Një episod tjetër i dyshuar i përplasjes mes grupeve kriminale në Sarandë dhe Ksamil u regjistrua më 29 nëntor 2025, kur lokali prej druri “Bumble Bee” në Ksamil u përfshi nga flakët dhe u shkrumbua plotësisht. Biznesi ishte në pronësi të Ramadan Zotos, i njohur edhe me emrin Ramadan Canaj.
Sipas materialit hetimor, dyshohet se zjarri ka qenë i qëllimshëm. Ngjarja po shihet si një episod tjetër në sagën e përgjakshme të përplasjeve që filluan pas konfliktit të armatosur të korrikut 2025, ku u plagosën dy të rinj, Gëzim Hajdaraj dhe Ernest Lama.
Në këtë zinxhir ngjarjesh përfshihet edhe vrasja me tritol e Isuf Jaçajt, babait të Klaus Jaçajt, më 5 tetor 2025. Hetuesit po shqyrtojnë dyshimin se djegia e biznesit të Zotos mund të ketë qenë një tjetër mesazh hakmarrjeje në kuadër të konfliktit mes palëve.
Kush është Ramadan Zoto? Shtatë emra, gjashtë atësi dhe dhjetë mbiemra
Materiali investigativ shqyrton edhe të kaluarën e Ramadan Zotos, i cili rezulton në regjistrat e policisë greke me shtatë emra, gjashtë atësi dhe dhjetë mbiemra të ndryshëm.
Në dokumentacion përmenden disa precedentë penalë në Greqi, mes tyre akuza për grabitje me armë dhe dyshime për përfshirje në një vrasje në Athinë në vitin 2005.
Në vitin 2019, Zoto u arrestua në Greqi pas një ndjekjeje policore, gjatë së cilës iu gjetën armë dhe kokainë. Në Shqipëri, në vitin 2022, ai u akuzua për dhunimin e një punonjësi sigurie në spitalin e Sarandës.
Një episod tjetër i dokumentuar daton në vitin 2024, kur u arrestua me dy pistoleta. Megjithatë, më 29 prill 2025, Gjykata e Sarandës e shpalli të pafajshëm për këtë çështje.
Emri i tij u rikthye në dosjet hetimore në korrik 2025, pas përplasjes së armatosur ku u plagosën Gëzim Hajdaraj dhe Ernest Lama.
Pista e një grupi kriminal nga Tirana
Një pistë tjetër që shqyrtohet nga hetuesit lidhet me dyshimin se goditja ndaj grupit të Ramadan Zotos mund të jetë organizuar nga një grup kriminal me bazë në Tiranë.
Sipas materialit investigativ, kjo pistë përmend një personazh me precedentë penalë dhe ndikim të konsiderueshëm ekonomik, për të cilin organet ligjzbatuese dyshojnë se ka fituar fuqi të madhe në botën e krimit.
Megjithatë, kjo mbetet një pistë hetimore dhe deri më tani nuk ka konfirmim përfundimtar mbi autorësinë e djegies së lokalit apo lidhjen e saj me atentatet e mëparshme.
Djegia e “Bumble Bee”, vrasja e Isuf Jaçajt dhe plagosja e dy të rinjve në korrik janë episode që, sipas materialit hetimor, po shqyrtohen si pjesë e përplasjes së dyshuar mes grupeve kriminale në zonën e Sarandës dhe Ksamilit.
Dokumentari i plotë
Një burrë del qetësisht nga lokali ku sapo ka konsumuar një kafe. Është mëngjes dhe kjo duket një rutinë e zakonshme, të cilën ai e kryen shpesh në qytetin e tij. Por ndërsa ecën i patrazuar në trotuar, vetëm pak metra pasi ka lënë lokalin, hapat e tij ndalen para një siluete të veshur me rroba motorristi. Siluetë që mban në kokë një skafandër dhe në njërën dorë i drejton një pistoletë, e cila pa paralajmërim nis të qëllojë drejt tij. Është afërsisht ora 10.00 e datës 20 shtator 2025, dhe një skenë e tillë eliminimi mafioz është kthyer në një ngjarje të zakonshme për qytetin e Sarandës, ku vrasjet e kësaj natyre janë bërë refreni i ditës. Ose, më saktë, një sagë e përgjakshme që ka tronditur rëndë qetësinë e qytetit, të paktën në 5 vitet e fundit. Ashtu si edhe fundi i viktimës, që shihet në pamjet e dokumentuara nga kamerat filmike në qytet. Artan Murtaj, 44 vjeç, bën përpjekje të dëshpëruara për t’i shpëtuar pusisë së plumbave që e prisnin vetëm disa metra nga lokali ku sapo kishte dalë. Pamje të forta që tregojnë realitetin e vështirë në të cilin ndodhet sot qyteti i Sarandës.
