Kalo te përmbajtja

Lajme të shpejta, të verifikuara dhe të paanshme

Lajm i fundit
Showbiz

Coincasa feston 10-vjetorin me showroom të ri në Prishtinë

Coincasa feston 10-vjetorin me showroom të ri në Prishtinë
Foto: privebruto.com

Një dekadë stil, elegancë dhe përkushtim ndaj arredimit të shtëpisë! Brendi i njohur italian Coincasa ka shënuar 10-vjetorin e pranisë së tij në Kosovë me inaugurimin e një showroom-i të ri, të vendosur në kilometrin e pestë të magjistrales Prishtinë–Ferizaj.

Nën moton “A New Home, A New Chapter”, ceremonia e inaugurimit mblodhi përfaqësues të brendeve ndërkombëtare, bashkëpunëtorë dhe personalitete të njohura të jetës publike, të cilët patën mundësinë të njihen nga afër me hapësirën e re dhe koleksionet e prezantuara.

E pranishme në këtë ngjarje ishte edhe Gladys Giacetti, përfaqësuese e brendit italian Bizzotto, e cila shprehu kënaqësinë për zhvillimin e tregut kosovar, duke theksuar se Kosova po i afrohet gjithnjë e më shumë kulturës italiane të arredimit.

Për pronaren e Coincasa-s, Ilire Perjuci Selimi, ky inaugurim përfaqëson shumë më tepër sesa hapjen e një hapësire të re. Ajo foli për sfidat e kaluara gjatë dhjetë viteve të veprimtarisë, të cilat sot janë kthyer në krenari, duke e cilësuar showroom-in e ri si një tjetër kapitull të rëndësishëm të suksesit.

Frymëzimi për koleksionet e reja

Ndërkohë, Era Selimi, koordinatore në Coincasa, tregoi se frymëzimi për zgjerimin e ofertës ka ardhur edhe nga përvojat në tregjet ndërkombëtare, me synimin për të sjellë në Kosovë brende që deri më tani nuk kanë qenë të pranishme.

Ajo foli edhe për ndryshimin e trendeve të arredimit, duke theksuar se pas një periudhe kur dominonin stili modern dhe ai minimalist, vitet e fundit po vërehet një rikthim i elementeve klasike. Pikërisht kjo frymë ka ndikuar edhe në përzgjedhjen e koleksioneve të reja, duke krijuar një balancë mes elegancës klasike dhe stilit bashkëkohor.

Për risitë e showroom-it foli edhe menaxherja Florentina Ramaj, e cila prezantoi brendet e reja dhe tendencat aktuale të arredimit. Sipas saj, druri vazhdon të mbetet ndër materialet më të preferuara të klientëve.

Personalitete në ceremoni

Në këtë mbrëmje festive nuk munguan as fytyrat e njohura. Mes tyre ishte aktorja Fiona Gllavica, e cila vitin e kaluar tërhoqi vëmendje të madhe në rrjetet sociale me dekorimin e shtëpisë së saj.

Aktorja tregoi se Coincasa vazhdon të jetë zgjedhja e saj numër një për arredimin e shtëpisë, ndërsa gjatë vizitës në showroom-in e ri veçoi edhe disa produkte që i pëlqyen veçanërisht.

Me një hapësirë të re, koleksione të larmishme dhe një kombinim të stileve moderne e klasike, Coincasa synon t’u ofrojë klientëve më shumë mundësi për t’i dhënë personalitet çdo ambienti të shtëpisë.

Showroom-i i ri i Coincasa-s ndodhet në kilometrin e pestë të magjistrales Prishtinë–Ferizaj, duke hapur një kapitull të ri pas dhjetë vitesh prani në Kosovë. /Prive By LS

Burimi: privebruto.com

Të fundit Të gjitha