Harry Kane mbetet një nga sulmuesit më të shquar të gjeneratës së tij, prandaj zëvendësimi i tij në futbollin anglez konsiderohet një detyrë jashtëzakonisht e vështirë.
Pas shumë vitesh përkushtimi dhe sakrifice, sulmuesi anglez fitoi Topin e Artë, ndërsa vlerësimi për paraqitjet e tij ka ardhur sidomos në këtë periudhë.
Sipas një raporti të The Sun, skautët kanë identifikuar tre futbollistë të rinj anglezë që mund të kenë një të ardhme të ndritur. Në këtë listë përfshihen Teddie Lamb i Manchester Cityt, Luca Williams-Barnett i Tottenhamit dhe Jai Nwosu i Brentfordit.
Teddie Lamb – Manchester City
Teddie Lamb është një nga emrat që po ndiqet me interes të madh. 17-vjeçari i akademisë së Manchester Cityt është dalluar për forcën fizike, lëvizjet në fushë dhe aftësinë për të gjetur rrjetën.
Sulmuesi u transferua te Manchester City nga Leyton Orient në vitin 2025 dhe gjatë këtij sezoni ka shënuar nëntë gola në dhjetë ndeshje. Ai ka luajtur me ekipet U18 dhe U21 të klubit, duke tërhequr vëmendjen e skautëve me paraqitjet e tij.
Potenciali i tij është vlerësuar edhe nga një skaut i Bournemouthit, klub që kishte provuar ta merrte përpara se lojtari të zgjidhte Manchester Cityn. Sipas tij, Lamb zotëron cilësitë e nevojshme për të arritur në nivelet më të larta të futbollit.
Një detaj që e lidh atë me historinë e Kane është fakti se Lamb qëndroi për shtatë vjet te Leyton Orient, skuadër ku sulmuesi i Anglisë zhvilloi debutimin profesional gjatë huazimit nga Tottenhami.
Luca Williams-Barnett – Tottenham
Te Tottenham po investohen pritshmëri të mëdha te Luca Williams-Barnett. 18-vjeçari konsiderohet si një nga produktet më premtuese të akademisë londineze në vitet e fundit.
Trajneri Roberto De Zerbi ka shprehur vlerësimin e tij për aftësitë e lojtarit, duke e përshkruar si një talent të veçantë. Megjithatë, sipas tij, mesfushori ofensiv duhet të rrisë efektivitetin në pjesën e fundit të aksioneve dhe të përmirësojë aspektin fizik.
Williams-Barnett është përfshirë në listën e ekipit të parë të Tottenhamit për ndeshjen e Ligës Premier ndaj Brentfordit, ndonëse nuk zbriti në fushë. Disa lëndime kanë ndikuar në zhvillimin e tij, por këtë sezon ai ka shënuar një gol dhe ka dhënë një asistim në vetëm 77 minuta të luajtura në Ligën Premier 2 dhe garat e tjera të futbollit anglez.
Tottenhami po përpiqet njëkohësisht të garantojë qëndrimin e tij për një periudhë të gjatë, pasi marrëveshja aktuale e lojtarit përfundon në vitin 2028.
Jai Nwosu – Brentford
Lista plotësohet nga Jai Nwosu, sulmuesi 16-vjeçar i Brentfordit. Ai ka bërë përshtypje për ndjeshmërinë para portës dhe fuqinë fizike. Me një gjatësi prej rreth 1.88 metrash, Nwosu është në gjendje të përballet me mbrojtësit kundërshtarë, por profili i tij nuk mbështetet vetëm te avantazhi fizik.
Ngjashëm me Kane, ai ka aftësinë të largohet nga zona e sulmit për të kërkuar topin, të kombinohet me shokët e skuadrës dhe të hapë hapësira për ta. Nwosu mund të përdoret si sulmues qendre, ndërsa gjithashtu ndihmon në organizimin e aksioneve.
I lindur në vitin 2010, ai ka shënuar pesë gola dhe ka dhënë tri asistime në dhjetë paraqitje në Premier League U18 dhe Premier League Cup. Këto shifra janë edhe më domethënëse duke pasur parasysh se këtë sezon ka pasur disa probleme fizike që kanë ndërprerë ritmin e zhvillimit të tij.
Brentfordi shpreson që Nwosu të vijojë rritjen e tij dhe të shndërrohet në një tjetër produkt të suksesshëm të akademisë së klubit.
Rruga e të tre lojtarëve është ende e gjatë përpara se të mund të krahasohen me Harry Kane, i cili ka ndërtuar një karrierë të jashtëzakonshme me Tottenhamin, Bayern Munichun dhe përfaqësuesen e Anglisë. Gjithsesi, paraqitjet e tyre të deritanishme kanë bindur skautët se këta janë emra që meritojnë të ndiqen nga afër gjatë viteve të ardhshme.
Burimi: www.albeu.com









