TIRANË, 28 tetor /ATSH/ – Shqipëria po tërheq gjithnjë e më shumë vëmendjen e turistëve të huaj si një destinacion miqësor me buxhetin, për shkak të kostos më të ulët të udhëtimit në vitin 2027, shkruan media amerikane e biznesit dhe financave “TheStreet”.
Sipas raportit vjetor të tendencave të udhëtimit për vitin 2027, të publikuar nga platforma e rezervimeve “Skyscanner”, Tirana është ndër qytetet që po tërheqin turistë që zgjedhin destinacionet e tyre bazuar në kursin e këmbimit të valutave.
Raporti e përfshin këtë prirje te turizmi i orientuar nga kursi i këmbimit, ku turistët zgjedhin vende, ku paratë e tyre mund të shpenzohen më gjatë dhe të mbulojnë më shumë shërbime.
Të dhënat e anketës dhe destinacionet konkurruese
Sipas një ankete me 28 000 turistë, 41% e të anketuarve thanë se kishin ndryshuar destinacionin për të përfituar nga një kurs më i favorshëm këmbimi. Te Gjenerata Z, kjo përqindje arrin në 72%.
Tirana përmendet krahas qyteteve të tjera ndërkombëtare, si Da Nang në Vietnam, Wrocław në Poloni dhe Bishkek në Kirgistan, si një destinacion që po tërheq interesin e turistëve, që kërkojnë të përfitojnë më shumë nga buxheti i tyre.
Sipas raportit parashikohet një rritje e numrit të turistëve që pritet të vizitojnë Shqipërinë, ndërsa Tirana renditet mes destinacioneve që po fitojnë vëmendje në këtë tendencë të re të udhëtimeve.
Tirana ofron një kombinim të historisë, kulturës, gastronomisë dhe jetës së gjallë urbane, ndërsa çmimet e akomodimit, ushqimit dhe transportit mund ta bëjnë atë një alternativë tërheqëse për turistët që udhëtojnë me buxhet të kufizuar.
Nga Sheshi Skënderbej dhe Pazari i Ri te Piramida dhe muzetë Bunk’Art, kryeqyteti ofron mundësi për të eksploruar historinë dhe kulturën shqiptare, si dhe për të shijuar kuzhinën vendase.
Tirana shërben gjithashtu si një pikënisje për udhëtime drejt qyteteve historike dhe atraksioneve të tjera të vendit.
Kostoja e qëndrimit, ushqimit dhe transportit
Kostoja e qëndrimit: Sipas një udhëzuesi turistik të përditësuar në shtator 2026, një hotel i kategorisë së mesme në Tiranë, kushton rreth 50–90 euro nata.
Ushqimi dhe transporti: Të dhënat e “Numbeo”-s (një platformë online që mbledh dhe publikon të dhëna për koston e jetesës në qytete dhe vende të ndryshme të botës), një vakt në një restorant ekonomik kushton rreth 800 lekë. //a.i/
Burimi: ata.gov.al









