Dy persona janë arrestuar në Laç, pasi dyshohet se shisnin kokainë dhe kanabis pranë shkollave të qytetit. V. R., 23 vjeç, dhe A. Gj., 36 vjeç, të dy banues në Laç, u kapën nga policia pranë një shkolle.
Gjatë kontrollit të tyre dhe banesave ku jetonin, policia gjeti 126 doza droge, nga të cilat 113 doza kanabisi dhe 13 doza kokaine. Atyre iu sekuestruan edhe municion luftarak dhe dy telefona celularë.
Sipas policisë, dyshohet se 23-vjeçari dhe 36-vjeçari shisnin drogë në qytetin e Laçit, kryesisht pranë shkollave. Arrestimi i tyre u bë gjatë operacionit të koduar “Quick Strike 2”, ndërsa çështja i ka kaluar Prokurorisë së Lezhës për hetime të mëtejshme.
Njoftimi i Policisë së Shtetit
Lezhë/Finalizohet operacioni i koduar “Quick Strike 2”, për goditjen e veprimtarisë kriminale të shitjes së lëndëve narkotike në doza, në afërsi të perimetrit të sigurisë së shkollave.
Kapen në flagrancë me doza kokaine dhe kanabisi, afër një shkolle në Laç, vihen në pranga 2 shtetas.
Sekuestrohen 126 doza të lëndëve të dyshuara narkotike kokainë dhe kanabis, municion luftarak dhe 2 celularë.
Specialistët e Seksionit për Hetimin e Narkotikëve, në bashkëpunim me Seksionin e Mbështetjes Operacionale për Hetimin dhe me Komisariatin e Policisë Kurbin, në zbatim të planit operacional “Shkolla të Pastra”, për parandalimin dhe goditjen e veprimtarisë kriminale të shitjes së lëndëve narkotike në afërsi të shkollave, bazuar edhe në informacionet e siguruara në rrugë operative, kanë organizuar dhe finalizuar operacionin e koduar “Quick Strike 2”.
Gjatë këtij operacioni, u kapën afër një shkolle në Laç dhe u arrestuan në flagrancë shtetasit: V. R., 23 vjeç, dhe A. Gj., 36 vjeç, të dy banues në Laç, Kurbin.
Gjatë kontrollit fizik ndaj këtyre shtetasve dhe kontrollit në banesat e tyre, shërbimet e Policisë gjetën dhe sekuestruan në total 113 doza të lëndës së dyshuar narkotike kanabis, 13 doza të lëndës së dyshuar narkotike kokainë, municion luftarak dhe 2 celularë.
Nga veprimet e para hetimore dyshohet se këta shtetas ushtronin veprimtarinë kriminale të shitjes së dozave të lëndëve narkotike në qytetin e Laçit, kryesisht në afërsi të perimetrit të sigurisë së shkollave.
Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë pranë Gjykatës së Juridiksionit të Përgjithshëm Lezhë, për veprime të mëtejshme.
Burimi: shqiptarja.com