Një qytet ku lufta për territor, pronat e lakmuara të bregdetit, linjat e transportit detar apo pushteti mbi lëndët narkotike e kanë kthyer atë nga një qytet i dedikuar turizmit, në një ferr ku mbizotërojnë hakmarrjet dhe plumbat. Një qytet që në 3 vitet e fundit është tronditur shpesh nga ngjarje të rënda, si atentate mafioze, shpërthime me eksploziv, por edhe zhdukje misterioze të personave të ndryshëm, si në rastin e Artan Murtajt. Ndërsa ai i shpëton tentativës së parë të eliminimit, motorristi vrasës e ndjek tashmë nga pas me dy armë në duar. Bashkë me të, pas tij, ndjek viktimën një motorrist i dytë, i ulur mbi motor, gjithashtu i veshur nga koka te këmbët me të zeza.
Shënjestra e atentatit përpiqet më kot deri në frymëmarrjen e fundit t’i shpëtojë plumbave që i vërshëllejnë pas shpine, ndërsa ai vrapon për të dalë në rrugën kryesore në kërkim të shpëtimit. Disa prej këtyre plumbave ai i ka marrë në trup, por kjo mesa duket nuk i ka reshtur ende fuqitë. Atentatori arrin prenë e tij në dalje të rrugicës, ku për t’u siguruar e qëllon edhe disa herë në trup dhe në kokë. Më pas, sipas asaj që shihet, ngjitet në vendin e pasmë të motorrit dhe largohet nga vendngjarja. Atentati, përveç viktimës, lë të plagosur edhe një kalimtar rastësor.
Por përse u vra Artan Murtaj, dhe çfarë e lidh atë me sagën e përgjakshme që ka tronditur Sarandën në dy vitet e fundit? Eliminime ku është përdorur edhe tritoli, si në rastin e ekzekutimit të Isuf Jaçajt. Cili është profili kriminal i Artan Murtajt, i njohur ndryshe si “Tani i Ruzhdiut”? Ai u vra mëngjesin e datës 20 shtator, vetëm 100 metra larg komisariatit të Sarandës, në vendin e njohur si ish-Agjencia. Murtaj sapo kishte lënë qelinë, pasi ishte arrestuar për plagosjen e dy të rinjve nga Kamza në Sarandë. Duket se aty u firmos edhe mandati i tij i vdekjes. Por çfarë është kjo ngjarje që trazoi kaq fort Sarandën në pak kohë, duke prodhuar edhe viktima të tjera?
Cili është roli i Artan Murtajt dhe si lidhet prania e tij me këto ngjarje, që pasuan më pas me një seri krimesh gjithnjë e më mizore? E fundit, vetë eliminimi i 44-vjeçarit, ku në vendngjarje u gjetën 13 gëzhoja të kalibrit 9 milimetra, dhe ku u morën në pyetje 20 persona. Sipas dosjes hetimore të siguruar nga emisioni “Në Shënjestër”, gjithçka duket se fillon më 17 korrik 2025, në një lokal të qytetit të Sarandës, ditën kur në atë lokal u plagosën dy shtetas: Gëzim Hajdaraj dhe Ernest Lama. Të dy me banim në Kamëz, por që atë ditë ndodheshin në Sarandë. Ata kishin qenë më herët të skeduar nga Policia e Shtetit për aktivitetin e tyre kriminal. Vetëm disa muaj më parë, më 8 janar 2025, ata ishin ndaluar nga policia për kundërshtim të forcave të rendit, në rrugën “Skënderbeu” në Sarandë, por më pas ishin lënë të lirë. Ajo që e bënte profilin e tyre edhe më të rrezikshëm ishte fakti se ishin shokë të Ervis Lamit, një personazh që thuhet se ka fituar një reputacion të fuqishëm në botën e krimit dhe kishte shtrirë, apo po kërkonte të shtrinte, tentakulat e tij edhe në Sarandë. Aty kishte filluar të krijonte përplasjet e tij me personazhe protagonistë të krimit në këtë qytet, si Ramadan Zoto.
