Presidenti i Partisë së Lirisë, Ilir Meta, ka ngritur akuza ndaj kryeministrit Edi Rama lidhur me zhvillimet në Bashkinë e Tiranës dhe situatën e kryebashkiakut Erion Veliaj. Në reagimin e tij publik, Meta pretendon se Rama po përpiqet t’i marrë Veliajt, përmes presionit dhe shantazhit, të drejtën e firmës për Bashkinë e Tiranës, veçanërisht në prag të zgjedhjeve. Ai ironizon gjithashtu deklaratat e Ramës për integrimin evropian dhe Progres-Raportin e Bashkimit Evropian, të cilin e cilëson si “Regres-Raport”. Sipas tij, Shqipëria po largohet nga standardet evropiane për shkak të problemeve me shtetin e së drejtës, zgjedhjet dhe funksionimin e institucioneve.
Postimi i plotë
I pacipë, si kurrë më parë, dhe i shteruar edhe në fjalor, Edi Rama huazoi sot nga opozita edhe termin “kilometri i fundit”, për të shitur në publik “arritjet” e Progres-Raportit të fundit të Bashkimit Evropian, që është vetëm një Regres-Raport i padiskutueshëm për cilindo që ka njohuritë më sipërfaqësore të procesit të integrimit.
Me pak fjalë, Regres-Raporti i Komisionit Evropian na dëshmon se shteti i së drejtës nuk funksionon aspak në realitet, por vetëm në letër. Kuvendi ka humbur funksionin kontrollues dhe mbikëqyrës ndaj Qeverisë (ekzekutivit), dhe opozitës i janë mohuar komisionet hetimore parlamentare, që ia garanton Kushtetuta. Po kështu, në Shqipëri, Edi Rama është garanti i drejtësisë me standard të dyfishta, ose garanti i pavarësisë para ligjit, si edhe kontrollues (shantazhues) i sistemit të drejtësisë.
Zgjedhjet, administrata dhe mjedisi
Sigurisht, shkrirja e partisë me shtetin vjen falë zgjedhjeve të pabarabarta dhe të manipuluara, të cilat mbeten të tilla si rezultat i mos-hetimeve të krimeve zgjedhore, që nga dosjet e Dibrës dhe Shijakut. Ndërsa “progresin” e administratës publike e dëshmon fakti se Shqipëria ka përfituar zero fonde nga Plani i Rritjes së Bashkimit Evropian për Shqipërinë, për shkak të paaftësisë së administratës patronazhiste, ku çdo vit qindra dhe mijëra drejtorë japin dorëheqjen në bllok me urdhër të Kryetarit të Partisë.
Edhe në fushën e mjedisit, “progresi” është aq i madh sa ka provokuar protestat më të mëdha në vend, që nga rënia e komunizmit, sipas vetë Regres-Raportit.
Akuzat për Bashkinë e Tiranës
Por i mësuar me shitjen e dështimeve si suksese, Edi Rama vazhdon monologun e tij. Tani, veç kilometrit të fundit, që i “vodhi” opozitës, shpiku edhe “centimetrin e fundit” si alibi për të fituar kohë për agoninë e pafundme ku ka zhytur qeverisjen e vendit më të korruptuar në Evropë. Le të vazhdojë edhe 15 vite të tjera kryeministër, se do të shpikë edhe “milimetrin e fundit”. Ndaj asnjë iluzion për këtë dhunues publik të Kushtetutës, ligjit, të miturve, fëmijëve, gjimnazistëve, studentëve, mësuesve, pedagogëve dhe gjithë shqiptarëve të ndershëm dhe patriotë, të cilëve u ka mohuar prej vitesh mundësinë që vendi i tyre të ishte anëtar i denjë i Bashkimit Evropian.
Mirë historinë e Qarkut të Fierit mund ta kenë harruar disa, se kanë kaluar 15 vite, por zgjedhjet e paligjshme dhe njëpartiake që bëri ky në qershor 2019, i keni harruar? Po kërkesën zyrtare të Bundestagut atëherë, që Shqipëria të bënte zgjedhje lokale pluraliste si kusht që në tetor 2019 (pra atë vit) të çelte negociatat me BE, e keni harruar?
Po ç’i duhej integrimi këtij përpara tepsisë së pushtetit të pakufizuar? Shikoni se ç’po i bën kryebashkiakut të tij të Tiranës për t’i marrë me dhunë dhe shantazh të drejtën e firmës për Bashkinë (magazinën) e Tiranës para zgjedhjeve. Ky shpikësi i “pasqyrës” dhe “dialogut”, që u tall edhe me vetë socialistët e 15 bashkive që i shkriu pabesisht me një të rënë të lapsit. Ndaj është koha t’i japim fund agonisë së qeverisjes së Edi Ramës dhe humnerës që na largon nga standardet evropiane.
Burimi: kohajone.com










