Aktualitet
Në supermarketet e vendit, ligji i ushqimit dhe VKM-ja e vitit 2018 për etiketimin nuk respektohen as nga tregtarët, as nga inspektorët e AKU-së. Mungesa e kontrolleve bën që raftet e marketeve të mbushen me produkte ushqimore që japin informacion të cunguar mbi përbërësit e ushqimeve të paketuara.
Etiketa është pasaporta e produktit, ku përmes të dhënave qytetarët duhet të marrin garanci dhe siguri. TOP CHANNEL bëri disa blerje ushqimesh të rastësishme në një supermarket të Tiranës dhe vëzhgimi konstatoi se ushqimet me origjinë shtazore shkojnë në shportën e konsumatorit pa asnjë etiketë informuese.
“Po marrim këtë mishin: as gjoksi nuk e ka të shkruar, por vetëm gjoks pule. Kaq informacion ka. Ky produkt nuk ka asnjë lloj elementi që të çojë drejt sigurisë, për të mos folur më pas për cilësinë”, ka thënë ekspertja e sigurisë ushqimore, Ana Vuksani.
Sanksionet dhe mashtrimi
Nëse i referohemi ligjit të ushqimit, ndaj biznesit që tregton produktin pa etiketë ndërmerren masa administrative nga 100 deri në 300 mijë lekë. Por ndëshkimi i tregtuesve të produkteve ushqimore të pasigurta nuk përfundon vetëm te gjobat; shkelësit e ligjit mund të ngarkohen edhe me përgjegjësi penale. “Mashtrimi për produktet ushqimore” dënohet me heqje lirie nga 3 deri në 10 vjet burg. Por ligjet e ashpërsuara nuk kanë ndaluar shitjen e produkteve të dyshuara.
“Legjislacioni shqiptar përcakton qartë që, nëse një produkt me origjinë shtazore i shtohet një produkti me origjinë bimore, atëherë ky quhet produkt i përbërë dhe kjo duhet të shënohet në etiketë. Për fat të keq, në Shqipëri ne kemi dështuar të mësojmë dhe të analizojmë sasinë e vajit të palmës në produkte”, ka thënë ekspertja e sigurisë ushqimore, Ana Vuksani.
Produkte të mashtrueshme
Ka edhe nga ato produkte që nuk u mungon paketimi, por etiketimi. Ndërsa ka produkte që në raft mbajnë emërtimin si produkt sallami, por etiketa thotë të kundërtën.
Mashtrimi te lëngjet e frutave, që konsumohen nga fëmijët, bëhet edhe më i sofistikuar kur në pamjen ballore të produktit shënohet “prodhim 100% lëng frutash”, por etiketa e vendosur mbrapa produktit tregon të vërtetën, edhe pse ky informacion jepet me shkronja tepër të vogla për t’u dalluar me sy të lirë.
Shitja e këtyre produkteve bëhet në të gjithë OBU-në e Shqipërisë, dhe kjo bëhet me miratimin e AKU-së, që lejon prodhimin, importimin dhe tregtimin e ushqimeve të pasigurta që rrezikojnë shëndetin e konsumatorit.
Burimi: lajmifundit.al









