Kalo te përmbajtja

Lajme të shpejta, të verifikuara dhe të paanshme

Lajm i fundit
Politikë

Ku po shkon revolucioni?

Ku po shkon revolucioni?
Foto: gazetashqiptare.al

Nga Lutfi Dervishi

Pas 165 ditësh protestë, sfida nuk është më thjesht sa njerëz do të dalin në shesh të shtunën e ardhshme, sa ujëhedhëse do të nxjerrë policia apo sa gjoba të tjera do të vendosen. Sot, sfida është shumë më e madhe: ku po shkon kjo lëvizje dhe si mund ta shndërrojë zemërimin në ndryshim politik?

Protesta ka arritur diçka që vetëm gjashtë muaj më parë dukej e pamundur: ka ndryshuar atmosferën politike, ka thyer monopolin e opozitës tradicionale mbi pakënaqësinë dhe ka nxjerrë në rrugë njerëz që nuk e shihnin veten as te PD e as te partitë e tjera.

Për gati gjashtë muaj, sheshi ka krijuar një qendër të re graviteti politik, pa qenë ende një forcë politike.
Kjo është njëkohësisht arritja dhe dobësia më e madhe e protestës.
Sheshi ka fituar të drejtën të kërkojë ndryshimin, por nuk ka ndërtuar instrumentin për ta realizuar atë.

Largimi i Ramës dhe Berishës

“Rama në burg, Berisha në burg!” është një nga parullat më të njohura të protestës. Ajo përmbledh refuzimin e dy figurave që kanë dominuar politikën shqiptare për dekada.

Megjithatë, midis kërkesës për përgjegjësi penale, që i takon drejtësisë, dhe largimit nga pushteti politik, që vendoset përmes mekanizmave demokratikë, ekziston një dallim thelbësor. Sheshi mund të kërkojë llogaridhënie për të dy, por nuk mund të vendosë as për fajësinë penale, as për drejtimin e partive të tyre.
Edi Ramën nuk mund ta largosh nga Partia Socialiste me protestë dhe as Sali Berishën nuk mund ta largosh nga Partia Demokratike me thirrje nga sheshi.

Të dy kanë çimentuar marrëdhënie politike, organizative dhe personale me partitë e tyre. Pushteti i tyre nuk buron vetëm nga karizma dhe popullariteti, por nga kontrolli mbi strukturat, përzgjedhja e kandidatëve, mekanizmat e vendimmarrjes dhe besnikëria e njerëzve që i rrethojnë.

Mund të kërkosh largimin e Ramës nga qeveria, pa pasur asnjë shans ta largosh nga PS, sikundër mund të kundërshtosh Berishën si alternativë qeverisëse, pa pasur asnjë mundësi ta largosh nga PD.
Këto janë dy beteja krejt të ndryshme.

Protesta rrezikon të bjerë në një kurth nëse e kushtëzon suksesin e saj me asgjësimin politik në të njëjtën kohë të dy figurave që dominojnë prej dekadash skenën politike. Sfida është të ndryshosh raportin e forcave, jo të presësh që kundërshtarët të zhduken me një të rënë të lapsit.

Shqipëria, Serbia dhe Hungaria

Krahasimet të ndihmojnë, me kusht që të mos shndërrohen në receta.
Në Serbi, lëvizja studentore për gjatë dy viteve ndërtoi rrjete, mekanizma përfaqësimi dhe një perspektivë politike që nuk kufizohej vetëm te largimi i një njeriu.

Mësimi serb nuk është se mjafton të protestosh gjatë për të fituar, por se organizimi, përfaqësimi dhe alternativa politike janë po aq të rëndësishme sa qëndresa.

