Rolando Maran është një trajner që zakonisht preferon të flasë përmes punës dhe rezultateve. Fjalët i kursen dhe, kur i përdor, zgjedh zakonisht atmosferën e qetë të një darke me skuadrën, larg vëmendjes së kamerave. Por pas fitores së Shqipërisë ndaj Bjellorusisë, që vulosi vendin e parë në grup dhe ngjitjen në Ligën B të Ligës së Kombeve, italiani bëri një përjashtim. Në përfundim të ndeshjes, Maran mblodhi lojtarët në mes të fushës dhe, i emocionuar, mbajti një fjalim të shkurtër e spontan.
“Çdokush që e do këtë fanellë mund të jetë vetëm krenar për ju. E nisëm këtë aventurë në mënyrën më të mirë të mundshme. Ju thashë edhe para ndeshjes se kishim një përgjegjësi të madhe, sepse e meritonim këtë ngjitje. U dhatë një gëzim tifozëve tanë”, u shpreh trajneri.
Në një intervistë për Gazzetta dello Sport, Maran ka folur për emocionet e këtij suksesi, lidhjen e veçantë të shqiptarëve me Kombëtaren, punën e tij në drejtimin e kuqezinjve dhe objektivat për të ardhmen.
Fjalimi pas ndeshjes dhe lidhja me tifozët
Fjalimi juaj pas ndeshjes surprizoi shumë njerëz.
Zakonisht këto gjëra mbeten brenda dhomës së zhveshjes. Nuk e di kush e bëri videon, por ishte diçka pozitive, sepse patëm mundësinë ta ndanim me tifozët lumturinë tonë. Luajtëm kundër Bjellorusisë në një fushë neutrale, në Budapest, pa praninë e tifozëve. Ishte bukur të arrinim t’ia përcillnim popullit shqiptar krenarinë për këtë sukses. Shqiptarët e duan vërtet jashtëzakonisht shumë Kombëtaren.
A e ndieni këtë lidhje kaq të fortë me tifozët?
Shumë. Në Shqipëri, Kombëtarja është skuadra e parë e të gjithëve, njësoj si një klub futbolli. Kur luajmë në shtëpi, në Tiranë, në stadiumin ku Roma fitoi Ligën e Konferencës, nuk ka asnjë vend bosh dhe atmosfera është shumë e zjarrtë. Edhe në transfertë na ndjekin gjithmonë shumë tifozë. E ndiejmë përgjegjësinë për t’i dhuruar kënaqësi një populli të tërë.
Bilanci dhe objektivat
Pas gjashtë muajsh në drejtimin e Shqipërisë, si është bilanci juaj i parë?
Pozitiv, sepse kërkesa që më ishte bërë ishte fitimi i grupit në Ligën e Kombeve dhe ngjitja nga Liga C në Ligën B. Përveç suksesit, arritëm edhe rekorde: pikët më të shumta në historinë e skuadrës, numrin më të madh të golave të shënuar dhe numrin më të vogël të golave të pësuar.
Cila është kënaqësia më e madhe deri tani?
Ndjesia se kemi rikthyer entuziazmin. Shqipëria vinte nga një periudhë negative dhe ne u përpoqëm të ndryshonim mentalitetin, duke synuar rezultatet që na ishin kërkuar përmes një qasjeje që të motivonte jo vetëm lojtarët, por edhe tifozët. Dhe funksionoi.
Objektivi i radhës është kualifikimi në Kampionatin Evropian. Do të dëshironit që Italia të ishte në grupin e Shqipërisë?
Nuk di si të përgjigjem, sinqerisht. Do të ishte patjetër një emocion i madh dhe një përballje me shije të veçantë. Pavarësisht kundërshtarëve, shpresojmë të arrijmë kualifikimin. Kemi një skuadër konkurruese, me cilësi teknike dhe njerëzore, si dhe mundësinë për të planifikuar gradualisht rinovimin e ekipit. Federata ka kohë që po zhvillon një punë shumë të mirë me përfaqësueset e moshave.
Puna e përditshme me Kombëtaren
Si është rutina juaj e re si trajner i Kombëtares?
