Kalo te përmbajtja

Lajme të shpejta, të verifikuara dhe të paanshme

Lajm i fundit
Aktualitet

Veliaj kërkon Komision Hetimor; Kthupi: Qëndron ligjërisht

Veliaj kërkon Komision Hetimor; Kthupi: Qëndron ligjërisht
Foto: shqiptarja.com

Për juristin Rezart Kthupi, kryebashkiaku Erion Veliaj duhet të kishte bërë kërkesën për ngritjen e një Komisioni hetimor që në momentin kur kryeministri Edi Rama zhvilloi një takim me punonjësit e Bashkisë, pas arrestimit të tij. Ndërkohë juristi Romeo Kara tha se me kërkesën për ngritjen e Komisionit, Veliaj i ka hapur probleme mazhorancës.

Në studion e emisionit “Repolitix” me gazetarin Denis Minga në Report Tv u diskutua mbrëmjen e sotme kërkesa e kryebashkiakut Erion Veliaj drejtuar Grupit Parlamentar të PS për ngritjen e një komisioni hetimor parlamentar. Veliaj pretendon se ka marrë kërcënime nga kryeministri Rama, përmes ministrit të Drejtësisë që e vizitoi në burg.

Kthupi tha se në teori objekti i Komisionit qëndron, por në praktikë ka debat të madh. Sipas tij, kjo është një lëvizje politike e Veliajt për të mbetur në sferën mediatike dhe në diskursin publik, sidomos para mbajtjes së Asamblesë së PS. Ai theksoi se një javë më parë, kur u hap historia e Toni Gogut në burgun e Fierit, çështja u shua mediatikisht, dhe Veliaj kërkon ta rikthejë vëmendjen e publikut.

“Kushdo që e ka formuluar këtë objektin e veprimtarisë së komisionit, ka qenë shumë i kujdesshëm. Për të ngritur një Komision Hetimor, komisioni ngrihet për të kuptuar nëse ligji ka mangësi, nëse ligji ka parregullsi apo zbatohet keq. Kjo është arsyeja që shkon pastaj te ai që është funksioni kryesor i Kuvendit, që është kontrolli i institucioneve të varësisë. Pra, në teori objekti i Komisionit është mirë, qëndron në këmbë. Në praktikë ka debat shumë të madh. Unë mendoj se kjo është një lëvizje politike e Veliajt për të qëndruar në sferën mediatike dhe në diskursin publik, pasi ajo që ndodhi një javë më parë kur u çel historia e Gogut në burgun e Fierit, u shua mediatikisht dhe sot ajo që është e nevojshme është që të rikthehet sërish në vëmendjen e publikut, që ka një akt të paligjshëm të pretenduar të kryeministrit”, tha mes të tjerash Kthupi.

Duke theksuar se kërkesa e Veliajt mund të qëndrojë ligjërisht, Kthupi shtoi se kryebashkiaku duhet ta kishte bërë këtë lëvizje dy ditë pas arrestimit të tij, kur kryeministri Rama mbajti një takim në Sheshin Skënderbej me punonjësit e Bashkisë Tiranë. Sipas tij, ky ishte momenti i marrjes de facto të autoritetit të kryetarit të Bashkisë nga kryeministri. Një tjetër moment i rëndësishëm, sipas Kthupit, ishte kur Veliaj u detyrua të firmosë aktin e delegimit të firmës te një person i komanduar nga Rama.

“Në këtë pikë edhe mund të qëndrojë ligjërisht kërkesa për ta ngritur komisionin hetimor, por problemi do të jetë te numri. Duhen 7 deputetë që të firmosin kërkesën për të ngritur një komision hetimor. Veliaj nëse donte të ngrinte një Komision hetimor do të duhet të fillonte që nga mitingu dy ditë pas ndalimit të tij që bëri Rama në Sheshin Skënderbej me punonjësit e Bashkisë. Sepse aty fillon marrja de facto e autoritetit të kryetarit të bashkisë nga kryeministri i vendit. Nga ai moment është momenti tjetër që e detyruan Veliajn që të firmonte aktin e delegimit të firmës te një person i komanduar nga Rama. Për hir të koherencës, ti e bën kërkesën që nga momenti kur të ka lindur fakti. Kështu që mendoj që gjasat që përtej këtij diskutimi mediatik i shikoj thuajse zero”, theksoi Kthupi.

Nga ana tjetër, juristi Romeo Kara tha se Veliaj ka kapur një moment të mirë, atë të transferimit të tij drejt Fierit, për të politizuar gjithë çështjen penale ndaj tij. Sipas Karës, Veliaj i ka krijuar probleme jo vetëm mazhorancës, dhe ai do të japë mesazhin se kryeministri Rama i ka “lidhur këmbët” drejtësisë, mazhorancës dhe institucioneve.

“Veliaj ka kapur momentin me atë transferim që i është bërë në burg, për të politizuar të gjithë çështjen penale kundrejt tij. Dhe i ka krijuar problem jo vetëm mazhorancës dhe mirë ja bën… Për mua ky moment tregon se ka rënë hipokrizia e bashkëpunimit të tyre për të mirën e Shqipërisë. Ai do të japë një mesazh, por këtu i ka lidhur këmbët drejtësisë. Ai do të japë mesazh që kryeministri urdhëron edhe ministrin të shkojë në orën 22:30 atje për të përcjellë shantazhe e kërcënime.

Ai po jep mesazhe që nesër do të ndërmarrë edhe hapa të tjerë përballë gjykatës. Do të provojë që këtu është e kapur edhe mazhoranca, nuk gjendet e drejta këtu ku duhet gjetur, në tempullin e drejtësisë. Ai do të tregojë që unë i respektoj institucionet, por këtu ka një njeri që ka kapur edhe vendin e Ballës, edhe të Toni Gogut, edhe të gjithë të tjerëve”, tha mes të tjerash Kara.

Burimi: shqiptarja.com

Të fundit Të gjitha