Hungaria ofron një tjetër mësim. Çarja brenda sistemit politik që kishte mbështetur Viktor Orban krijoi hapësirën për një alternativë të re. Një figurë e dalë nga brenda establishmentit arriti të mobilizojë pakënaqësinë dhe ta kthejë atë në konkurrencë politike. (Në Tiranë, deri tani vetëm deputetja 25-vjeçare Marjana Koçeku ka dalë nga rreshti i shumicës dhe kryebashkiaku Tiranës përballet nga qelia me kryetarin e partisë).

Rrugët janë të ndryshme, por mësimi është i njëjtë: autokratët nuk bien thjesht pse ka pakënaqësi popullore. Ata humbasin pushtetin kur zemërimi gjen organizimin, përfaqësimin dhe mekanizmin që e kthen në rezultat politik.
Shqipëria ka një vështirësi shtesë për të bërë rotacion.

Zgjedhjet janë rruga kushtetuese për ndryshimin e pushtetit, janë instrument për të ulur tensionet dhe për të dalë nga kriza, por kushtet e garës nuk janë të barabarta dhe sistemi nuk favorizon partitë e reja.

Përdorimi i burimeve shtetërore, avantazhet e pushtetit, ndikimi mbi administratën, ndikimi i krimit të organizuar dhe problemet e dokumentuara dhe të përsëritura të procesit zgjedhor e bëjnë konkurrencën më të vështirë.
Kjo nuk është arsye për të hequr dorë nga zgjedhjet, sepse asgjë nuk arrihet pa zgjedhje, por është një arsye më shumë për ta bërë betejën për zgjedhje të ndershme pjesë të pandashme të betejës për ndryshimin politik.

Harta politike dhe pesë kërkesat

Në protestë janë përfshirë apo janë afruar forca me histori, ambicie dhe interesa të ndryshme: Lëvizja Bashkë, Mundësia, Shqipëria Bëhet, Atdheu, aktivistë të pavarur, studentë dhe qytetarë që nuk identifikohen me asnjë parti.
Afërmendsh që nuk kanë të gjithë të njëjtën ide për të ardhmen dhe të njëjtin mendim se si bëhet me mirë.

Disa duan të zëvendësojnë Partinë Socialiste si forcë e majtë, disa synojnë të zënë hapësirën e Partisë Demokratike, disa kërkojnë të ndërtojnë një alternativë ndaj të dyjave. Plot të tjerë nuk duan të përfshihen fare në politikën partiake.

Kjo larmi ka qenë forca e protestës, pasi ka bashkuar njerëz që në kushte normale nuk do të qëndronin në të njëjtin shesh, por kjo larmi mund të kthehet në dobësi në momentin kur duhet marrë një vendim politik.

Një gjë duhet pranuar: PD nuk zhduket nga harta sepse protesta ka krijuar një qendër të re opozitare. Ajo ka strukturat, elektoratin dhe përfaqësimin e saj. Po kështu, PS nuk zhduket edhe nëse Edi Rama humbet pushtetin.
Këtu qëndron paradoksi i protestës. Në shesh brohoritet “Rama në burg, Berisha në burg!”, ndërsa në terrenin elektoral PS dhe PD mbeten dy forca politike që nuk mund të injorohen.

Refuzimi i dy liderëve nuk përkthehet automatikisht në refuzimin elektoral të dy partive.
Nëse ndokush mendon apo ëndërron se këto dy forca do të shuhen vetvetiu, ngatërron dëshirën me realitetin.
Sheshi mund të ndryshojë raportin e forcave, por nuk mund të sillet sikur forcat ekzistuese nuk janë aty.

Protesta ka paraqitur pesë kërkesa që deri tani janë anashkaluar nga qeveria. Sheshi nuk ka paraqitur një platformë qeverisëse, sepse nuk është parti politike dhe nuk ka detyrimin të paraqesë program për taksat, pensionet, arsimin, shëndetësinë apo politikën e jashtme.

Për gjashtë muaj, protesta ka pasur përballë një njeri dhe një sistem pushteti të përqendruar rreth tij. Objektivi ka qenë largimi i Kryeministrit.

