Kalo te përmbajtja

Lajme të shpejta, të verifikuara dhe të paanshme

Lajm i fundit
Showbiz

Joan Smalls reagon ndaj Candice Swanepoel pas lajmeve për Tom Brady

Joan Smalls reagon ndaj Candice Swanepoel pas lajmeve për Tom Brady
Foto: bordo.al

Një miqësi që zgjati 15 vjet duket se është prishur dhe në qendër të vëmendjes janë dy supermodele të njohura. Joan Smalls ka ngjallur dyshime për një ndarje me Candice Swanepoel, duke lënë komente të ashpra në rrjetet sociale, në një kohë kur kjo e fundit po përflitet për një lidhje me ish-yllin e NFL-së, Tom Brady.

Dyshimet në Instagram

Gjithçka nisi pasi fansat vunë re se dy modelet nuk e ndiqnin më njëra-tjetrën në Instagram. Në një postim të publikuar nga Just Jared, ndjekësit ngritën dyshimet se marrëdhënia mes tyre mund të mos ishte më si më parë.

Joan Smalls, 38 vjeçe, reagoi në komentet e postimit me një mesazh të shkurtër, por që tërhoqi vëmendjen: “Dy fjalë: ‘Summer House’! Kjo do ta shpjegojë gjithçka”.

Referenca e saj ndaj reality show-t të njohur të Bravo-s nuk kaloi pa u vënë re. Sezoni i fundit i programit u shoqërua me përçarjen e miqësisë mes Amanda Batula dhe Ciara Miller, pasi e para nisi fshehurazi një lidhje me West Wilson, ish-partnerin e mikes së saj.

Akuzat për tradhti dhe mungesë respekti

Por ky nuk ishte i vetmi reagim që i atribuohet Smalls. Në disa pamje të publikuara nga DeuxMoi, modelja dyshohet se e ka cilësuar Swanepoel, gjithashtu 38 vjeçe, si një person që “të godet pas shpine”, pasi një ndjekës e pyeti nëse ato nuk ishin më mike.

“Unë nuk jam mike me njerëz që të godasin pas shpine”, thuhet të ketë shkruar ajo.

Në një tjetër mesazh, tashmë të fshirë, Smalls foli për mungesën e respektit dhe të ashtuquajturin “girl code”, duke lënë të kuptohet se diçka e rëndësishme mund të ketë ndodhur mes tyre.

“Mënyra se si të trajtojnë, me mungesë respekti dhe pakujdesi, është e paimagjinueshme. Nuk ka kthim pas. Disa njerëzve u mungon përulësia dhe busulla morale”, thuhet në mesazhin e saj.

Ajo shtoi se mënyra se si disa njerëz mohojnë, gënjejnë dhe minimizojnë ndjenjat e të tjerëve është veçanërisht lënduese, pas 15 vitesh miqësi, duke theksuar se nuk kishte marrë asnjë kërkimfalje.

Lajmet për lidhjen e Candice Swanepoel me ish-yllin e futbollit amerikan kanë marrë vëmendje të madhe ditët e fundit. Sipas Us Weekly, dyshja është në një lidhje prej njëfarë kohe, ndërsa një burim për People ka pohuar se ata kanë disa muaj që takohen.

“Që të dy jetojnë në Miami, ndaj është shumë praktike”, ka thënë burimi, duke shtuar se ata po kalojnë shumë kohë së bashku dhe se modelja ka qenë tepër e rezervuar për këtë marrëdhënie.

Sipas të njëjtit burim, dyshja ka bërë përpjekje të mëdha për të mos u fotografuar së bashku. Ndërkohë, Page Six raportoi se Brady e pëlqen shumë Swanepoel, por lidhja e tyre prej disa muajsh nuk është ende aq serioze.

Ironikisht, përpara se emri i Swanepoel të lidhej me atë të Brady-t, vetë Joan Smalls ishte përfolur për një romancë me sportistin 49-vjeçar. Sipas raportimeve të mëparshme të DeuxMoi, ata dyshohet se kishin pasur një lidhje me ndërprerje për rreth një vit.

Tom Brady ishte i martuar me supermodelen Gisele Bündchen nga viti 2009 deri në vitin 2022.

Burimi: bordo.al

Të fundit Të gjitha