Demokratët përgatiten të kundërshtojnë politikat e emigracionit të Trump
Ligjvënësit demokratë po përgatiten të kundërshtojnë masat e ashpra të presidentit Donald Trump kundër emigracionit, pasi vitin e ardhshëm do të marrin kontrollin e Kongresit. Ata synojnë të vënë nën hetim taktikat e agjencisë ICE dhe të zgjerojnë mundësitë për përfitimin e statusit të ligjshëm të qëndrimit në SHBA, ndonëse hapësira e tyre për të ndërmarrë ndryshime mbetet e kufizuar.
Demokratët fituan me lehtësi kontrollin e të dyja dhomave të Kongresit javën e kaluar, të ndihmuar pjesërisht nga pakënaqësia e votuesve ndaj fushatës agresive të arrestimeve dhe deportimeve të ndërmarrë nga Trump. Megjithatë, ligjvënësit e të dyja partive presin që Stephen Miller, arkitekti i kësaj fushate dhe shefi i ri i stafit të Trump, të vazhdojë të nxisë politikat e ashpra të emigracionit.
Stafet e Dhomës së Përfaqësuesve dhe Senatit i thanë Reuters se presin që presidenti të vendosë veton ndaj çdo projektligji që synon të kufizojë zbatimin e ligjit për emigracionin ose të zgjerojë mundësitë për qëndrim të ligjshëm dhe marrjen e shtetësisë amerikane.
Masat e Trump kundër emigracionit janë kthyer në një dobësi politike për presidentin. Sipas sondazheve të Reuters/Ipsos, mbështetja për politikat e tij në këtë çështje ka rënë në 38%, nga 50% që ishte në fillim të presidencës. Ndërkohë, votuesit latino-amerikanë janë rikthyer ndjeshëm në mbështetje të demokratëve gjatë zgjedhjeve të mesmandatit, pasi në vitin 2024 kishin anuar nga republikanët.
Në një intervistë të premten për emisionin “60 Minutes” të CBS, Trump pranoi se strategjia e tij e deportimeve mund të ketë qenë “shumë e ashpër”. Por, i pyetur për këtë çështje nga gazetarët të hënën, ai deklaroi: “Politika ime nuk ka ndryshuar”.
Hetimet dhe kërkesat për transparencë
Demokratët do të kenë më shumë mundësi për të ushtruar mbikëqyrje dhe kontroll parlamentar. Sipas stafit të tyre, ata kanë hartuar tashmë një listë me çështje që synojnë të hetojnë në Departamentin e Sigurisë Kombëtare (DHS), institucioni që mbikëqyr Agjencinë e Imigracionit dhe Zbatimit të Doganave (ICE).
Në fokus të hetimeve pritet të jenë kushtet në qendrat e paraburgimit, rastet e përdorimit të forcës vdekjeprurëse nga agjentët federalë, si dhe deportimi i emigrantëve venezuelianë në vitin 2025 drejt një burgu të sigurisë së lartë në El Salvador.
“Ne do të hetojmë administratën për përdorimin e DHS-së si një instrument kundër amerikanëve, si dhe për politikat e saj të pakontrolluara të emigracionit”, deklaroi për Reuters Bennie Thompson, demokrat nga Misisipi, i cili pritet të marrë drejtimin e Komitetit të Sigurisë Kombëtare në Dhomën e Përfaqësuesve.
Partia planifikon gjithashtu të kërkojë më shumë transparencë lidhur me mënyrën se si DHS po përdor mbi 100 miliardë dollarët që i janë akorduar nga Kongresi që prej vitit të kaluar. Këtë e bënë të ditur anëtarë të stafit demokrat, të cilët folën në kushte anonimiteti.
