Kalo te përmbajtja

Lajme të shpejta, të verifikuara dhe të paanshme

Lajm i fundit
Politikë

Rama: Është herët për entuziazëm, Serbia ende mban hijen e së kaluarës

Rama: Është herët për entuziazëm, Serbia ende mban hijen e së kaluarës
Foto: lajmifundit.al

Rama: “Ekipi më kërkoi të zgjohesha në 6 të mëngjesit për të lënë Parisin dhe të mbërrij këtu për këtë bisedë. Mendoj ta bëjmë më pyetje dhe përgjigje, sepse mund të flas shumë gjatë. Jemi në një moment shumë përcaktues, sepse shohim jo vetëm horizontin, por edhe një derë të hapur si një mundësi reale për t’u bërë pjesë e familjes evropiane. Është moment kulminant, që nuk ka ekzistuar deri pak më parë. Gjërat që dukeshin të pamundura, duket se janë të mundura. Do ta kapim këtë moment dhe do të mund të kapërcejmë më në fund kufirin që na ka ndarë nga Evropa prej shumë kohësh. Kjo është situata siç e shoh, në një moment kulmor, që nga ana jonë kërkon maksimumin për të përmbushur pritshmëritë e palës tjetër. Evropa ka një proces të ndërlikuar vendimmarrjeje, kërkohen 27 vota. Aty ka një vend si Franca, që kërkon 2/3-at e votave të parlamentit. Sot për sot jemi në rrugë të mbarë dhe çdo gjë po shkon sipas rregullave. Jemi dakord edhe me KE për këtë”.

Negociatat dhe integrimi gradual

Pyetje: Mendoni se 2027-ta është objektiv realist për mbylljen e negociatave dhe çfarë mendimi keni për integrimin gradual?

Rama: “Komisioni është i së njëjtës mendje, se fundi i 2027-ës është ambicioz, por i arritshëm. Integrimi gradual është diçka për të cilën unë vetë kam luftuar për kohë të gjatë para se një gjë e tillë të merrte formë. Jo vetëm unë, por edhe me kolegë të tjerë, për t’i dhënë kuptim procesit të bazuar në meritë. Hendeku mes kandidatëve dhe anëtarëve, sa i takon financave, ekonomisë dhe elementeve të tjera, bëhet gjithnjë e më i madh. Pranimi në mënyrë graduale është qasja e duhur. Plani i rritjes është pjesë e kësaj qasjeje”.

Serbia dhe Ballkani

Pyetje: Si i shihni zgjedhjet në Serbi? Më parë ato konsideroheshin si bllokues të integrimit të Ballkanit. A ka mundësi të reja pas kësaj?

Rama: “Nuk është sekret se KE ka pasur probleme me qeverinë e mëparshme në Serbi, çështje të shtetit të së drejtës dhe kërkesa të tjera thelbësore. Por nga ana tjetër, është shumë herët për të thënë diçka me saktësi për atë që vjen më pas. Serbia po kalon një eksperiment social me të ashtuquajturën Listë Studentore. Është diçka mjaft e re në shumë drejtime, por sa i takon ne shqiptarëve, duket se nuk ka ndonjë hapje për normalizimin me Kosovën, hapje për sanksionet me Rusinë apo ato që janë konsideruar si mbyllje me qeverinë e kaluar. Është ende herët. Nëse nuk ka normalizim me Kosovën, fantazma e së kaluarës do të vazhdojë ta ndjekë Beogradin”.

Migrimi dhe zhvillimi i Shqipërisë

Pyetje: Kush e ka vizituar Shqipërinë sheh ndryshime materiale. Ka rritje të PBB-së, por edhe shumë shqiptarë që largohen. Pavarësisht se keni qenë shumë të suksesshëm, shumë shqiptarë u larguan…

Rama: “Migrimi një herë e një kohë ishte e vetmja zgjidhje që shihnin qytetarët shqiptarë, ishte mënyra më e mirë për të ardhmen, ashtu si për irlandezët në rastin tuaj. Kjo nisi të ndryshojë kur Irlanda nisi t’i japë një zgjedhje mes largimit dhe qëndrimit, dhe ky moment do të vijë edhe për ne. Është një botë e re që të rinjve u shkon përmes ekraneve të smartfonëve me ngjyra të bukura. Është e vështirë për të rinjtë që jetojnë në malësi të vendosin mes një të ardhmeje një orë larg dhe pritjes 10 vjet. Shqiptarët kanë qenë gjithnjë njerëz që lëvizin, dhe për gjysmë shekulli nuk na lejonin të lëvizim; kjo duhet konsideruar edhe. Ka edhe njerëz që po kthehen. Do të ekuilibrohet kur Shqipëria t’u ofrojë njerëzve diçka të ngjashme me mesataren e BE-së”.

Burimi: lajmifundit.al

Të fundit Të gjitha