Një tifoz 45-vjeçar i Aston Villa, me banim në Portsmouth, ka arritur një fitim marramendës prej rreth 1.2 milionë eurosh, pasi kishte vënë vetëm 4 paund, ose afërsisht 4.77 euro, në një bast të kombinuar me 12 ndeshje. Parashikimi i tij kërkonte që në secilën prej tyre të kishte të paktën 12 goditje nga këndi.
Kuota dhe përzgjedhja e ndeshjeve
Kuota e përgjithshme në “Betfair” ishte 249.347, ndërsa përzgjedhja përfshinte 2 ndeshje të “Championship” dhe 10 të “League One”, përkatësisht kategoritë e dyta dhe të treta të futbollit anglez.
Basti u duk në rrezik gjatë pushimit të ndeshjeve. Në Cambridge–Plymouth ishin regjistruar vetëm 4 goditje nga këndi, ndërsa në Reading–Barnsley vetëm një. Megjithatë, pjesët e dyta sollën numrin e nevojshëm të goditjeve nga këndi në të 12 takimet, duke e shndërruar tifozin në milioner.
Reagimi i fituesit dhe planet për paratë
“Fillimisht u ndjeva keq, duke u përpjekur të sigurohesha se gjithçka ishte e vërtetë. I kërkova gruas të kontrollonte shumën në llogari, sepse nuk më dukej reale. Nuk fjeta shumë atë natë, duke menduar se çfarë mund të bënim me paratë”, rrëfeu ai.
Fituesi planifikon të shlyejë kredinë e shtëpisë, të blejë një makinë dhe të kalojë një javë pushimesh me familjen. Zakonisht ai vendos baste të përbashkëta me miqtë, por këtë herë bëri edhe një parashikim personal.
“Kam pasur vetëm 4 paund në llogari dhe vendosa të provoja diçka timen, duke luajtur për më shumë goditje nga këndi. Jam i sigurt se do t’i qeras miqtë me diçka”, tha anglezi. Fitorja u konfirmua dhe u pagua nga “Betfair”.
Burimi: telesport.al









