Inteligjenca artificiale po ndryshon mënyrën si punojmë, mësojmë dhe marrim vendime. Por kur zakoni për të pyetur fillimisht një program zëvendëson përpjekjen tonë për të gjetur një zgjidhje, disa aftësi mund të dobësohen nga mungesa e ushtrimit.
Një studim me përdorues të rregullt të ChatGPT-së ka evidentuar shqetësime për përqendrimin, kujtesën dhe mendimin e pavarur. Edhe pse pasojat afatgjata nuk janë ende të qarta, studiuesit po ngrenë pyetje për varësinë nga këto mjete.
Ja gjashtë aftësi që mund të ndikohen.
1. Të menduarit në mënyrë kritike
Të menduarit kritik do të thotë të analizosh informacionin, të dallosh çfarë ka kuptim dhe të nxjerrësh përfundimet e tua.
Në një studim me 45 përdorues të rregullt të ChatGPT-së, disa pjesëmarrës raportuan se e kishin më të vështirë të përqendroheshin dhe të analizonin problemet pa ndihmë. Disa madje nisën të dyshonin në gjykimin e tyre edhe për vendime të thjeshta.

2. Të përqendrohesh në detyra që kërkojnë përpjekje
Kur mësohesh të marrësh përgjigje brenda pak sekondash, detyrat që kërkojnë kohë dhe durim mund të duken më të lodhshme.
Një studim i studiuesit Brian Christian dhe ekipit të tij tregoi se pjesëmarrësit që fillimisht përdorën inteligjencën artificiale për të zgjidhur ushtrime matematike patën vështirësi kur ndihma iu hoq. Saktësia e përgjigjeve të tyre ra ndjeshëm.
3. Të mbash mend informacionin
Kur e dimë se mund ta gjejmë çdo informacion me një kërkim të shpejtë, kemi më pak arsye të përpiqemi ta mbajmë mend.
Një studim i vitit 2011, i njohur si studimi mbi efektin Google, zbuloi se njerëzit që prisnin të kishin sërish qasje te një informacion, mbanin mend më mirë ku mund ta gjenin sesa vetë informacionin.
I njëjti zakon mund të shfaqet edhe me inteligjencën artificiale, kur ia delegojmë asaj edhe pyetjet më të thjeshta, në vend që të përpiqemi t’i kujtojmë vetë përgjigjet.
4. Të mos dorëzohesh kur diçka bëhet e vështirë
Një detyrë që dikur kërkonte orë të tëra, si shkrimi i një eseje apo përgatitja e një letre, tani mund të përfundojë brenda pak minutash me ndihmën e inteligjencës artificiale.
Problemi shfaqet kur duhet ta bëjmë të njëjtën gjë pa ndihmë. Një studim i publikuar në prill të vitit 2026 tregoi se pjesëmarrësit kishin më shumë gjasa të dorëzoheshin pasi u hiqej ndihma e inteligjencës artificiale.
Pra, përgjigjet e gatshme mund të na mësojnë të presim zgjidhje të shpejta, në vend që të këmbëngulim kur hasim vështirësi.
5. Të ruash motivimin
Kur një program përfundon një detyrë për pak sekonda, është e lehtë të humbasësh dëshirën për ta bërë vetë.
Një studim i vitit 2025, i publikuar në revistën shkencore Scientific Reports, zbuloi se pas kalimit nga puna me inteligjencën artificiale në punën pa të, motivimi i pjesëmarrësve ra mesatarisht me 11%, ndërsa mërzia u rrit me 20%.
Kjo tregon se lehtësia e vazhdueshme mund ta bëjë më pak tërheqës procesin e punës kur kërkohet përpjekje personale.

6. Të besosh te gjykimi yt
Kur pyet inteligjencën artificiale për çdo vendim, mund të fillosh të dyshosh në aftësinë tënde për të gjetur përgjigjen e duhur.
Në një studim me përdorues të rregullt të ChatGPT-së, disa pjesëmarrës thanë se ndiheshin më pak të pavarur për shkak të mbështetjes së vazhdueshme te programi.
Ethan Mollick, profesor në Universitetin e Pensilvanisë, shpjegon se kur ia lëmë inteligjencës artificiale zgjidhjen e një problemi, mund të anashkalojmë pikërisht procesin e të menduarit përmes të cilit mësojmë.
Besimi te vetja ndërtohet duke provuar, gabuar dhe gjetur zgjidhje, jo duke ia deleguar çdo vendim dikujt tjetër.
Problemi nuk është inteligjenca artificiale, por mënyra si e përdorim
Inteligjenca artificiale mund të jetë një ndihmë e vlefshme, por nuk duhet të zëvendësojë çdo përpjekje personale. Ka dallim mes përdorimit të saj për të mësuar diçka të re dhe mbështetjes tek ajo për të mos menduar fare.
Ndonjëherë, zgjidhja më e mirë është të përpiqemi vetë përpara se të kërkojmë përgjigjen e gatshme.
Burimi: anabelmagazine.com









