NJU ORLEANS, 14 nëntor 2026 /ATSH/ – Një operacion i madh shpëtimi u zhvillua në lumin Misisipi, afër qytetit të Nju Orleans, në Luiziana të SHBA-së, pasi një anije cisternë u përplas me një anije turistike që transportonte rreth 130 pasagjerë, sipas “Reuters”.
Ngjarja ndodhi dje, rreth orës 12:30 sipas kohës lokale, pranë portit të Nju Orleans.
Anija cisternë, e identifikuar si “Atlantic Asphalt”, goditi anijen turistike “American Heritage”, e cila ndodhej e ankoruar në port.
Përplasja ishte aq e fortë sa anija turistike filloi të mbushej me ujë dhe më pas u përmbys, duke lënë disa pasagjerë në ujërat e lumit.
Shpëtimi i pasagjerëve
Sipas autoriteteve, në bord ndodheshin rreth 129 pasagjerë, përveç anëtarëve të ekuipazhit. Të gjithë personat që ndodheshin në anije u shpëtuan dhe u konfirmua se nuk kishte viktima.
Kryetarja e bashkisë së Nju Orleans, Helena Moreno, bëri të ditur se 32 pasagjerë u transportuan në spitalet e zonës për të marrë ndihmë mjekësore, por asnjëri prej tyre nuk ishte në gjendje kritike.
Ajo e cilësoi operacionin e shpëtimit si një “mrekulli në Misisipi”, duke vlerësuar ndërhyrjen e shpejtë të ekipeve të emergjencës dhe të personave që ndodheshin në anije të tjera pranë vendngjarjes.
Operacioni përfshiu policinë portuale, zjarrfikësit, Policinë e Nju Orleans dhe Rojën Bregdetare amerikane. Në shpëtimin e personave të rënë në ujë ndihmuan edhe ekuipazhet e anijeve të tjera që ndodheshin pranë vendit të përplasjes.
Disa pasagjerë u panë me jelekë shpëtimi në ujë, ndërsa të tjerë u përpoqën të largoheshin nga anija duke u kapur pas parmakëve. Dëshmitarët e përshkruan skenën si kaotike, ndërsa përmbysja e anijes ndodhi pak minuta pas përplasjes.
Shkaku i aksidentit
Sipas kryetares së bashkisë, anija cisternë kishte humbur kontrollin përpara se të godiste anijen turistike.
Kapitenia e Rojës Bregdetare amerikane, Melanie Burnham, tha se hetimet paraprake sugjeronin një problem të mundshëm me sistemin e drejtimit të anijes cisternë, por shkaku i saktë ende nuk ishte përcaktuar.
Bordi Kombëtar i Sigurisë së Transportit në SHBA (NTSB) njoftoi se kishte nisur hetimet për të përcaktuar rrethanat e aksidentit.
Pas përplasjes, autoritetet ndërprenë përkohësisht lëvizjen e të gjitha anijeve në atë pjesë të lumit Misisipi, ndërsa ekipet e emergjencës vazhduan punën në vendngjarje.
Detaje mbi anijet
Anija “American Heritage”, e operuar nga kompania “American Cruise Lines”, ishte ndërtuar në vitin 2015 dhe kishte kapacitet për të transportuar deri në 150 pasagjerë.
Ajo ishte në përfundim të një udhëtimi turistik tetëditor në destinacione përgjatë lumit Misisipi, në Luiziana dhe Misisipi.
Ndërsa anija cisternë “Atlantic Asphalt”, rreth 160 metra e gjatë, përdoret për transportin e sasive të mëdha të asfaltit dhe bitumit, materiale që shërbejnë kryesisht për ndërtimin e rrugëve dhe çative.
Presidenti amerikan Donald Trump vlerësoi punën e ekipeve të shpëtimit, duke përgëzuar Rojën Bregdetare dhe autoritetet e tjera për ndërhyrjen e tyre. //a.i/
Burimi: ata.gov.al