43-vjeçari, i cili mban mbi supe një rekord të gjatë krimesh, të shtrira në Shqipëri dhe në Greqi, mban 7 emra, 6 atësi dhe 10 mbiemra. Si u përplasën Ramadan Zoto dhe miqtë e tij, midis tyre Artan Murtaj dhe Klaus Jaçaj, me dy vizitorët e padëshiruar, mesditën e 17 korrikut 2025, në ambientet e brendshme të një lokali në Sarandë?
Sipas dinamikës së zbardhur nga grupi hetues, mbështetur edhe në kamerat e sigurisë, gjithçka nis në mesditën e asaj dite, brenda një harku kohor prej pak minutash. Fillimisht, në lokalin “Kozi Bistro”, që ndodhet vetëm pak metra larg stadiumit të qytetit, futen Ramadan Zoto dhe Artan Murtaj.
Pas tyre futen edhe disa persona të tjerë, të cilët do të jenë pjesë e konfliktit që do të zhvillohet vetëm disa minuta pasi kanë marrë pozicionet e tyre në lokal.
“Sipas pamjeve filmike të siguruara nga kamerat e sigurisë në lokal, fillimisht më 17 korrik 2025, në orën 14.57, në ambientet e lokalit ‘Kozi Bistro’ shfaqen dy persona. Të cilët pas identifikimit rezultuan të jenë shtetasit Ramadan Zoto (Canaj), me trup mesatar, pak të bëshëm, i qethur pothuajse zero, dhe personi tjetër, trup i gjatë, i identifikuar si Artan Murtaj. Personat, pasi futen në lokal, ulen në një nga tavolinat në hyrje. Konkretisht Ramadan Zoto, i cili ulet me pamje nga vetratat e lokalit.
Afërsisht një minutë më pas, në lokal futen dhe dy persona të tjerë: Erjon Canaj dhe një person i dytë që mban në qafë një marsup, i identifikuar si Klaus Jaçaj. Ata ulen në ambientet e jashtme të lokalit. Lokali ka në atë moment edhe klientë të tjerë që po drekojnë, midis tyre gra dhe fëmijë. Ndërsa në orën 14.59 në lokal futet edhe shtetasi i identifikuar si K. V., i cili ulet në tavolinën ku ndodhet shtetasi Ramadan Zoto (Canaj)”, thuhet në dosjen hetimore.
Pa kaluar as një minutë nga momenti kur personat e sipërpërmendur janë rehatuar në tavolinat e tyre, të ndara në dy grupe, njëri brenda lokalit dhe tjetri në verandën e barit, pamjet filmike tregojnë se në lokal shfaqen dy persona të tjerë.
Ata nuk janë aq të panjohur për Ramadan Zotos dhe miqtë me të cilët ai është ulur në lokal. Ata do të rezultojnë më pas, gjatë zhvillimit të konfliktit, se janë aty për ta ndihmuar. Siç është Klaus Jaçaj dhe Erjon Canaj, që në atë moment ndodheshin të ulur në verandën e lokalit. Sipas identifikimit të bërë më pas nga grupi hetues, personat që futen të fundit në lokal dhe që shpejt do të bëhen viktima të agresionit të Ramadan Zotos dhe grupit të tij janë Gëzim Hajdaraj dhe Ernest Lama. Të dy banues në Kamëz, por që atë ditë ndodheshin në Sarandë, dhe të dy të ndaluar më herët nga policia për kundërshtim të forcave të rendit.
“Menjëherë pasi shtetasi K. V. futet në lokal, pas tij shfaqen dy persona: njëri është trup i gjatë dhe ka të hedhur në krahëqafë një çantë ngjyrë gri e zezë, shtetas i identifikuar si Gëzim Hajdaraj; personi i dytë ka trup mesatar, pak të bëshëm, mban në kokë një kapele me strehë të rrumbullakët dhe gjithashtu mban në qafë një marsup, i identifikuar si shtetasi Ernest Lama. Personat ulen në tavolinën e fundit të lokalit, në cep të verandës së jashtme. Ndërkohë që në tavolinën ku ndodhen të ulur shtetasi Ramadan Zoto dhe Artan Murtaj, shtetasi K. V. lë mbi të çantën e tij dhe më pas largohet në një ambient tjetër të lokalit që nuk mbulohet nga kamerat”, thuhet në dosje.
