Një skemë që synon të tërheqë artistët dhe profesionistët më të talentuar në Britaninë e Madhe po shndërrohet në një instrument mashtrimi.
Vepra që nuk janë krijuar nga aplikantët, ekspozita të organizuara artificialisht, artikuj të rremë në media dhe rekomandime të sajuara po përdoren për të ndërtuar një identitet artistik të rremë, me një qëllim të vetëm: sigurimin e vizës britanike.
Si funksionon mashtrimi
Një hetim i BBC-së zbulon se pas fasadës së talentit dhe krijimtarisë mund të fshihet një industri e mirëfilltë falsifikimi, ku reputacioni artistik shitet për mijëra, madje qindra mijëra paund.
Kompani konsulence në Mbretërinë e Bashkuar dyshohet se po ndihmojnë emigrantë të paraqiten në mënyrë të rreme si artistë të talentuar dhe ekspertë të teknologjisë, për të përfituar viza përmes skemës së përshpejtuar të emigracionit Global Talent.
Aplikantët nuk intervistohen, por duhet të dëshmojnë se kanë talent të jashtëzakonshëm ose potencial të lartë në fushën e tyre. Përfitimi i vizës u mundëson gjithashtu të marrin me vete familjarët dhe të aplikojnë për qëndrim të përhershëm pas tre ose pesë vitesh.
Oferta e gazetarit të fshehtë
Gjatë hetimit, një gazetar i BBC-së, i paraqitur si klient i mundshëm, kontaktoi një kompani konsulence në Londër. Një përfaqësues i saj i ofroi një paketë shërbimesh që përfshinte vepra arti të prodhuara në Kinë, organizim ekspozitash, publikime në media dhe letra rekomandimi.
Sipas konsulentit, klientët që zgjidhnin paketën e plotë, me vlerë mbi 100 mijë paund, nuk kishin pasur asnjëherë një aplikim të refuzuar për vizën Global Talent.
Rastet e rishqyrtuara
Hetimi i BBC-së ka çuar gjithashtu në rishqyrtimin e dy rasteve konkrete. Ministria e Brendshme britanike, Home Office, ka nisur procedurat për revokimin e vizave të dy shtetasve nigerianë, të cilët kishin aplikuar duke u paraqitur si fotografë të arteve të bukura.
Dyshimet u ngritën pasi u zbuluan artikuj të publikuar në internet, të cilët lavdëronin punën e tyre artistike dhe dyshohet se ishin të falsifikuar.
Reagimi zyrtar
Ministria e Brendshme britanike i cilësoi zbulimet e hetimit si “jashtëzakonisht serioze” dhe konfirmoi se kompania që i kishte ofruar gazetarit paketën mbi 100 mijë paund ishte tashmë nën hetim.
Një zëdhënës i institucionit deklaroi se skema Global Talent është tashmë në proces rishikimi dhe se ministrja e Brendshme do të marrë çdo masë të nevojshme për të parandaluar abuzimin me të.
Hetimi ngre pikëpyetje serioze mbi mënyrën se si verifikohen kualifikimet dhe arritjet profesionale të aplikantëve në një skemë që synon të tërheqë talentet më të spikatura nga e gjithë bota.
Burimi: lajmifundit.al