Gjatë një konference për shtyp të mërkurën në Kapitolin e SHBA-së, ku morën pjesë anëtarë të Dhomës së Përfaqësuesve dhe përfaqësues të sapozgjedhur nga shtetet kufitare jugperëndimore, demokrati i moderuar nga Teksasi, Henry Cuellar, tha se kishte zhvilluar tashmë bisedime me zyrtarë të administratës Trump për përqendrimin e operacioneve të deportimit te personat me precedentë penalë.
“Ne nuk do të jemi ekstremistë”, tha Cuellar, duke iu drejtuar edhe votuesve konservatorë në të gjithë SHBA-në që vendosën të mbështesin demokratët.
I pyetur për një reagim lidhur me këtë zhvillim, zëdhënësja e Shtëpisë së Bardhë, Taylor Rogers, deklaroi për Reuters se demokratët po e keqinterpretojnë në mënyrë të thellë mesazhin e elektoratit, nëse mendojnë se amerikanët kërkojnë një agjendë emigracioni ekstremiste dhe antiamerikane.
Ndërsa Departamenti i Sigurisë Kombëtare i cilësoi si “absurde dhe të pavërteta” pretendimet se institucioni është përdorur si instrument kundër qytetarëve amerikanë.
Partia Demokratike ndodhet në “një realitet krejt të ri” sa i përket agjendës së saj për emigracionin, vlerësoi Sarah Pierce, drejtoreshë e politikave sociale në institutin kërkimor të qendrës së majtë, Third Way.
“Ata janë distancuar qartësisht nga politikat që pamë gjatë administratës Biden, por ende nuk kanë paraqitur një vizion konkret se si duhet të duket politika e emigracionit”, tha ajo.
Joe Biden, president i SHBA-së nga viti 2021 deri në vitin 2025, fillimisht hoqi disa prej politikave kufizuese të emigracionit të vendosura gjatë mandatit të parë katërvjeçar të Trump. Megjithatë, në fund të presidencës së tij, Biden ndërmori një qasje më të ashpër ndaj çështjes së kufirit.
Frenimi i ICE-së
Disa demokratë dolën nga zgjedhjet e mesmandatit të javës së kaluar me një qëndrim të vendosur për të nisur përballjen me agjencinë ICE.
“Ne do ta shkatërrojmë ICE-në”, deklaroi senatorja e zgjedhur Peggy Flanagan, gjatë festimeve për fitoren e saj në Minesota. Në këtë shtet, agjentët federalë të emigracionit qëlluan për vdekje dy qytetarë amerikanë gjatë një operacioni të zgjeruar të zbatimit të ligjit në janar.
Edhe demokratja Pramila Jayapal, përfaqësuese nga shteti i Uashingtonit dhe anëtare e lartë e nënkomitetit për emigracionin në Komitetin Gjyqësor të Dhomës së Përfaqësuesve, u zotua se do të thërrasë për të dëshmuar “secilin prej këtyre njerëzve të korruptuar që kanë rrëmbyer, arrestuar, deportuar dhe vrarë njerëz në rrugë”.
Vetë mundësia e thirrjes së zyrtarëve federalë për të dëshmuar përpara Kongresit mund të ndikojë në sjelljen e tyre, tha një anëtar i stafit demokrat të Kongresit.
Ndërkohë, në një deklaratë për Reuters, demokrati i moderuar nga New Jersey, Josh Gottheimer, vuri në dukje Aktin e Standardeve të ICE-së, një projektligj që ai e paraqiti në mars.
“Agjentët kanë nevojë për trajnim të mirëfilltë dhe kamera të vendosura në trup. Ata duhet të mbajnë identifikim të qartë, përveç rasteve kur janë të angazhuar në operacione të fshehta. Gjithashtu, duhet të koordinohen me strukturat shtetërore dhe vendore të zbatimit të ligjit”, deklaroi ai.
Republikanët kundërshtojnë këto propozime, duke argumentuar se i kanë siguruar tashmë ICE-së fondet e nevojshme për blerjen e kamerave të trupit. Ata gjithashtu u kanë rezistuar përpjekjeve të demokratëve për të vendosur kufizime të tjera mbi veprimtarinë e agjencisë.
