Inspektorati Qendror i Mbikëqyrjes së Tregut (IQMT), në bashkëpunim me Doganën e Kosovës, ka bllokuar vendosjen në treg të rreth 150 mijë lodrave për fëmijë me origjinë nga Kina, pas një aksioni të përbashkët inspektues në pikat doganore të vendit.
Lodrat nuk plotësonin kriteret e sigurisë
Sipas njoftimit zyrtar, gjatë kontrolleve u konstatua se lodrat e ndaluara nuk i plotësonin kërkesat themelore të sigurisë të përcaktuara me Rregulloren nr. 02/2017 për sigurinë e lodrave. Aksioni u realizua si pjesë e një aktiviteti të përbashkët të mbikëqyrjes së tregut në të gjitha vendet anëtare të CEFTA-s, me qëllim forcimin e kontrolleve dhe parandalimin e hyrjes në treg të produkteve që nuk i përmbushin standardet e sigurisë.
Paralajmërimi për rrezikun ndaj fëmijëve
IQMT ka paralajmëruar se lodrat që nuk janë në përputhje me kërkesat ligjore dhe standardet përkatëse mund të paraqesin rrezik serioz për sigurinë dhe shëndetin e fëmijëve. Ndërkohë, Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë, Tregtisë dhe Inovacionit ka njoftuar se, përmes IQMT-së, do të vazhdojë aktivitetet e mbikëqyrjes dhe kontrollit të produkteve që vendosen në treg, me qëllim mbrojtjen e konsumatorëve dhe garantimin e sigurisë së produkteve.
Ndalimi i këtyre produkteve vjen si pjesë e përpjekjeve institucionale për të parandaluar qarkullimin e artikujve që mund të rrezikojnë shëndetin dhe sigurinë e konsumatorëve, veçanërisht të fëmijëve.
Burimi: lajmifundit.al