Jam çdo ditë pranë federatës. Kam një zyrë ku analizoj videot dhe planifikoj punën. Gjithashtu, udhëtoj shumë, sepse më shumë se 90 për qind e lojtarëve të mi aktivizohen jashtë vendit. Më ka ndodhur të udhëtoj në katër shtete të ndryshme brenda pesë ditësh. Po përpiqemi gjithashtu të kuptojmë nëse ndonjë futbollist me pasaportë të dyfishtë është i interesuar të luajë për ne.
Për shembull, portieri i Cagliarit, Elia Caprile, mund të luajë për Shqipërinë?
Elia e ka marrë pasaportën shqiptare për arsye familjare, por ende nuk e ka përfunduar të gjithë procedurën dhe për këtë arsye nuk kemi biseduar. Megjithatë, nëse do të ishte i disponueshëm, sigurisht që do të na bënte punë.
A ju ndihmoi periudha e gjatë e ndërprerjes mes shtatorit dhe tetorit?
Po, më shërbeu shumë. Kalova mjaft kohë pranë lojtarëve dhe pata mundësinë të zhvilloja punën, duke fituar kohë. Me skuadrën komunikoj kryesisht në italisht, sepse pothuajse të gjithë e kuptojnë. Përdor edhe pak anglisht dhe kemi gjithashtu një përkthyes.
Pse zgjodhët skemën me tre mbrojtës?
Sepse më lejonte ta zhvilloja më mirë lojën, si në gjerësi, duke përfshirë në sulm dy lojtarët e krahëve, ashtu edhe në qendër, duke vendosur dy mesfushorë ofensivë pas Manajt. Si trajner i një kombëtareje duhet të jesh i vendosur në zgjedhje dhe i qartë e konciz në shpjegime. Idetë duhet të përcillen shpejt dhe në mënyrë të kuptueshme.
Lojtarët dhe të ardhmen
Në skuadrën tuaj ka disa lojtarë që janë aktivizuar në Itali, por më pak se më parë.
Po. Vitet e fundit nga Serie A janë larguar Berisha, Strakosha, Gjimshiti, Asllani dhe Ramadani. Megjithatë, kemi edhe futbollistë të tjerë dhe kampionati italian mbetet një nga modelet që ndiqen më shumë. Manaj është formuar te Interi, ndërsa tani është në kulmin e pjekurisë dhe ka një qasje shumë profesionale. Po shënon shumë gola.
Në këtë mënyrë, Manaj ju detyron ta lini në stol Cristian Shpendin, golashënuesin më të mirë të Serie B me Cesena-n.
Ndonjëherë ndodh që duhet të lësh jashtë një lojtar që meriton të luajë. Shpendi është i mirë dhe e tregon këtë vazhdimisht edhe në stërvitje. Ai do t’i ketë mundësitë e tij.
Elseid Hysaj është pa kontratë dhe luan vetëm me Kombëtaren.
Është e pabesueshme. Ai stërvitet me Empolin dhe ne e ndjekim nga afër. Kur vjen në Kombëtare, duket sikur është një lojtar që aktivizohet rregullisht me klubin. Është në moshën e duhur për të vazhduar të luajë në nivele të larta. Nuk e kuptoj pse nuk i jepet besim.
Si po zhvillohet Ernest Muçi, mesfushori ofensiv që shënoi një gol të mrekullueshëm kundër Finlandës?
Ernesti ka goditje dhe aftësi fantastike. Ka edhe fatin që luan te Trabzonspori, ku stërvitet me Salah, nga i cili përpiqet të mësojë disa sekrete. Nga ana teknike, ka cilësi të jashtëzakonshme.
Jeta në Tiranë
Si po e përjetoni jetën në Tiranë?
Shumë mirë. Është një qytet mikpritës dhe në zhvillim të vazhdueshëm. Unë jetoj pak hapa larg federatës, e cila është e organizuar dhe funksionon në mënyrë të shkëlqyer. Njerëzit më njohin në rrugë dhe pasioni i popullit shqiptar është diçka që të jep shumë kënaqësi. Më mbush me krenari, por njëkohësisht edhe me përgjegjësi.
Burimi: kohajone.com










