Tirana dhe Durrësi: origjina e emrave
Emrat e qyteteve shqiptare mbartin gjurmë të gjuhëve, popujve dhe qytetërimeve që kanë kaluar nëpër këto territore. Disa kanë rrënjë që shkojnë deri në Antikitet, të tjerë lidhen me fjalë greke, latine, sllave apo osmane, ndërsa disa janë rrethuar nga legjenda që vazhdojnë të tregohen edhe sot.
Tirana ka disa hipoteza për prejardhjen e emrit. Njëra e lidh me kështjellën e lashtë Tyrkanos, që mendohet të ketë qenë në afërsi të qytetit, ndërsa një tjetër me fjalën greke tyros, që do të thotë “djathë”. Një pretendim i hedhur së fundmi nga shkrimtari Ben Blushi e lidh emrin me fjalën e lashtë greke tyrannos, prej së cilës rrjedh edhe fjala “tiran”. Sipas interpretimit të tij, fjala lidhet me njerëzit që merrnin pushtetin duke u ngritur kundër mbretërve, ndërsa ai sugjeron edhe një prejardhje më të hershme pellazgjike. Ajo që dihet është se emri i Tiranës përmendet në dokumente përpara vitit 1614, kur Sulejman Pashë Bargjini hodhi themelet e qendrës së qytetit modern.

Durrësi njihet në lashtësi me emrat Epidamnos dhe Dyrrachion. Për këtë të fundit ekziston një shpjegim gjuhësor nga greqishtja e vjetër, i përbërë nga dys, “i keq” ose “i vështirë”, dhe rhachia, “breg shkëmbor” apo “breg i ashpër”. Ky interpretim lidhet me natyrën e vështirë të bregdetit. Në traditën antike, emri Epidamnos lidhet me një personazh legjendar, ndërsa Dyrrachion me Dyrrahun, nipin e tij. Lezha njihej në Antikitet si Lissus, emër që studiuesit e kanë lidhur me formën e sotme përmes zhvillimeve fonetike. Arkeologët Frano Prendi dhe Koço Zheku kanë studiuar qytetin ilir të Lisit, një nga qendrat e rëndësishme të antikitetit në territorin shqiptar.

Kruja, Shkodra dhe Gjirokastra
Kruja lidhet gjerësisht me fjalën shqipe “krua”, që do të thotë burim uji. Ky shpjegim i përhapur i referohet edhe burimeve të shumta ujore në zonë. Në dokumentet mesjetare emri shfaqet në forma si Croya dhe Kroia.

Shkodra njihej në Antikitet si Scodra, një nga qendrat më të rëndësishme të ilirëve dhe më vonë të provincës romake. Emri është ruajtur në forma të ndryshme përgjatë shekujve, por kuptimi fillestar nuk është përcaktuar me siguri. Lidhja me fjalën “kodër” apo shprehjen “shkon Drin” është pjesë e interpretimeve popullore, jo një etimologji e provuar shkencërisht.

Gjirokastra shfaqet në burimet mesjetare me emrin Argyrokastron, i përbërë nga fjalët greke argyros, që do të thotë “argjend”, dhe kastron, që do të thotë “kështjellë”. Përkthimi i emrit është “Kështjella e Argjendtë”. Kronisti bizantin Joani VI Kantakuzeni e përmend qytetin në shekullin XIV. Ndërsa historia e princeshës Argjiro, e cila thuhet se u hodh nga kalaja për të mos rënë në duart e pushtuesve, është një legjendë e bukur, por nuk mund të shpjegojë prejardhjen e emrit, pasi ky dokumentohet më herët.

