Kalo te përmbajtja

Lajme të shpejta, të verifikuara dhe të paanshme

Lajm i fundit
Aktualitet

Cikloni drejt Mesdheut sjell reshje intensive dhe rrezik përmbytjesh në Shqipëri

Cikloni drejt Mesdheut sjell reshje intensive dhe rrezik përmbytjesh në Shqipëri
Foto: reporteri.al

Stuhia e fuqishme ciklonare që goditi Spanjën dhe shkaktoi reshje intensive dhe përmbytje në Gadishullin Iberik po zhvendoset drejt Mesdheut dhe Evropës, duke ndikuar edhe në kushtet atmosferike në Shqipëri.

Në një lidhje për emisionin “Dita Jonë” në A2 CNN, meteorologia Tanja Porja shpjegoi se Shqipëria ndodhet në periferi të kësaj qendre ciklonare, gjë që sjell depërtimin e masave ajrore të ngrohta dhe reshje të herëpashershme.

Temperaturat e pazakonta për nëntorin

Sipas saj, temperaturat do të vazhdojnë të jenë jashtëzakonisht të larta për muajin nëntor, duke arritur deri në 27–28 gradë Celsius gjatë dy ditëve në vijim. Këto vlera janë më tipike për fundin e pranverës sesa për këtë periudhë të vjeshtës.

Porja paralajmëroi gjithashtu për reshje intensive në intervale të shkurtra, të cilat mund të shkaktojnë përmbytje të përkohshme, veçanërisht në zonat urbane.

Si do të jetë moti në ditët në vijim

Sipas parashikimit të meteorologes, reshjet do të nisin fillimisht në veri të vendit dhe, pas orës 22:00, do të shtrihen drejt zonave qendrore.

Gjatë natës priten rrebeshe afatshkurtra, kryesisht në veri, veriperëndim dhe në skajin jugor të vendit. Kjo situatë do të vazhdojë deri të nesërmen në mesditë.

Reshjet pritet të intensifikohen sërish të premten në mbrëmje dhe gjatë natës, ndërsa dita e shtunë parashikohet të jetë më e ngarkuar me reshje.

Ndryshimi i motit pritet të ndihet të dielën, kur reshjet do të ndërpriten dhe temperaturat do të pësojnë një rënie të ndjeshme, me rreth 7 gradë Celsius brenda 24 orëve.

Megjithatë, ky freskim do të jetë i përkohshëm, pasi më pas pritet rikthimi i temperaturave të larta dhe episodeve me reshje intensive.

Ndërkohë, situata paraqitet më problematike në Itali, ku janë dhënë paralajmërime edhe për rrezik përmbytjesh.

Burimi: insajderi.org

Të fundit Të gjitha