Kalo te përmbajtja

Lajme të shpejta, të verifikuara dhe të paanshme

Lajm i fundit
Të ndryshme

Trupi i 24-vjeçares u gjet në një valixhe në Athinë; hetimet po zbulojnë detaje të reja

Trupi i 24-vjeçares u gjet në një valixhe në Athinë; hetimet po zbulojnë detaje të reja
Foto: lajmifundit.al

Detaje të reja janë zbardhur nga hetimet për vdekjen e 24-vjeçares nga Burkina Faso, trupi i së cilës u gjet i fshehur brenda një valixheje në zonën e Agios Panteleimonas, në Athinë, pasditen e së dielës, më 8 nëntor.

E reja kishte punuar si pastruese në ishullin e Folegandros gjatë sezonit turistik, përpara se të mbërrinte në kryeqytetin grek më 28 tetor.

Lëvizjet e fundit të së resë

Sipas informacioneve të bëra publike nga hetimi policor, ditën e mbërritjes në Athinë, 24-vjeçarja u takua me një të njohur nga Kameruni. Gjatë bisedës, ajo i kishte thënë se do të shkonte në qendër të qytetit për të pirë një kafe. Por që prej 29 tetorit, gjurmët e saj u humbën. I njohuri nga Kameruni ishte personi që denoncoi zhdukjen e saj më 4 nëntor, në komisariatin e Kypselit, pasi nuk kishte marrë më asnjë lajm prej saj.

Megjithatë, sipas autoriteteve, hetimet kanë përjashtuar deri tani përfshirjen e tij në ngjarje. Një tjetër element që po shqyrtohet nga policia është fakti se në valixhen ku u gjet trupi nuk ndodhej telefoni celular i 24-vjeçares dhe as sende të tjera personale.

Zona e kërkimeve

Oficerët e Departamentit të Vrasjeve të Policisë Helenike po përqendrojnë hetimet në një zonë të kufizuar përreth kryqëzimit të rrugëve Alkamenous dhe Charissis, në Agios Panteleimonas. Dyshimet janë se autori mund të ketë lidhje me zonën ose të jetë i njohur me të.

Gjetja e trupit dhe identifikimi

Valixhja u zbulua nga një kalimtar, i cili pasi ndjeu një erë të fortë, njoftoi policinë. Pas mbërritjes në vendngjarje dhe kontrollit të saj, efektivët zbuluan trupin e pajetë të gruas së re.

Identifikimi u bë përmes gjurmëve të gishtërinjve, pasi të dhënat e saj ndodheshin në bazën e të dhënave të policisë greke. Sipas informacioneve, ajo ishte identifikuar më parë nga autoritetet për shkelje të legjislacionit për të huajt, konkretisht për hyrje të paligjshme në Greqi.

Vdekja dhe gjendja e trupit

Nga ekzaminimet e para mjeko-ligjore dyshohet se 24-vjeçarja kishte ndërruar jetë rreth shtatë ditë përpara se të gjendej. Shkaku i vdekjes mbetet ende i paqartë.

Trupi nuk kishte dëmtime të dukshme, ndërsa këmbët e saj u gjetën të lidhura. Hetuesit po përpiqen të rindërtojnë lëvizjet e fundit të së resë, nga mbërritja në Athinë më 28 tetor deri në momentin e vdekjes.

Qëllimi është të zbulohet se me kë ka komunikuar, kush mund të ketë qenë personi i fundit që e ka takuar dhe kush e transportoi dhe braktisi valixhen në zonën e Agios Panteleimonas.

Burimi: lajmifundit.al

Të fundit Të gjitha