Mungesa e investimeve dhe e vendeve të punës po ndryshon çdo ditë jetën në fshatin Plasë të Maliqit. Dikur një nga fshatrat më të populluara, sot Plasa përballet me largimin e të rinjve, mbylljen e shumë shtëpive dhe një popullsi që dominohet nga të moshuarit.
Shtëpitë e mbyllura
Shtëpitë e mbyllura me dry janë dëshmi e heshtur e shpopullimit në Plasë të Maliqit. Mungesa e vendeve të punës ka bërë që të rinjtë të zhvendosen në qytetin e Korçës, ndërsa të tjerë kanë emigruar jashtë vendit. Një banor thotë se nga familja e tij, e cila dikur numëronte 13 anëtarë, sot në fshat kanë mbetur vetëm ai dhe gruaja e tij.
Kjo histori përmbledh atë që po ndodh në shumë familje të Plasës. Fëmijët janë larguar, ndërsa prindërit e moshuar kanë mbetur vetëm. Sipas banorëve, dikur fshati kishte më shumë se 80 shtëpi të banuara, ndërsa sot më shumë se gjysma e tyre janë bosh.
Infrastruktura dhe shërbimet
Banorët ankohen për rrugët e amortizuara, furnizimin me ujë dhe kanalizimet.
Tkurrja e popullsisë në shifra
Shifrat zyrtare tregojnë tkurrjen e popullsisë në një shkallë më të gjerë. Sipas Census-it të vitit 2011, Bashkia Maliq kishte 41 mijë e 757 banorë, ndërsa në Census-in e vitit 2023, popullsia kishte zbritur në 31 mijë e 8 banorë. Pra, një rënie prej 25.7 për qind. Ndërsa njësia administrative Pojan, ku bën pjesë edhe Plasa, kishte 8 mijë e 138 banorë sipas Census-it të vitit 2023.
Burimi: shqiptarja.com









