Për herë të parë, Uashingtoni ka përmendur mundësinë që Ukraina të tërhiqet nga Donbasi në këmbim të anëtarësimit në NATO. Lajmin e bëri të ditur presidenti Volodymyr Zelensky, duke sqaruar se çdo propozim konkret do t’u paraqitej për vendim qytetarëve ukrainas.
Zelensky tha se një marrëveshje e tillë mund të merret në konsideratë vetëm nëse shoqërohet me garanci sigurie të forta dhe detyruese nga SHBA-ja dhe aleatët e NATO-s. Sipas tij, ato duhet të përfshijnë mbrojtje në nivelin e Nenit 5 të Traktatit të NATO-s, ndihmë ushtarake dhe financim për rindërtimin e vendit pas luftës. Ai këmbënguli, megjithatë, se Ukraina nuk do t’i njohë ligjërisht territoret e pushtuara si pjesë të Federatës Ruse.
Vendimi i shoqërisë ukrainase
“Do t’i kërkoj mendimin shoqërisë sonë: a e pranojmë apo jo?”, u shpreh presidenti, duke theksuar se një vendim i tillë nuk mund të merret vetëm prej tij. Në negociata po shqyrtohen edhe rrugë të tjera për garantimin e sigurisë së Ukrainës, mes tyre marrëveshje dypalëshe me Shtetet e Bashkuara, të ngjashme me angazhimet amerikane ndaj Izraelit. Këto mund të parashikojnë dislokimin e forcave amerikane, sisteme të mbrojtjes ajrore dhe ndihmë të vazhdueshme ushtarake.
Rezervat ndaj Moskës
Presidenti ukrainas shprehu rezerva edhe për synimet e Moskës. Ai paralajmëroi negociatorët amerikanë se Vladimir Putin nuk është i besueshëm dhe se Kremlini mund ta shfrytëzojë diplomacinë për të zgjatur luftën. Deklaratat u bënë pas raundit të dytë të bisedimeve trepalëshe të ndërmjetësuara nga Uashingtoni, të mbajtura më 10 dhe 11 nëntor në Abu Dhabi.
Deri tani nuk është bërë publike ndonjë marrëveshje konkrete. Megjithatë, diskutimi i çështjes së Donbasit krahas anëtarësimit të Ukrainës në NATO tregon se negociatat kanë mbërritur në një pikë të ndjeshme, ku po trajtohen edhe temat më të vështira të konfliktit: territori, siguria dhe e ardhmja e Ukrainës.
Burimi: www.albeu.com









