Harry Kane ka nënshkruar zgjatjen e kontratës me Bayern Munichun deri në vitin 2029, një marrëveshje që e ka vendosur sulmuesin anglez në krye të listës së pagave të klubit bavarez.
Sipas gazetarit të “Sky Sport”, Florian Plettenberg, 33-vjeçari do të arkëtojë mbi 30 milionë euro bruto në vit, ku në këtë shumë përfshihen edhe bonuset e mundshme.
Rinovimi i ri e ka bërë Kane-n të kalojë Jamal Musialën, i cili deri tani mbante statusin e futbollistit më të paguar te Bayerni.
Plettenberg raporton gjithashtu se kontrata e re e sulmuesit anglez është ndër tri marrëveshjet më fitimprurëse në futbollin evropian.
Bonuset e lidhura me arritjet
Përveç pagës së garantuar, Kane mund të përfitojë shpërblime të konsiderueshme në varësi të arritjeve të tij dhe rezultateve të ekipit.
Bonuset parashikojnë pagesa shtesë për fitimin e trofeve vendore, triumfin në Ligën e Kampionëve, si edhe për një fitim të mundshëm të Topit të Artë.
Në vlerësimin e shpërblimeve do të merren parasysh edhe paraqitjet individuale, veçanërisht golat dhe asistimet e realizuara.
Kushtet e tjera të marrëveshjes
Dy elemente të tjera të marrëveshjes janë bërë të ditura: kontrata nuk përmban klauzolë lirimi dhe nuk parashikon mundësi zgjatjeje përtej vitit 2029.
Me këtë rinovim, Bayern Munich ka garantuar qëndrimin e një prej lojtarëve kryesorë të skuadrës dhe e ka vendosur atë në majën e hierarkisë financiare të klubit.
Burimi: www.albeu.com









