Kina po bisedon me Real Madridin dhe La Ligën për pasojat e komenteve të Kylian Mbappe-s për Mao Ce Dunin, tha të premten ambasadori kinez në Spanjë, Yao Jing.
“Nuk ka negociata, por ka komunikim, mbi bazën e mirëkuptimit të ndërsjellë”, i tha Yao agjencisë spanjolle të lajmeve EFE, para se të merrte pjesë në një forum në Universitetin e Salamankës.
“Ky incident i pafat lëndoi ndjenjat e shumë njerëzve në Kinë, të cilët tani duhet të përballen me situatën aktuale”, shtoi ai.
Video-ja që nisi debatin
Debati filloi kur një video u përhap në internet, në të cilën sulmuesi i Real Madridit dhe i Francës komentonte një meme që e paraqiste fytyrën e tij të vendosur mbi një imazh të Maos.
Mbappe e përshkroi figurën si “një djalë, mendoj se është një diktator kinez”, por nuk e përmendi Maon, udhëheqësin themelues të Kinës moderne, që e qeveriste vendin nga viti 1949 deri në vdekjen e tij në 1976.
Reagimet dhe pasojat
LaLiga, Real Madridi dhe futbollisti francez kërkuan më pas falje. Transmetuesi shtetëror kinez CCTV pezulloi mbulimin e La Ligës, ndërsa disa marka kineze e hoqën Mbappen nga fushatat e tyre të marketingut.
Platforma e transmetimit Migu nuk e transmetoi ndeshjen e Real Madridit kundër Racing Santander javën e kaluar, ndonëse transmetoi ndeshje të tjera të ligës spanjolle.
Grupi Mediatik i Kinës tha javën e kaluar se do të dëgjonte atë që Mbappe kishte për të thënë pas kërkimit të faljes dhe, “më e rëndësishmja”, do të shikonte çfarë do të bënte ai.
Marrëdhënia komerciale me Kinën
Presidenti i LaLiga-s, Javier Tebas, u takua me Yaon javën e kaluar, ndërsa futbolli spanjoll synon të kufizojë pasojat komerciale. Të hënën ai tha se liga po vazhdon dialogun me autoritetet kineze.
LaLiga po “punon për ta zgjidhur”, tha Tebas në forumin World In Progress, duke shtuar se vazhdon të ketë një “marrëdhënie të jashtëzakonshme” me CCTV-në dhe Migu.
LaLiga dhe Migu kanë një marrëveshje që lejon transmetimin e ndeshjeve të divizionit më të lartë të Spanjës deri në fund të sezonit 2029-2030.
Presidenti i LaLiga-s tha se kontratat e transmetimit me CCTV-në dhe Migu arrinin gjithsej rreth 10 milionë euro (11.20 milionë dollarë) në vit, nga 100 milionë euro në vit në kulmin e tyre.
Burimi: euronews.al










