TIRANË, 26 nëntor/ATSH/ Komisionerja Evropiane për Zgjerimin, Marta Kos, vlerësoi sot potencialin ekonomik të Ballkanit Perëndimor, duke theksuar se integrimi gradual në tregun e vetëm të Bashkimit Evropian dhe reformat e anëtarësimit po krijojnë mundësi të reja për investime, zhvillim të bizneseve dhe punësim.
Gjatë ditës së dytë të Konferencës së Investimeve Bashkimi Evropian – Ballkani Perëndimor, e cila po zhvillohet në Tiranë, në ambientet e Pallatit të Kongreseve, Kos theksoi se përfitimet e integrimit evropian janë të prekshme edhe përpara anëtarësimit të plotë.
Përfitimet përpara anëtarësimit
“Mundësitë ekonomike pritet të rriten. Ne po modernizojmë mënyrën se si vendet kandidate mund të integrohen në Bashkimin Evropian. Përfitimet do të jenë të prekshme edhe përpara anëtarësimit”, u shpreh Kos.
Ajo solli si shembull përfitimet që qytetarët dhe bizneset e rajonit po marrin nga përfshirja në Zonën Unike të Pagesave në Euro (SEPA).
“Shumë prej jush po përfitoni tashmë nga Zona Unike e Pagesave në Euro, SEPA. Qytetarët dhe bizneset në Shqipëri, Mal të Zi, Serbi dhe Maqedoninë e Veriut po përfitojnë nga transaksione më të shpejta dhe me kosto më të ulët. Mesatarisht, kostot e transaksioneve janë tashmë 94% më të ulëta se më parë”, deklaroi komisionerja.
Sipas saj, edhe Kosova dhe Bosnja e Hercegovina mund t’i bashkohen kësaj zone, pasi të përmbushin kushtet e nevojshme.
Kos theksoi se përmes integrimit gradual, Bashkimi Evropian synon të krijojë më shumë mundësi për ekonomitë e vendeve kandidate, duke zgjeruar aksesin e tyre në sektorë të tregut të vetëm.
“Përmes qasjes sonë të re të integrimit gradual, duam t’i hapim edhe më shumë dyert për ekonomitë e vendeve kandidate. Synojmë të mundësojmë aksesin në disa sektorë të tregut të vetëm të Bashkimit Evropian, përfshirë energjinë dhe transportin, si dhe të zgjerojmë bashkëpunimin në fushën e teknologjive digjitale”, tha ajo.
Komisionerja nënvizoi se kjo qasje do të forcojë sigurinë ekonomike të Evropës dhe do të ndihmojë në krijimin e zinxhirëve evropianë të vlerës, duke ulur varësinë nga pjesët e tjera të botës.
Lidhjet e transportit dhe energjisë
Një rëndësi të veçantë Kos i kushtoi edhe lidhjeve të transportit dhe energjisë, të cilat, siç theksoi ajo, krijojnë mundësi të reja për kompanitë evropiane në transportin e mallrave, sigurimin e lëndëve të para dhe hyrjen në tregje të reja.
“Ndërprerjet e fundit në tregtinë globale kanë treguar se sa e cenueshme është Evropa kur mbështetet në një numër të kufizuar korridoresh transporti”, u shpreh ajo.
Në këtë kontekst, Kos përmendi Korridorin VIII, i cili lidh bregdetin e Adriatikut në Durrës, përmes Maqedonisë së Veriut dhe Bullgarisë, me Detin e Zi.
“Kjo është një mundësi për Ballkanin Perëndimor që të shfrytëzojë pozicionin qendror në hartën e Evropës. Ka fonde të konsiderueshme evropiane për të përmirësuar këto lidhje, për të shkurtuar kohën e udhëtimit dhe për të ulur kostot e të bërit biznes”, theksoi komisionerja.
Potenciali i sektorit privat
Duke u ndalur te sektori privat, Kos vlerësoi potencialin e bizneseve novatore dhe sipërmarrësve në rajon, veçanërisht në fushën e teknologjive dhe shërbimeve digjitale.
“E di që rajoni ka shumë biznese novatore, sipërmarrës ambiciozë dhe potencial në rritje në fushën e teknologjive dhe shërbimeve digjitale”, deklaroi ajo.
Kos përmendi gjithashtu startup-et nga Ballkani Perëndimor, të cilat gjatë konferencës kanë prezantuar projektet dhe idetë e tyre në fushën e inteligjencës artificiale, kujdesit shëndetësor dhe teknologjive të tjera të përparuara.
“Këto janë kompani që synojnë të konkurrojnë në të gjithë Evropën. Ato meritojnë akses në kapital dhe në tregun tonë, gjë që do t’u mundësojë të rriten”, u shpreh komisionerja.
Ajo bëri të ditur se më shumë se 1,5 miliardë euro mbështetje financiare, të garantuara nga Bashkimi Evropian, po ndihmojnë në uljen e rrezikut të investimeve dhe në tërheqjen e kapitalit privat.
Ndërkohë, njoftimet për investimet e bëra gjatë konferencës do të shtojnë edhe 200 milionë euro të tjera në angazhimet për investime, përmes Kornizës së Investimeve për Ballkanin Perëndimor dhe fondeve evropiane për zhvillim.
“Kjo do të ndihmojë në krijimin e bizneseve të suksesshme, vendeve më të mira të punës dhe mundësive të reja për qytetarët e Ballkanit Perëndimor, në mënyrë që ata të qëndrojnë në vendet e tyre”, theksoi Kos.
Thirrja për investitorët evropianë
Në përfundim, komisionerja u bëri thirrje investitorëve evropianë të shfrytëzojnë mundësitë që ofron rajoni.
“Mesazhi im për investitorët evropianë është i thjeshtë: Ballkani Perëndimor do të jetë pjesë e Bashkimit Evropian, por shumë mundësi ekzistojnë tashmë këtu dhe ato do të shtohen me zgjerimin e aksesit në tregun e vetëm dhe me më shumë fonde nga BE-ja. Prandaj, thirrja ime për të gjithë ju është: shfrytëzojini këto mundësi”, përfundoi Kos.
/gj.m/r.e/ /a.g/
Burimi: ata.gov.al










