Episodi i ardhshëm i emisionit “Në Shtëpinë e Futbollit” në FSHF TV trajtoi zhvillimet më të reja të futbollit shqiptar, duke u përqendruar te java e tetë e kampionatit “Abissnet Superiore”, ecuria e ekipeve, mungesa e Ligjit të Sponsorizimit në sport, si dhe performancat e futbollistëve shqiptarë që luajnë jashtë vendit.
Emisioni u drejtua nga moderatorja Lenida Halilaj dhe kishte si të ftuar në studio Andi Verçanin, drejtor i PR i Dinamo City, dhe Olsi Teqjan, trajner futbolli.
Java e tetë e kampionatit “Abissnet Superiore”
Një nga temat kryesore të episodit ishte java e tetë e kampionatit “Abissnet Superiore”, me një analizë të rezultateve dhe të ndryshimeve në klasifikim. Dinamo City fitoi ndaj Egnatias, duke e zvogëluar diferencën me kryesuesit, ndërsa Vllaznia fitoi në klasiken me Tiranën. Për ekipin shkodran, trajneri Csaba László po jep sinjalet e para pozitive.
Në ndeshjet e tjera, Laçi u kthye te fitorja me suksesin 1-0 ndaj Vorës, ndërsa Teuta e ndali serinë pas gjashtë fitoreve radhazi, duke barazuar pa gola me AF Elbasanin në stadiumin “Niko Dovana”. Skënderbeu fitoi 2-0 ndaj Partizanit, i cili po kalon një periudhë të vështirë, me pesë humbje radhazi në kampionat dhe vetëm një fitore në tetë javët e para.
Ligji i Sponsorizimit dhe Kombëtarja
Vëmendje e veçantë iu kushtua mungesës së Ligjit të Sponsorizimit në sport, pas vendimit të qeverisë për të mos e mbështetur këtë nismë. Në diskutimin me të ftuarit u trajtua rëndësia e sponsorizimeve për zhvillimin e sportit shqiptar, mundësitë që do të krijonte një kuadër ligjor për nxitjen e investimeve private dhe sfidat që sjell mungesa e tij për klubet dhe komunitetin e futbollit.
Një temë tjetër ishte rrugëtimi i Egnatias në UEFA Conference League. Kampionët e Shqipërisë regjistruan një barazim tjetër në këtë kompeticion, këtë herë 1-1 në transfertë ndaj Aarhus, duke vijuar paraqitjet e tyre në arenën europiane.
Në emision u fol edhe për Kombëtaren shqiptare, që po përgatitet për ndeshjen e radhës në UEFA Nations League. Kuqezinjtë do të përballen me Finlandën më 12 nëntor në stadiumin “Air Albania”, në ndeshjen e parafundit të Grupit C1.
Në fokus ishin edhe paraqitjet e legjionarëve shqiptarë në kampionatet europiane. Myrto Uzuni spikati me një dopietë, ndërsa gola shënuan edhe Qazim Laçi, Jasir Asani dhe Nedim Bajrami. Ernest Muçi zhvilloi një paraqitje të shkëlqyer, duke dhënë tri asiste dhe kontribuar në një tjetër gol, ndërsa Kerjota regjistroi një asist.
Pjesë e emisionit ishte edhe UEFA Regions’ Cup, ku Kombëtarja shqiptare do të debutojë ndaj Sllovakisë, si dhe zhvillimet në Elite Youth Development Academy. Në këtë akademi, talentët e rinj patën mundësinë të takoheshin me mbrojtësin e Kombëtares, Elseid Hysaj.
“Në Shtëpinë e Futbollit” sjell çdo javë në FSHF TV zhvillimet kryesore të futbollit shqiptar, me fokus te Kombëtarja, ekipet kombëtare të moshave, kampionatet kombëtare, paraqitjet e legjionarëve dhe aktivitetet e projektet e FSHF-së.
Burimi: telesport.al