Mirëpo, në momentin kur lëvizja kërkon të shndërrohet në alternativë politike, duhet të shpjegojë çfarë do të ndryshojë, kush do ta bëjë ndryshimin dhe si do të garantohet që pushteti i ardhshëm të mos riprodhojë të njëjtat mekanizma.

Deri tani protesta ka ndryshuar sjelljen e të gjithë aktorëve, edhe të atyre që nuk e pranojnë.

Qeveria nuk mund ta trajtojë pakënaqësinë si një episod kalimtar. Opozita tradicionale nuk mund të pretendojë se është përfaqësuesja e vetme e zemërimit qytetar. Partitë e reja nuk mund të sillen sikur gara zhvillohet vetëm për rritjen e përqindjeve të tyre.

Edhe vetë protesta ka ndryshuar. Ajo nuk është më vetëm reagim ndaj një keqqeverisjeje, por është bërë bartëse e një pritshmërie politike.

Pesë rrugët përpara

Pas gjashtë muajsh jetë dhe gjashtë muaj para zgjedhjeve lokale, lëvizja përballet me disa zgjedhje reale.
A. Vazhdimi i protestës pa ndryshuar strategji
Kjo rrugë ruan presionin, identitetin dhe autonominë e sheshit. Qëndresa mund të vazhdojë ta konsumojë edhe më shumë politikisht qeverinë, sidomos nëse ajo përgjigjet me represion dhe vijon duke mos konsideruar asnjë kërkesë të protestës. Rreziku, në këtë rast, është lodhja, përsëritja dhe humbja graduale e efektit politik. Një protestë mund të zgjasë edhe me vite pa u shndërruar domosdoshmërisht në ndryshim pushteti.

B. Shndërrimi i protestës në një forcë të re politike
Kjo do të thotë organizim, kandidatë, program dhe përgjegjësi publike.
Avantazhi është krijimi i një alternative që nuk varet nga partitë ekzistuese. Rreziku është përçarja e sheshit, pasi jo të gjithë protestuesit duan të bëhen pjesë e një partie.
Një lëvizjeje që ka bashkuar mijëra njerëz kundër një qeverie nuk i lejohet të ëndërrojë që të gjithë këta njerëz do të votojnë automatikisht për të.

C. Secili për vete
Secila parti ruan identitetin, drejtuesit dhe ambiciet e saj. Avantazhi është autonomia e plotë e secilës forcë. Kjo është rruga më e lehtë për drejtuesit dhe ndoshta më e kushtueshmja për objektivin e përbashkët, sepse vota kundër qeverisë thërrmohet.

D. Një front i përbashkët elektoral dhe politik
Kjo është rruga më e vështirë për t’u negociuar, por potencialisht më efektivja.
Një front që bashkon energjinë e protestës, partitë e reja, aktorët e pavarur dhe forcat opozitare të gatshme për një marrëveshje mbi rregullat e garës, pa i kërkuar askujt që të heqë dorë nga identiteti i vet.
Bashkimi nuk duhet kuptuar si nënshtrim ndaj një partie apo një lideri, por duhet të mbështetet në një marrëveshje të qartë për objektivat, kandidatët, vendimmarrjen dhe kontrollin e pushtetit të ardhshëm.

E. Bojkoti i zgjedhjeve
Kjo mund të ruajë pastërtinë morale të lëvizjes dhe të shmangë kompromiset me partitë. Çmimi politik mund të jetë i lartë. Nëse protesta nuk hyn në garë, nuk ndërton një alternativë dhe nuk krijon një mekanizëm tjetër efektiv presioni, rrezikon të mos dëmtojë as qeverinë, as opozitën tradicionale.
Ajo mund të ketë zënë për gjashtë muaj vendin e opozitës në shesh, për t’ia lënë sërish vendin opozitës në kutinë e votimit.

