.
Old Trafford dhe atmosfera e ndryshuar
Ish-gjyqtari i Premierligës foli më pas edhe për Manchester United-in, duke e përmendur “Old Trafford” si një tjetër stadium anglez ku ishte e vështirë të ruhej neutraliteti në gjykim.
“Për një periudhë, “Old Trafford” u bë një stadium shumë i qetë, ku dukej sikur të gjithë prisnin të argëtoheshin ose ishin aty vetëm për t’u ankuar ndaj pronarëve dhe jo ndaj gjyqtarit.
“Nga këndvështrimi i gjyqtarit, gjërat mund të ishin mjaft të lehta”, pranoi Scott, i cili e përdori këtë kontrast për të shpjeguar se si kishte ndryshuar atmosfera në stadiumin e Manchester United-it, i cili dikur ishte shumë më armiqësor.
Një vështrim në arkivat e Premierligës e dëshmon edhe më shumë deklaratën e Scott-it për vështirësitë e gjykimit në “Goodison Park”.
58-vjeçari dikur kishte akorduar një penallti për Evertonin në minutat shtesë të një ndeshjeje në shtëpi, të cilën vendasit e shndërruan në gol për të fituar 3-2 ndaj Watford-it në vitin 2017.
Everton ishte në disavantazh prej dy golash në minutën e 65-të, por golat e Oumar Niasse dhe Dominic Calvert-Lewin, si dhe penalltia e realizuar nga Leighton Baines në minutën e fundit, ia siguruan fitoren skuadrës vendase në “Goodison Park”.
Burimi: insajderi.org









