Kalo te përmbajtja

Lajme të shpejta, të verifikuara dhe të paanshme

Lajm i fundit
Kosova

Gonxhja: 80% më shumë financim për trashëgiminë në Shqipëri

Gonxhja: 80% më shumë financim për trashëgiminë në Shqipëri
Foto: ata.gov.al

TIRANË, 10 nëntor/ATSH/ Tirana mirëpret edicionin e 20-të të Konferencës Vjetore të Rrjetit të Ekspertëve të UNESCO-s për Trashëgiminë Kulturore Jomateriale në Evropën Juglindore, një dëshmi e bashkëpunimit të ngushtë me partnerët ndërkombëtarë për mbrojtjen dhe promovimin e trashëgimisë kulturore.

Ministri i Turizmit, Kulturës dhe Sportit, Blendi Gonxhja, në një videomesazh, tha sot se “ky takim i rëndësishëm mbledh ekspertë ndërkombëtarë dhe përfaqësues të institucioneve shqiptare, për të shkëmbyer përvoja, praktika të mira dhe për të forcuar bashkëpunimin rajonal në mbrojtje të trashëgimisë sonë kulturore”.

“Ndërkombëtarët janë këtu, UNESCO është këtu, në dialog të drejtpërdrejtë me institucionet tona, duke dëshmuar rëndësinë e sinergjisë dhe të angazhimit të përbashkët për trashëgiminë kulturore në përgjithësi. Dhe kjo ndodh ndërsa disa vazhdojnë të pretendojnë se trashëgimia në Shqipëri po shkatërrohet”, tha Gonxhja.

Financimi dhe projektet e trashëgimisë

Ministri Gonxhja bëri të ditur se rritja e financimit për trashëgiminë kulturore në vitin 2027 do të mbështesë projekte të rijetësimit, mbrojtjes dhe promovimit të traditës, hapësira të reja muzeore, si dhe investime në sitet arkeologjike.

“Faktet tregojnë një tjetër realitet, një tjetër angazhim. Financimi për trashëgiminë kulturore rritet me 80% më shumë në vitin 2027, duke mbështetur projekte rijetësimi e shpëtimi, mbrojtjeje dhe promovimi të traditës. Hapësira të reja muzeore dhe vëmendje të shtuar tek identiteti, historia, artizanati, dijebërja për brezat që vijnë. Projekte menaxhimi e kujdesi në sitet arkeologjike, krahas forcimit të kapaciteteve restauruese dhe personelit me punonjës të rinj. Reforma ligjore e instrumenta të tjera për mbështetjen dhe nxitjen e turizmit kulturor si edhe përfshirjen sa më direkte të komunitetit”, tha Gonxhja.

Bylisi dhe Butrinti

Ndërkohë, shtoi Gonxhja, për ata që nxituan të shpallnin se miliona euro për Bylisin ishin bërë “rrush e kumbulla”, përgjigjja gjendet përsëri në terren.

“Projekti i mbështetur nga Bashkimi Evropian dhe AICS është në zbatim dhe puna në kantier vijon suksesshëm. Paralelisht, në Butrint, ekspertë të tjerë ndërkombëtarë të trashëgimisë nga UNESCO vijojnë angazhimin për të verifikuar nga afër gjendjen e monumenteve dhe ecurinë e ndërhyrjeve konservuese, krahas planeve dhe projekteve të reja. Dhe ndërkombëtarët nuk janë spektatorë. Janë këtu, në Tiranë dhe në terren, në bashkëpunim me ekspertët shqiptarë, ndërsa Shqipëria është sot më lart se kurrë në reputacion, në rezultate e në raporte”, tha Gonxhja.

Ministri Gonxhja u shpreh se “kritikat ne i mirëpresim, por akuzat nuk mund të zëvendësojnë aspak faktet. Sepse trashëgimia sidomos nuk mbrohet me tituj alarmantë, por me investime, ekspertizë dhe punë konkrete. Asnjë zë depresiv apo tellall i vyshkur nuk do të na kompleksojë apo të na ngadalësojë në jetësimin e vizionit tonë”.

Gonxhja: 80% më shumë financim për trashëgiminë në Shqipëri

1 nga 2


/k.s/r.e/a.f/

Burimi: ata.gov.al

Të fundit Të gjitha