Tirana, prova e parë

Beteja për Tiranën mund të jetë testi më i rëndësishëm politik për të ardhmen e protestës jo vetëm për shkak të peshës së kryeqytetit, por sepse këtu mund të dëshmohet nëse energjia e sheshit përkthehet në vota, organizim dhe përfaqësim.

A do të ketë një kandidat të dalë nga protesta? A do të mbështesin partitë e reja një kandidat të përbashkët? A do të jetë e mundur një marrëveshje më e gjerë me opozitën tradicionale? Apo secila forcë do të garojë veçmas, duke e shndërruar betejën kundër qeverisë në një garë mes opozitarëve?

Në Tiranë do të shihet edhe dallimi mes popullaritetit në rrjetet sociale dhe mbështetjes reale elektorale. Një video me një milion shikime nuk është një milion vota, një politikan që “mbush” ekranin nuk mbush domosdoshmërisht kutitë e votimit, një shesh i mbushur nuk është automatikisht një shumicë elektorale.

Llogaritë e vjetra me 500 mijë apo 800 mijë vota nuk mund të përdoren mekanikisht sepse tashmë gjithçka ka ndryshuar. Elektorati ka ndryshuar, pjesëmarrja ndryshon, diaspora mund të jetë më aktive dhe ka një kategori qytetarësh që nuk duan as qeverinë aktuale, as kthimin te alternativa e PD.

Kjo kategori mund të jetë vendimtare, por vetëm nëse gjen një arsye për të votuar dhe një alternativë që i beson.
Tirana mund të jetë vendi ku protesta provon nëse është vetëm një forcë kundërshtimi apo edhe një forcë ndryshimi.

Nuk mjafton 49.99%

Në politikë nuk mjafton të kesh të drejtën në anën tënde, nuk mjafton as të kesh mbështetje të gjerë.
Në një garë për një post që vendoset me shumicë të thjeshtë, mund të marrësh 49.99% të votave dhe të humbasësh gjithçka. Protesta është kimi, por kutia e votimit është aritmetikë.

Në planin më afatgjatë, llogaritë nuk duhen bërë mbi supozimin se ai do të ikë apo se Partia Socialiste do të “çahet”.
Llogaritë duhen bërë duke supozuar se Ai nuk ikën, se PS mbetet e organizuar, se administrata dhe mekanizmat e pushtetit vazhdojnë të funksionojnë dhe se gara do të zhvillohet në kushte të vështira.
Në këto rrethana, bashkimi nuk është një çështje dashurie, por llogarie.
Megjithatë, bashkimi mekanik i logove dhe i kryetarëve nuk mjafton.

Formula më e mirë nuk është bashkimi i kryetarëve, por bashkimi dhe përfaqësimi i zemërimit qytetar. Kjo kërkon një formulë të pranuar për përzgjedhjen e kandidatëve, përfshirjen e përfaqësuesve të protestës, transparencë mbi marrëveshjet dhe një platformë minimale për shtetin e së drejtës, zgjedhjet, institucionet dhe kufizimin e pushtetit personal.

Ka një kontradiktë që nuk mund të anashkalohet. Protesta kërkon ndryshim përmes një sistemi zgjedhor që e konsideron të padrejtë. Ndërkohë, ndryshimet e Kodit Zgjedhor kalojnë përmes Parlamentit, ku vendimmarrjen e kanë partitë që protesta kundërshton.

Kjo do të thotë se beteja elektorale nis shumë kohë përpara ditës së votimit dhe dita e votimit është shumë afër. Pas 5 muajsh jemi në fushatë elektorale për zgjedhjet lokale.

Një front i përbashkët duhet të ketë si objektiv jo vetëm fitimin e zgjedhjeve, por edhe garantimin e kushteve të garës: administrimin e procesit, kufizimin e përdorimit të burimeve shtetërore, transparencën e financimit, aksesin e barabartë në media dhe mekanizmat efektivë kundër presionit mbi votuesit.
Një lëvizje që nuk përgatitet për zgjedhje rrezikon t’ua lërë të tjerëve vendimin për të ardhmen e saj.

