Pallati i Kongreseve u kthye në një pikë takimi për biznesin vendas dhe ndërkombëtar me hapjen e edicionit të 32-të të Panairit Ndërkombëtar të Tiranës, i organizuar nga Klik Expo Group. Panairi do të zgjasë tri ditë, nga 3 deri më 6 nëntor 2026.
Me mbi 300 kompani ekspozuese, nga të cilat më shumë se 65% janë të huaja, panairi konfirmon edhe një herë rolin e tij si platformë e rëndësishme për promovimin e potencialit ekonomik të Shqipërisë, krijimin e partneriteteve dhe tërheqjen e investimeve.

Një urë mes tregut shqiptar dhe atij ndërkombëtar
Panairi Ndërkombëtar i Tiranës është një nga ngjarjet më të rëndësishme të kalendarit ekonomik dhe tregtar në vend. Për më shumë se tri dekada, ai ka shërbyer si urë lidhëse mes tregut shqiptar dhe atij ndërkombëtar.
Në edicion marrin pjesë përfaqësues të institucioneve shtetërore, sipërmarrës, shoqata biznesi dhe investitorë nga vende të ndryshme. Ai mbulon sektorë strategjikë si energjia, infrastruktura, ndërtimi, teknologjia, turizmi dhe bujqësia. Përmes platformave të specializuara TIF Power, TIF Tech, TIF Explore dhe TIF Agro, panairi krijon hapësira për shkëmbim përvojash, prezantim të risive dhe zhvillim të mundësive të reja bashkëpunimi.

Fokusi i institucioneve dhe investitorëve
Në fjalimet e tyre, ministri i Infrastrukturës dhe Energjisë, Enea Karakaçi, dhe ministri i Bujqësisë, Andis Salla, theksuan potencialin e sektorëve përkatës. Ata u fokusuan te projektet e reja infrastrukturore, zhvillimi i kapaciteteve energjetike, modernizimi i bujqësisë dhe perspektivat që ofron integrimi evropian.
Ndër kompanitë pjesëmarrëse, vëmendje të veçantë tërhoqi Concord Group, grup investimesh me 35 vjet përvojë në sektorët kyç të ekonomisë shqiptare. Grupi prezanton dy projekte që përfaqësojnë dy dimensione të rëndësishme të investimeve në vend: turizmin bregdetar dhe zhvillimin urban.

Marina Orikum dhe Tirana Central Park
Marina Orikum synon ta pozicionojë Rivierën Shqiptare në hartën ndërkombëtare të turizmit detar. E konceptuar si destinacion i integruar buzë detit, ajo përfshin një marinë moderne, rezidenca dhe vila private, një hotel me pesë yje nën menaxhimin e një marke prestigjioze ndërkombëtare, klubin e jahteve dhe hapësira argëtimi e mirëqenieje. Projektimi arkitekturor është i arkitektit austriak Chris Precht.

Tirana Central Park përfaqëson vizionin e Concord Group për zhvillimin urban bashkëkohor. I shtrirë në mbi 36 mijë metra katrorë, projekti mixed-use ndërthur rezidenca moderne, hapësira tregtare, zyra, hoteleri dhe shërbime, të organizuara rreth hapësirave të gjelbra dhe zonave komunitare. Pozicionimi strategjik dhe koncepti që integron banimin, punën dhe kohën e lirë e bëjnë projektin një pjesë të rëndësishme të zhvillimit urban të kryeqytetit.
Pjesëmarrja në Klik Expo Group 32 i jep Concord Group mundësinë të prezantojë jo vetëm këto dy projekte, por edhe vizionin e tij për investime afatgjata, zhvillim të qëndrueshëm dhe krijimin e vlerës në sektorët që po formësojnë të ardhmen ekonomike të Shqipërisë.
Burimi: living.al