Korça, Pogradeci dhe Vlora
Korça lidhet shpesh me fjalën sllave Gorica, që do të thotë “kodër e vogël” ose “mal i vogël”. Kjo është një hipotezë e përhapur në studimet toponimike, por prejardhja e emrit nuk konsiderohet plotësisht e zgjidhur. Emri i qytetit dokumentohet që në vitin 1281.
Pogradeci shpjegohet zakonisht përmes fjalëve sllave pod dhe grad, që së bashku japin kuptimin “nën kala” ose “poshtë qytetit të fortifikuar”. Ky interpretim lidhet me vendosjen e qytetit pranë një fortifikimi të lashtë, mbi kodrën që mbikëqyr zonën e liqenit.
Vlora njihej në Antikitet si Aulon, emër me origjinë greke, që lidhet me kuptimin “kanal”, “grykë” ose “kalim i ngushtë”. Emri shfaqet në burimet antike, ndër të tjera te gjeografi Ptoleme, ndërsa më vonë qyteti njihet edhe me formën Valona. Studiuesi Eqrem Çabej e ka përfshirë Vlorën ndër emrat e vendeve antike që, sipas analizës së tij, kanë vijimësi në shqip.
Saranda, Himara dhe Berati
Saranda e ka marrë emrin nga shprehja greke Agioi Saranda, që do të thotë “Dyzet Shenjtorët”. Emërtimi lidhet me manastirin e lashtë kushtuar Dyzet Martirëve të Sebastes, rrënojat e të cilit ndodhen mbi qytet. Me kalimin e kohës, emri i manastirit u bë edhe emri i vendbanimit. Himara është ndër emrat më intrigues, sepse prejardhja e saj mbetet e diskutuar. Një nga hipotezat e lidh me emrin e përbindëshit mitologjik grek Chimera – një krijesë fantastike me tipare të disa kafshëve, zakonisht e përshkruar me kokë luani, trup dhie dhe bisht gjarpri. Megjithatë, kjo është një lidhje e propozuar dhe jo një shpjegim i provuar gjuhësisht.
Berati njihet në traditën historike edhe me emrin Beligrad, që shpjegohet nga sllavishtja si “Qyteti i Bardhë”. Megjithatë, studimi i onomastëve Albina Girfanova dhe Nikolay Sukhachev vë në dyshim nëse Berat është zhvillim i drejtpërdrejtë i Beligradit, pasi mungojnë përputhjet e qarta fonetike dhe format ndërmjetëse që do ta vërtetonin këtë kalim. Një tjetër hipotezë e lidh emrin me fjalën osmane berat, që nënkupton një dekret ose dokument zyrtar.
Elbasani, Përmeti, Fieri dhe Lushnja
Elbasani lidhet zakonisht me shprehjen osmane il basan, e interpretuar si “pushtuesi i vendit” ose “ai që nënshtron vendin”. Emri lidhet me periudhën e Mehmetit II, i cili në vitin 1466 ndërtoi një kala të rëndësishme në këtë zonë gjatë fushatave të tij ushtarake. Përmeti lidhet në gojëdhënën vendase me emrin e një sundimtari të quajtur Premt, i cili, sipas legjendës, u hodh nga Guri i Qytetit për të mos rënë në duart e pushtuesve. Kjo histori i ka dhënë emrin një prej simboleve më të njohura të qytetit, por lidhja mes Premtit dhe Përmetit nuk është provuar nga dokumentet historike. Një interpretim tjetër, i përmendur në një botim të Firenze University Press, e lidh emrin me shprehjen dialektore përm eti, të afërt me kuptimin “shuan etjen”, duke iu referuar ujërave të shumta të zonës dhe përroit të Vjosës.
Fieri ka dy shpjegime kryesore për prejardhjen e emrit. Sipas të parit, ai vjen nga fjala italiane fiera, që do të thotë “panair”, dhe lidhet me tregjet ku tregtarët venedikas blinin prodhime bujqësore në Mesjetë. Sipas një teze tjetër, emri vjen nga bima e fierit, që rritej në zonën e Myzeqesë. Qyteti modern mori formë në shekullin XIX, kur në vitin 1864 Kahreman Pashë Vrioni nisi projektin për ta kthyer vendbanimin në një qendër tregtare dhe zejtare.
Lushnja përmendet në dokumentet osmane të vitit 1431 me emrin Lusnia, si një vendbanim i vogël me rreth 15 shtëpi. Për prejardhjen e emrit qarkullojnë disa shpjegime, por asnjëri nuk është vërtetuar përfundimisht. Një gojëdhënë e lidh me një han që administrohej nga një grua e quajtur Salushe, prej së cilës pretendohet se ka ardhur forma Lushnje. Megjithatë, ky kalim nuk mbështetet bindshëm nga rregullat gjuhësore.
Burimi: bordo.al