Gjatë fushatës presidenciale të vitit 2024, Trump nuk i fshehu planet për të ashpërsuar luftën kundër emigracionit. Megjithatë, taktikat e përdorura nga agjentët federalë të maskuar dhe të armatosur, fillimisht në Minneapolis dhe më pas në pjesë të tjera të vendit, shkaktuan zemërim të gjerë publik.
Reformimi i sistemit
Jose Parra, ish-ndihmës në Senatin amerikan, i cili ka njohuri mbi diskutimet aktuale të Kongresit për emigracionin, tha se votuesit ndryshuan drejtimin e zgjedhjeve të javës së kaluar, duke krijuar potencialisht mundësi për të çuar përpara disa projektligje që deri më tani kanë mbetur të bllokuara.
Ai përmendi Aktin e Dinjitetit, një projektligj dypartiak që parashikon krijimin e një rruge drejt qëndrimit të ligjshëm për punëtorët, ndërsa njëkohësisht synon forcimin e sigurisë kufitare dhe reformimin e programeve të vizave.
Një tjetër nismë legjislative që mund të fitojë mbështetje është Akti i Ëndrrës dhe Premtimit, i cili do të krijonte një rrugë drejt marrjes së shtetësisë amerikane për emigrantët që kanë mbërritur në SHBA në moshë të mitur. Ata njihen si “Dreamers” (Ëndërrimtarët).
Sipas sondazheve të Gallup, më shumë se 80% e amerikanëve mbështesin krijimin e një rruge ligjore për marrjen e shtetësisë nga kjo kategori emigrantësh. Megjithatë, një ndihmës i lartë republikan në Senat vlerësoi se miratimi i një projektligji të tillë mund të jetë i vështirë dhe se çdo përpjekje serioze për këtë çështje ka të ngjarë të shtyhet më pranë zgjedhjeve të ardhshme presidenciale.
Parra u pajtua me këtë vlerësim, duke thënë se republikanët mund të kenë interes ta zgjidhin çështjen paraprakisht, në mënyrë që ajo të mos përdoret si argument politik kundër tyre në zgjedhjet e vitit 2028.
Megjithatë, e drejta e vetos së presidentit Trump pritet të përbëjë një pengesë të vështirë për t’u kapërcyer, si për miratimin e një reforme gjithëpërfshirëse të emigracionit, ashtu edhe për rikuperimin e dhjetëra miliardë dollarëve që i janë akorduar tashmë ICE-së.
“Kongresi i ka transferuar kaq shumë nga autoriteti dhe fuqia e tij degës ekzekutive”, tha Claire Trickler-McNulty, ish-zyrtare e lartë e ICE-së. “Ka kufizime reale për atë që mund të bëjë Kongresi”.
Megjithatë, sipas saj, ligjvënësit mund të përdorin afatet e financimit dhe votat për konfirmimin e emërimeve në Senat si mjete presioni ndaj administratës. Ata mund të miratojnë gjithashtu masa për të ridrejtuar fondet e ICE-së drejt programeve që gëzojnë mbështetje të gjerë publike, si kujdesi shëndetësor apo programet e ushqimit në shkolla, edhe nëse projektligjet përkatëse nuk marrin miratimin përfundimtar të Trump.
Gjatë konferencës për shtyp të së mërkurës, senatori demokrat nga Arizona, Ruben Gallego, tha se partia e tij do të duhet të arrijë marrëveshje me Trump. Ai bëri të ditur gjithashtu se demokratët kanë nisur diskutimet për mënyrën se si mund të ecin përpara me një projektligj për “Dreamers” deri në fund të vitit 2026.
“Republikanët kanë thënë se do të kemi reformë të emigracionit sapo të kemi një kufi të sigurt. Tani e kemi këtë”, deklaroi Gallego. Reuters
Burimi: euronews.al










