Ftesa e parë nga Kombëtarja e Kosovës i hap një etapë të re Lindrit Kamberit dhe e rikthen në bashkëpunim me Franco Fodën. Mbrojtësi 27-vjeçar e njeh përzgjedhësin e Dardanëve nga koha kur të dy ishin pjesë e Zurichut.
Si kapiten i klubit zviceran, Kamberi e ka shprehur hapur entuziazmin për mundësinë që t’i bashkohet Kosovës. Gjatë një interviste në faqen zyrtare të klubit, ai ka shpjeguar se e mori pa hezitim vendimin për ta përfaqësuar atë, duke e cilësuar ftesën si një ngjarje me rëndësi të veçantë si për veten, ashtu edhe për familjen.
Sipas mbrojtësit, dita kur erdhi ftesa nga Kosova ishte një çast shumë i veçantë për të dhe familjarët e tij. Ai e vlerësoi këtë thirrje si gjënë më të mirë që mund t’i ndodhte dhe theksoi se përgjigjja e tij ishte e shpejtë.
Bashkëpunimi i shkurtër me Fodën te Zurichu
Njohja me Fodën daton nga një bashkëpunim i shkurtër te Zurichu. Trajneri gjerman mori drejtimin e klubit më 1 korrik 2022 dhe u largua më 21 shtator të po atij viti.
Në atë interval, Kamberi u aktivizua në 12 ndeshje në të gjitha garat nën urdhrat e tij. Gjashtë prej paraqitjeve ishin në kampionatin zviceran, ndërsa gjashtë të tjerat në takime evropiane, ku përfshiheshin kualifikimet për Ligën e Kampionëve dhe Ligën e Evropës.
Për Zurichun, drejtimi i Fodës u shoqërua me vështirësi në rezultate. Bilanci i skuadrës në 18 ndeshje me të në stol ishte pesë fitore, tri barazime dhe dhjetë humbje.
Megjithatë, Kamberi ka sqaruar se rezultatet e pakënaqshme në fushë nuk e cenuan raportin e mirë që kishte me trajnerin. Ai pret me padurim të punojë përsëri me Fodën dhe e sheh njohjen e mëparshme me të si një lehtësi për këtë bashkëpunim të ri.
Mbrojtësi ka shprehur gjithashtu dëshirën për të dhënë kontributin e tij, duke vënë në pah përvojën e madhe dhe besimin që ka te vetja. Synimi i tij është të lërë gjurmë me fanellën e Kosovës.
Synimet me Kombëtaren
Pjesë e Zurichut që prej vitit 2018 dhe me edhe dy vjet kontratë, Kamberi kërkon që përvojën e grumbulluar në futbollin zviceran ta sjellë tashmë në kombëtare, me shpresën për të lënë shenjë që në paraqitjet e para.
Burimi: www.albeu.com









