Kalo te përmbajtja

Lajme të shpejta, të verifikuara dhe të paanshme

Lajm i fundit
Kosova

Kurti: Serbia duhet të pranojë realitetin, Kosova është shtet i pavarur

Kurti: Serbia duhet të pranojë realitetin, Kosova është shtet i pavarur
Foto: shqiptarja.com

Kryeministri Albin Kurti tha se udhëheqja e re e Serbisë duhet ta njohë realitetin e shekullit XXI: Kosova është shtet i pavarur. Gjatë një bashkëbisedimi me studentët e Paris School of International Affairs (PSIA), duke folur për normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë, Kurti tha se ky proces duhet të përfshijë edhe përgjegjësinë për sulmin terrorist në Banjskë. Ai kërkoi dorëzimin e Milan Radoiçiqit, të cilin e cilësoi si arkitektin kryesor të sulmit, ku mbeti i vrarë togeri Afrim Bunjaku.

“Ky duhet të jetë gjithashtu një proces përmes të cilit qeveria e Serbisë, e cila së fundmi ka kaluar nëpër një ndryshim të udhëheqjes, të arrijë ta njohë realitetin e shekullit XXI: Kosova është shtet i pavarur, i njohur nga mbi 120 shtete”, tha Kurti.

Kundërshtimi ndaj njohjes ndërkombëtare

Serbia duhet ta braktisë fushatën kundër njohjes ndërkombëtare të Kosovës, përfshirë instrumentalizimin e kundërshtimit të Rusisë ndaj anëtarësimit të Kosovës në organizatat ndërkombëtare, shtoi Kurti.

Zgjerimi i Bashkimit Evropian

Ai u ndal edhe te qasja e Bashkimit Evropian ndaj Ballkanit Perëndimor, duke thënë se zgjerimi ka marrë urgjencë të re pas luftës së Rusisë kundër Ukrainës.

Sipas tij, kjo urgjencë nuk duhet të krijojë një Evropë ku disa vende mirëpriten, ndërsa të tjerat mbeten në një rrugë të paqartë drejt integrimit.

“Çështja e tretë, e ndërlidhur ngushtë me dialogun me Serbinë, është njohja e Kosovës nga pesë shtetet anëtare të Bashkimit Evropian dhe katër shtetet anëtare të NATO-s që ende nuk e kanë njohur atë. Besojmë se ato duhet ta kuptojnë se rrethanat në të cilat lindi vendi ynë, represioni, spastrimi etnik dhe gjenocidi që përjetoi populli ynë, nuk mund të barazohen thjesht me lëvizjet separatiste me të cilat nganjëherë bëhen paralele”, tha ai.

Kryeministri Kurti po merr pjesë në Forumin e Paqes në Paris, në margjinat e të cilit zhvilloi edhe takim dhe aktivitete të tjera. / KosovaPress

Burimi: shqiptarja.com

Të fundit Të gjitha