Në Akërni, plazhi i Hidrovorit vijon të vizitohet edhe në vjeshtë. Ndërsa në shumë zona të tjera bregdetare sezoni turistik ka përfunduar, këtu pushuesit e huaj vazhdojnë të mbërrijnë me kamperë, të qëndrojnë pranë detit dhe të shijojnë ditët e ngrohta të vjeshtës.
Destinacion i zbuluar rastësisht
Për disa, ky është një destinacion i zbuluar rastësisht gjatë udhëtimit në Shqipëri. Për të tjerë, një ndalesë e sugjeruar nga miqtë. Por përshtypjet e para duket se i bashkon e njëjta gjë: qetësia, natyra dhe deti i pastër.
“Unë jam nga Gjermania dhe udhëtoj me bashkëshorten. Nuk e dija për këtë vend, por na e rekomanduan miq që na folën për të. Dhe është shumë bukur. Është një vend i qetë në këtë periudhë, deti është shumë i pastër dhe klima fantastike.”
Rekomandimet i kanë sjellë këtu edhe turistë që e kanë vizituar Shqipërinë më parë, por që ende kanë vende të reja për të zbuluar. Plazhi i Hidrovorit është një prej tyre, një ndalesë në itinerarin e eksplorimit të bregdetit shqiptar.
“Unë kam ardhur edhe më parë në Shqipëri, para dy dhe pesë vitesh, por në këtë vend nuk kisha qenë. Po eksplorojmë vende të ndryshme dhe erdhëm edhe këtu. Është shumë bukur. Më pëlqen plazhi.”
Vizitorë nga veriu i Evropës
Për vizitorët që vijnë nga veriu i Evropës, qëndrimi në bregdetin shqiptar është edhe një mundësi për të shijuar motin e ngrohtë, kur në vendet e tyre temperaturat kanë filluar të bien.
“Jam nga Letonia. Vij për herë të parë në vendin tuaj. Do të qëndrojmë shtatë ditë, po vizitojmë disa vende dhe më pas do të shkojmë drejt Greqisë. Këtu është shumë bukur. Ka qetësi, deti është i pastër dhe po më pëlqen shumë. Në vendin tonë tani bën ftohtë, ndërsa këtu mund të shijojmë ende plazhin”, tha ai.
Për disa turistë, qetësia e kësaj zone është pikërisht ajo që e bën të veçantë, larg ritmit të destinacioneve më të frekuentuara gjatë verës.
“Jam në një vend që nuk e kisha eksploruar më parë dhe ndihem shumë mirë këtu. Klima në vendin tuaj është shumë e mirë. Kam gjetur një vend shumë të bukur, ku gjithçka më duket perfekte. Po e shijoj. Do të qëndroj edhe një natë dhe pastaj do të largohem për të parë vende të tjera në Shqipëri.”
Edhe për turistët letonezë, përshtypjet e para janë pozitive. Qetësia dhe bukuria e vendit i kanë bërë të mendojnë ta zgjasin qëndrimin, ndërsa udhëtimi i tyre në Shqipëri vazhdon.
“Nuk flas shumë mirë anglisht, por mund të them se është shumë bukur. Është një vend fantastik, i mrekullueshëm. Po e shohim mundësinë të qëndrojmë këtu.”
Një mënyrë tjetër për ta shijuar bregdetin
Në plazhin e Hidrovorit, tetori nuk sjell vetëm fundin e sezonit, por edhe një tjetër mënyrë për ta shijuar bregdetin. Për këta vizitorë, Akërnia është një ndalesë që po e shijojnë përtej muajve tradicionalë të plazhit.
Burimi: abcnews.al










