Mikel Arteta kishte përgatitur një ushtrim të veçantë për futbollistët e Arsenalit, duke sjellë hajdutë profesionistë që t’u vidhnin atyre fshehurazi gjatë një darke të ekipit.
Sipas “The Athletic”, trajneri spanjoll kishte ftuar një grup hajdutësh xhepash, të cilët u përzien mes lojtarëve dhe, pa u vënë re, morën telefonat, kuletat dhe sende të tjera personale.
Reagimi i lojtarëve pas darkës
Kur darka përfundoi, Arteta i udhëzoi lojtarët të kontrollonin xhepat. Disa prej tyre mbetën të habitur kur vunë re se sendet me vlerë nuk ishin më aty.
Megjithatë, gjithçka ishte pjesë e një ushtrimi të posaçëm për forcimin e ekipit, të organizuar nga trajneri i Arsenalit.
Qëllimi i ushtrimit të Artetas
Me këtë metodë, Arteta kërkonte t’u kujtonte futbollistëve rëndësinë e përqendrimit, vigjilencës dhe të qenit gjithmonë të vëmendshëm, pa e ulur kurrë gardën.
Një mënyrë e pazakontë, por që tregon se Arteta dëshiron t’i përgatisë lojtarët e tij jo vetëm për atë që ndodh në fushë, por edhe për situatat e papritura jashtë saj.
Burimi: www.gazetaexpress.com