Rreziku nga brenda

Në këtë fazë, rreziku më i madh për protestën mund të mos jetë vetëm qeveria, por edhe ambicia e aktorëve që duan ta përfaqësojnë. Partitë e vogla duan të rriten, partitë e reja duan të provojnë forcën, partitë tradicionale duan të ruajnë pozicionet, drejtuesit duan të jenë në krye dhe nga “ushtria” e sheshit mund të dalin më shumë gjeneralë se ushtarë.

Të gjitha këto janë ambicie legjitime në një demokraci, por kur llogaritë individuale bëhen më të rëndësishme se objektivi i përbashkët, fitoren mund ta shohësh vetëm me ndihmën e dylbive. Nëse secili kërkon të fitojë pak më shumë për vete, të gjithë mund ta humbasin mundësinë për të ndryshuar qeverisjen.

Kompromisi nuk është tradhti, nëse bëhet mbi parime dhe me transparencë. Tradhti ndaj pritshmërisë së krijuar do të ishte përdorimi i sakrificës së protestuesve vetëm për të rritur kapitalin elektoral të një kryetari apo të një partie.
Sheshi nuk mund të shndërrohet në pronë politike të askujt, ai ka nevojë për përfaqësim, jo për pronarë.

Quo vadis, revolucion?

Pas 165 ditësh, protesta ka dëshmuar se zemërimi është real, qëndresa është e mundur dhe frika nuk mund të rritet përmes represionit. Po ashtu, protesta ka dëshmuar se nuk ka të paprekshëm dhe se opozita tradicionale nuk është e vetmja që mund të mobilizojë qytetarët.

Megjithatë, rrëzimi i një qeverie dhe ndërtimi i një sistemi më të mirë janë dy gjëra të ndryshme. Kryeministri mund të largohet nga pushteti përmes zgjedhjeve, mund të largohet edhe përmes një dorëheqjeje. Në të dy rastet, legjitimiteti i pushtetit të ardhshëm do të duhet të kalojë përmes institucioneve dhe kutisë së votimit. Protesta duhet të përgatitet për skenarin më të vështirë, jo për atë më të dëshiruarin: Rama nuk dorëhiqet, Berisha mbetet në krye të PD, PS vazhdon të jetë forca më e organizuar dhe zgjedhjet zhvillohen në një terren të pabarabartë.

Pikërisht në këtë skenar matet serioziteti i alternativës. Pas gjashtë muajsh, pyetja nuk është më vetëm si të largohet Rama. Pyetja është si të ndërtohet një shumicë që mund ta mundë Ramën, pa e zëvendësuar me një tjetër njeri që kërkon të njëjtin pushtet.

Njerëzit nuk kanë dalë në shesh vetëm për të ndryshuar emrin e kryeministrit. Ata kërkojnë një shtet ku ligji të jetë më i fortë se lideri, ku institucionet të mos jenë zgjatime të partisë dhe ku qytetari të mos përçmohet.

Kjo është arsyeja pse protesta duhet të vendosë nëse do të mbetet një kapitull i rëndësishëm i historisë së kundërshtimit apo do të bëhet fillimi i një ndryshimi politik. “Rama jepe dorëheqjen”, mund të bashkojë mijëra njerëz në shesh. Pyetja është çfarë mund t’i bashkojë këta njerëz në kutinë e votimit.

Në fund, “revolucioni” nuk matet me numrin e ditëve që njerëzit qëndrojnë në shesh, as me numrin e policëve që përballen me ta, por me atë që mbetet pasi sheshi zbrazet.

Revolucioni nuk fiton kur largohet një njeri, por kur ndërtohet një sistem ku largimi i një njeriu nuk ka nevojë për protesta që zgjasin me muaj.

Burimi: gazetashqiptare.al

Të fundit Të gjitha