Kalo te përmbajtja

Lajme të shpejta, të verifikuara dhe të paanshme

Lajm i fundit
Ekonomi

Ilir Pilku: Bujqësia drejtohet nga jospecialistë, ekspertët lihen jashtë

Ilir Pilku: Bujqësia drejtohet nga jospecialistë, ekspertët lihen jashtë
Foto: balkanweb.com

Në emisionin “Alert” në News24, eksperti i bujqësisë Ilir Pilku analizoi gjetjet e raportit të Komisionit Evropian për Shqipërinë, duke theksuar problemet që pengojnë përafrimin e sektorit bujqësor me standardet e Bashkimit Evropian.

Sipas tij, ndërsa Kapitulli 11, që lidhet me bujqësinë dhe zhvillimin rural, paraqet disa përmirësime, Kapitulli 12, që trajton sigurinë ushqimore, veterinarinë dhe politikat fitosanitare, mbetet shqetësues.

Mungesa e kapaciteteve në institucione

Pilku theksoi se një nga problemet kryesore të bujqësisë shqiptare është mungesa e kapaciteteve profesionale në institucionet përgjegjëse. Ai vlerësoi se përmirësimet në kontabilitetin e fermave dhe politikat e përbashkëta të tregjeve bujqësore janë hapa pozitivë, por nuk mjaftojnë pa një administratë të specializuar.

Një tjetër pikë kritike është programi IPARD III. Eksperti e lidh vlerësimin negativ të Komisionit Evropian për këtë program me problematikat e korrupsionit dhe mënyrën e administrimit të fondeve nga Agjencia për Zhvillim Bujqësor dhe Rural (AZHBR). Sipas tij, deklaratat për dorëzimin e dy dosjeve nga qeveria, në janar dhe qershor, nuk nënkuptojnë se fondet do të zhbllokohen së shpejti. Procesi kërkon kohë dhe, mbi të gjitha, reforma konkrete në institucionet përgjegjëse. “Pa marrë disa masa, pa parë një ndryshim, riformatimin e Agjencisë është e pamundur të marrësh letrën e besimit të BE-së për fondet e taksapaguesve evropianë”, u shpreh Pilku.

Siguria ushqimore dhe kontrolli i cilësisë

Më problematik, sipas ekspertit, është Kapitulli 12, ku raporti i Komisionit Evropian evidenton mangësi në kontrollin ushqimor, funksionimin e inspektorateve dhe kapacitetet laboratorike. “Për Kapitullin 12, nga fillimi në fund flitet me notë jo pozitive. Flitet për bashkimin e AKU-së me AKVMB-në, por kemi një inspektorat që nuk përshtatet. Laboratorët janë problematikë”, deklaroi eksperti.

Një nga shqetësimet kryesore lidhet me sigurinë e qumështit që tregtohet pa kontroll. Pilku nënvizoi se vetëm një pjesë e sasisë së prodhuar kalon në industrinë përpunuese, ndërsa pjesa tjetër tregtohet direkt në treg, duke ngritur pikëpyetje për kontrollin e cilësisë dhe sigurinë e produktit që arrin te konsumatori. “Nëse nga fabrika ke përmirësim të cilësisë së qumështit, po qumështi që kalon direkt në treg?”, u shpreh ai.

Mbrojtja e bimëve dhe farërat

Raporti i Komisionit Evropian evidenton gjithashtu problematika në mbrojtjen e bimëve, përdorimin e pesticideve dhe transparencën e sistemit. Pilku vuri theksin te nevoja për përmirësimin e certifikimit të farërave dhe riformatimin e Entit Shtetëror të Farërave dhe Fidanëve, në mënyrë që funksionimi i tij të jetë në përputhje me legjislacionin evropian. Një tjetër çështje e evidentuar është edhe materiali pyjor.

Sipas tij, në të gjithë raportin përsëritet nevoja për forcimin e institucioneve dhe rritjen e kapaciteteve teknike, ndërsa korrupsioni mbetet një shqetësim që pengon përparimin e reformave. Pilku vlerëson se te Kapitulli 11 mund të ketë më shumë hapësirë për progres, por në çështjet që lidhen me shëndetin dhe sigurinë ushqimore, Bashkimi Evropian nuk bën kompromis.

Emërimet dhe buxheti

Në fund, eksperti u ndal te përgjegjësia e institucioneve dhe emërimet në pozicionet drejtuese, duke kritikuar mungesën e profesionistëve në sektorin e bujqësisë. “Nuk mund të vendosen kalamaj në pozicione të rëndësishme, ndërkohë që kemi ekspertë me eksperiencë. Nuk mundet juristi të zhvillojë politika bujqësore”, deklaroi Ilir Pilku. Ai nënvizoi se duhet një ministri e bujqësisë me buxhet të mirë, pasi indikatorët e matshëm arrihen vetëm me buxhete.

Burimi: www.balkanweb.com

Të fundit Të gjitha