Është identifikuar shqiptari që u vra me armë zjarri mesditën e së martës në Orihuela Costa, në provincën e Alicante-s në Spanjë. Viktima është Luka Beqiraj, 39 vjeç, me origjinë nga Vlora, i cili u ekzekutua teksa ndodhej në tarracën e një lokali.
Ngjarja e rëndë ndodhi në një zonë të frekuentuar, ku 39-vjeçari u qëllua me armë zjarri nga persona ende të paidentifikuar. Pavarësisht ndërhyrjes së shërbimeve të emergjencës, shqiptari nuk mundi t’u mbijetonte plagëve të marra dhe ndërroi jetë në vendngjarje.
Hetimet e autoriteteve spanjolle
Pas krimit, autoritetet spanjolle kanë nisur hetimet për identifikimin dhe kapjen e autorëve, si dhe për zbardhjen e plotë të rrethanave të vrasjes.
Sipas mediave lokale, hetuesit e Guardia Civil po shqyrtojnë pistën e një konflikti të mundshëm kriminal dhe dyshojnë se ngjarja mund të ketë lidhje me një larje hesapesh. Megjithatë, deri më tani, motivi i krimit nuk është konfirmuar zyrtarisht nga autoritetet.
Hetuesit po përpiqen të rindërtojnë dinamikën e ngjarjes, ndërsa po shqyrtohen edhe rrethanat para atentatit për të kuptuar nëse viktima ishte ndjekur apo nëse autorët e kanë pritur në ambientet e lokalit.
Policia spanjolle vijon punën për zbardhjen e plotë të vrasjes, ndërsa mbetet për t’u përcaktuar nëse ekzekutimi i 39-vjeçarit lidhet me ndonjë konflikt të mëparshëm apo me aktivitet kriminal.
Burimi: lajmifundit.al










