Një moment i pazakontë u regjistrua në Varrezat Kombëtare të Arlingtonit në Shtetet e Bashkuara. Sekretari i Mbrojtjes, Pete Hegseth, dhe një grup zyrtarësh të Pentagonit u qortuan publikisht nga një ushtar amerikan, pasi thyen atmosferën e heshtjes dhe solemnitetit pranë Varrit të Ushtarit të Panjohur.
Incidenti pas ceremonisë
Ngjarja ndodhi pas ceremonisë së organizuar me rastin e Ditës së Veteranëve, ku morën pjesë presidenti Donald Trump dhe zëvendëspresidenti JD Vance.
Hegseth, i shoqëruar nga bashkëshortja dhe disa prej këshilltarëve të tij më të afërt, po realizonte fotografi përpara memorialit. Pasi përfunduan fotografitë, disa anëtarë të grupit filluan të qeshnin dhe të bisedonin, duke ndërprerë heshtjen që duhet të ruhet në këtë vend.
Ushtari që patrullonte pranë varrit u ndal dhe iu drejtua grupit me një paralajmërim të qartë: “Të gjithë vizitorët duhet të ruajnë në çdo kohë një atmosferë heshtjeje dhe respekti”.
Pas incidentit, zëdhënësi i Pentagonit, Sean Parnell, deklaroi se ushtari kishte vepruar drejt dhe me respekt, duke u kujtuar të gjithëve detyrimin për të ruajtur solemnitetin e vendit.
Varri i Ushtarit të Panjohur
Varri i Ushtarit të Panjohur është një nga memorialet më të rëndësishme në Shtetet e Bashkuara. Që nga viti 1948, ai ruhet 24 orë në ditë nga ushtarë të regjimentit elitar “The Old Guard”, pavarësisht kushteve atmosferike.
Konteksti politik
Incidenti vjen në një moment të vështirë politik për Pete Hegseth, i cili përballet me akuza të ngritura nga kongresmeni republikan Thomas Massie, që kërkon shkarkimin e tij përmes procedurës së impeachment. Republikanët e kanë bllokuar vazhdimin e procesit në një votim procedural.
Vetë Trump ishte kritikuar më parë për sjelljen në Varrezat e Arlingtonit, pasi në vitin 2024 kishte realizuar një video elektorale në këtë kompleks memorial.
Ngjarja e fundit ka rikthyer vëmendjen te protokolli dhe respekti që kërkohet në një nga vendet më simbolike të kujtesës ushtarake amerikane.
Burimi: abcnews.al










