Alarmi dhe paralajmërimet në Itali
Reshjet e dendura dhe rreziku i përmbytjeve kanë vënë disa zona të Italisë në gjendje gatishmërie. Autoritetet kanë shpallur alarm portokalli për kushtet e këqija atmosferike, ndërsa në disa qytete janë marrë masa urgjente, duke përfshirë mbylljen e shkollave, parqeve dhe hapësirave publike.
Departamenti i Mbrojtjes Civile, bashkë me autoritetet rajonale, ka dhënë një paralajmërim të ri për përkeqësimin e motit dhe ka kërkuar rritjen e gatishmërisë në zonat e prekura.
Në të njëjtën kohë, alarmi i verdhë është në fuqi në rajonet e Kalabrisë, Kampanias, Molizes, Abrucos dhe Siçilisë, sipas agjencisë italiane të lajmeve ADN Kronos.
Masat e marra në Pulia
Për shkak të reshjeve intensive të parashikuara, disa bashki në rajonin e Pulias kanë vendosur të marrin masa parandaluese për të garantuar sigurinë e qytetarëve.
Shkollat janë mbyllur në disa qytete, ndër to San Severo, në provincën e Foggias, si dhe në Lecce dhe Brindisi.
Në Barletta, autoritetet kanë njoftuar se rrugët kryesore, ato periferike dhe nënkalimet do të monitorohen vazhdimisht për shkak të rrezikut të përmbytjeve. Nëse situata përkeqësohet, këto segmente do të mbyllen për qarkullimin e automjeteve dhe të këmbësorëve.
Ndërkohë, Bashkia e Lecces ka urdhëruar mbylljen e varrezave komunale, selisë së bashkisë dhe parqeve publike gjatë periudhës së alarmit. Gjithashtu, është pezulluar aktiviteti i disa tregjeve.
Autoritetet u kanë bërë thirrje banorëve të tregojnë kujdes të shtuar dhe të shmangin lëvizjet e panevojshme gjatë kushteve të këqija atmosferike.
Qytetarëve u rekomandohet të shmangin parqet dhe zonat me pemë, të mos kalojnë nëpër nënkalime të përmbytura dhe të tregojnë kujdes të veçantë gjatë stuhive.
Situata meteorologjike po ndiqet nga afër nga autoritetet, të cilat kanë paralajmëruar se masat kufizuese mund të vazhdojnë në varësi të intensitetit të reshjeve dhe zhvillimit të situatës në terren.
Burimi: euronews.al










