Kalo te përmbajtja

Lajme të shpejta, të verifikuara dhe të paanshme

Lajm i fundit
Të ndryshme

Ekspozitë me dokumente dhe botime të rralla për Ditën e Alfabetit Shqip në Korçë

Ekspozitë me dokumente dhe botime të rralla për Ditën e Alfabetit Shqip në Korçë
Foto: abcnews.al

Në 118-vjetorin e Kongresit të Manastirit, Korça sjell në kujtesë kontributin e 12 përfaqësuesve të saj në një nga ngjarjet më të rëndësishme të historisë kombëtare, që hodhi themelet e njësimit të alfabetit të gjuhës shqipe.

Në kuadër të Ditës së Alfabetit, Këshilli i Qarkut të Korçës organizoi një aktivitet historik dhe një ekspozitë kushtuar këtyre figurave. Ekspozita prezanton dokumente, fotografi, libra, gazeta, dorëshkrime dhe botime të rralla, që dëshmojnë kontributin e tyre jo vetëm në Kongresin e Manastirit, por edhe në zhvillimin e arsimit dhe kulturës shqiptare.

Botime që dëshmojnë kontributin arsimor

Mes materialeve të ekspozuara është teksti i parë i fizikës në gjuhën shqipe, botuar në vitin 1899 nga Gjergj Qiriazi. Gjithashtu shfaqet abetarja e Parashqevi Qiriazit e vitit 1909, e përgatitur pas Kongresit të Manastirit, si dhe botime të tjera me rëndësi historike.

Vëmendje të veçantë zënë botimet e delegatit Thoma Avrami, përfshirë revistën pedagogjike dhe letrare “Përlindja aresimore” të vitit 1922. Nga Sotir Peci prezantohet botimi i vitit 1912, “Viti premtar i gramatikës”.

Mihal Gramenos: gazeta dhe krijimtaria letrare

Një hapësirë e rëndësishme i kushtohet botimeve të Mihal Gramenos, mes tyre gazeta “Koha”, si dhe krijimtarisë së tij letrare. Ekspozohen romani dramatik “Oxhaku” dhe vepra të tjera si “E puthura”, “Varr i pagëzimit” dhe “Mallkimi i gjuhës shqipe”.

Për familjen e tij, kujtimi dhe trashëgimia patriotike janë përcjellë brez pas brezi. Lirika Bicolli, e afërme e Mihal Gramenos, sjell kujtime familjare përmes rrëfimeve të të parëve, duke veçuar edhe figurën e nënës së Gramenos.

Materiale të reja nga hulumtimi

Historiani Niko Kotherja, i cili ka hulumtuar dhe mbledhur materialet për ekspozitën, thekson se përfaqësimi i Korçës me 12 delegatë në Kongresin e Manastirit është një veçanti historike. Një pjesë e dokumenteve dhe fotografive janë të panjohura për publikun dhe janë siguruar përmes koleksioneve private, kërkimeve në Shqipëri dhe kontakteve me pasardhësit e delegatëve që jetojnë jashtë vendit.

Dita e Alfabetit në Tiranë

Presidenti Bajram Begaj festoi Ditën e Alfabetit me përfaqësues të Shoqatës “Tomorri”, me rastin e 120-vjetorit të krijimit të saj. Begaj vlerësoi kontributin e shoqatës në ruajtjen e kulturës dhe identitetit kombëtar, si dhe lidhjen e saj historike me figura të Rilindjes Kombëtare, mes tyre Mid’hat Frashëri.

Burimi: abcnews.al

Të fundit Të gjitha