Trajneri i Kombëtares, Rolando Maran, dhe mesfushori Kristjan Asllani dolën në konferencën zyrtare për media në stadiumin “Illovszky Rudolf Stadion”, në prag të ndeshjes së fundit në grupin C1 në UEFA Nations League ndaj Bjellorusisë, që do të luhet nesër në orën 18:00.
Asllani u shpreh se Kombëtarja është në një moment shumë të mirë dhe e përgatitur për sfidën ndaj Bjellorusisë, duke theksuar se objektivi i vetëm është fitorja dhe marrja e tre pikëve. Mesfushori vlerësoi paraqitjen ndaj Finlandës, ndërsa nënvizoi se skuadra duhet të luajë me karakter, agresivitet dhe guxim. Ai foli gjithashtu për rëndësinë e grupit, duke theksuar se në Kombëtare të gjithë luajnë për Shqipërinë, ndërsa u shpreh i kënaqur me rolin e tij më të avancuar në mesfushë dhe hapësirat që po krijon për të goditur portën.
Gjendja e skuadrës dhe objektivi
Si është gjendja e skuadrës? – Gjendja është shumë e mirë, sot kemi bërë seancën e fundit në mëngjes. Jemi përgatitur mirë, tani do të studiojmë edhe ekipin kundërshtar. Nesër e dimë të gjithë që është një ndeshje shumë e rëndësishme për ne. Nuk duhet të mendojmë çfarë na duhet. Duhet të mendojmë vetëm për të marrë tre pikët. Do të futemi në fushë për fitore.
Si do të jetë mënyra për ta marrë fitoren? – Sigurisht, do të futemi në fushë me karakter dhe shumë agresivitet. Ata janë një ekip shumë fizik. E kemi parë në Tiranë, na kanë vendosur shumë në vështirësi, sidomos në pjesën e parë. Por ne jemi përgatitur mirë, jemi në një moment të mirë dhe duam ta fitojmë ndeshjen.
Sa ju ka ndihmuar fitorja me Finlandën? – Kur vesh këtë fanellë duhet të japësh jo 100%, por më shumë. Na duhet maksimumi. Besoj që kemi bërë një ndeshje shumë të mirë me Finlandën para tifozëve tanë. Jemi shumë të lumtur, por tani mendojmë vetëm për Bjellorusinë.
Mungesat dhe presioni i golit
Keni luajtur edhe më përpara me Shehun, mendoni se do të jetë një problem? – Jo, aspak. Nuk është problem. Në futboll ndodh. Ramadani ka marrë karton të verdhë dhe do të mungojë, nuk do të jetë dhe na vjen keq. Por të gjithë djemtë janë gati. E dimë të gjithë që në Kombëtare nuk luhet për Asllanin, Ramadanin apo për Shehun, por sepse të gjithë përfaqësojmë kombin tonë, familjet tona dhe mendojmë vetëm për Shqipërinë.
Ndaj Finlandës u ndalët nga portieri, mendon se mund ta përmirësosh shënjestrën ndaj Bjellorusisë? – Nuk e di, tifozët pas dy golave me San Marinon kërkojnë sërish gola të tjerë. Unë nuk jam sulmues, por shumë dëshirë do të kisha të shënoja. E rëndësishme është të marrim tre pikë dhe të dalim të lumtur.
Arsyet e momentit pozitiv
Moment pozitiv i Kombëtares, cilat janë arsyet që kanë ndikuar? – Po guxojmë shumë. Trajneri na kërkon shumë agresivitet. Një futboll që po shkon shumë mirë. Po shfaqemi mirë në fushë. Në dy ndeshjet e para nuk e kuptuam mirë, por tani të gjithë djemtë e kanë kuptuar, trajneri na ka kuptuar ne. Të gjithë jemi bashkë dhe mendojmë vetëm për nesër. Na duhet fitorja edhe këtu.
Shohim një Asllan më të avancuar dhe më të rrezikshëm, a të kishte munguar ky rol? – Ne tani po luajmë me dy mesfushorë. Trajneri dëshiron rotacione. Unë jam ai mesfushori që ikën më shumë para. Kam hapësira dhe po godas portën. Po më pëlqen forma që po kalojmë ne tani. Jam shumë i lumtur.
Burimi: telesport.al