Me të parë praninë e dy personave të sapoardhur në një nga tavolinat e lokalit, grupi i Ramadan Zotos nis lëvizjet e para.
Fillimisht kamerat e sigurisë fiksojnë Ramadan Zoton dhe Artan Murtajn, të cilët lëvizin nga vendi ku ishin ulur dhe drejtohen në tavolinën e mysafirëve të padëshiruar.
Momenti kur pamjet fokusojnë Ramadan Zoton tregon se ai mban në dorë një armë zjarri të tipit pistoletë. Me këtë armë, i shoqëruar nga Artan Murtaj, ai drejtohet pikërisht aty ku janë ulur dy klientët e sapoardhur, Gëzim Hajdaraj dhe Ernest Lama.
“Në orën 14.59, në brendësi të lokalit, vihet re se shtetasit Artan Murtaj dhe Ramadan Zoto çohen nga tavolina ku deri në atë moment ishin ulur. Nga ajo që konstatohet, Ramadan Zoto nxjerr nga brezi një armë në dukje zjarri të tipit pistoletë dhe drejtohet për në ambientet e jashtme të lokalit, aty ku ndodhen të ulur shtetasit Gëzim Hajdaraj dhe Ernest Lama”, thuhet në dosje.
Njëkohësisht me ta, kamerat fiksojnë se lëvizin edhe shtetasit Erjon Canaj dhe Klaus Jaçaj, që ishin ulur në pjesën e jashtme të lokalit. Ramadan Zoto, i cili tashmë ka mbërritur në tavolinën ku janë ulur Gëzim Hajdaraj dhe Ernest Lama, duke qëndruar përballë tyre, u drejton pistoletën.
Nuk dihet se çfarë bisede zhvillon ai me ta, apo cilin kërcënim u drejton. Ajo që vihet re është se Ramadan Zoto qëllon me pistoletë fillimisht në drejtim të Ernest Lamës.
“Pikërisht në këtë moment Ramadan Zoto kalon dhe më pas qëndron përballë shtetasve Gëzim Hajdaraj dhe Ernest Lama, të cilëve u drejton një armë zjarri në dukje pistoletë. Ajo që vihet re është se Ernest Lama çohet në këmbë dhe Ramadan Zoto e qëllon me armë zjarri. Ndërsa Ernest Lama përpiqet të shpëtojë duke u përkulur”, thuhet në dosje.
Ndërsa Ernest Lama përpiqet t’u shpëtojë plumbave, pamjet tregojnë se Ramadan Zoto është kthyer tashmë nga miku me të cilin shënjestra e tij ndodhet në tavolinë, pikërisht nga Gëzim Hajdaraj, i cili atëherë ishte ende i ulur. Ai e qëllon me dy plumba në trup, duke e lënë të plagosur në verandën e jashtme të lokalit. Ernest Lama, pavarësisht se ka marrë një plumb në këmbë, përpiqet të shpëtojë.
“Në këtë moment Ramadan Zoto i drejtohet me armë zjarri edhe shtetasit Gëzim Hajdaraj, i cili çohet dhe kërkon të ikë me nxitim. Zoto e godet dy herë me pistoletë, duke e lënë të rrëzuar në trotuar në verandën e jashtme. Pastaj kthehet sërish nga Ernest Lama dhe i drejton pistoletën. Ky i fundit çohet dhe, duke u mbështetur në njërën këmbë, tenton të largohet”, thuhet në dosje.
Edhe pse personi që ka marrë përsipër të përballet me dy të huajt është Ramadan Zoto, i cili shihet duke i qëlluar edhe me armë zjarri, në konflikt në këtë moment përfshihen edhe anëtarë të tjerë të grupit. Ndër ta spikat Artan Murtaj, i cili në fillim ishte ulur në të njëjtën tavolinë në lokal me Ramadan Zotos.
“Murtaj, pasi e shoqëron Ramadan Zotos deri në tavolinën ku ndo
Burimi: www.balkanweb.com










