Fitorja historike e Lara Colturi-t në Kupën e Botës në ski alpine ka bërë jehonë edhe në mediat ndërkombëtare. “New York Times shkroi sot për Shqipërinë falë kampiones së skive”, u shpreh Etrit Xhuglini, sekretari i Federatës Shqiptare të Skive, i ftuar në emisionin “Review” me Greta Topjanën, ku foli për rëndësinë e këtij suksesi për sportin shqiptar.
Reagimet zyrtare
Pas triumfit të sportistes në garën e zhvilluar në Gurgl të Austrisë, ka reaguar edhe kryeministri Edi Rama. Përmes një postimi në rrjetet sociale, ai e cilësoi fitoren një ditë historike për sportin shqiptar, duke përgëzuar Lara Colturi-n për suksesin në slalom. Rama kujtoi edhe dy vendet e dyta që skiatorja kishte arritur në vitet 2024 dhe 2025, përpara se të ngjitej këtë herë në shkallën më të lartë të podiumit.
Ndërkohë, presidenti i Federatës Shqiptare të Skive, Elvis Toçi, ka komunikuar me kryeministrin Rama dhe ministrin e Sportit, Blendi Gonxhja, pas fitores së sportistes. Sipas Xhuglin-it, kjo është një ditë e rëndësishme për Shqipërinë dhe për sportin, ndërsa suksesi i Lara Colturi-t ka sjellë vëmendje të madhe ndërkombëtare.
Vlerësimi i arritjes
“Kryeministri ka reaguar për sportisten, ndërsa me Ramën ka komunikuar presidenti i Federatës, Elvis Toçi. Është një ditë historike për sportin shqiptar dhe një sukses që ka sjellë vëmendje të madhe për Shqipërinë edhe në mediat ndërkombëtare”, tha Xhuglini.
Xhuglini e cilësoi Lara Colturi-n një nga ambasadoret më të rëndësishme të Shqipërisë në sport, duke theksuar se arritja e saj përfaqëson një moment të veçantë për skitë shqiptare.
Fitorja në Gurgl shënon suksesin e parë të Shqipërisë në një garë të Kupës së Botës në ski alpine.
Rama reagon pas fitores së Lara Colturit në Kupën e Botës: Ditë historike për sportin shqiptar
Burimi: euronews.al










