Dokumentari i shumëpritur për Chiara Ferragnin ka mbërritur në Netflix, duke sjellë një rrëfim personal për një nga periudhat më të vështira të jetës dhe karrierës së saj. I titulluar “Chiara”, projekti u publikua më 23 nëntor dhe rikthen në vëmendje ngjarjet që tronditën imazhin publik të ish-mbretëreshës së rrjeteve sociale.
I realizuar nga Carmen Vogani dhe me regji të Leandro Manuel Emede, dokumentari fokusohet kryesisht te vitet e fundit të sipërmarrëses italiane, duke nisur nga skandali i njohur si “Pandoro Gate”, i cili ndryshoi rrjedhën e karrierës së saj dhe ndikoi ndjeshëm edhe në jetën private.
Një rrëfim nga këndvështrimi i saj
Këtë herë, ndryshe nga projekti “The Ferragnez”, ku publiku ndiqte përditshmërinë e çiftit, Chiara shfaqet për të treguar historinë nga këndvështrimi i saj. Pa shkëlqimin e zakonshëm të rrjeteve sociale, me veshje të thjeshta dhe në një atmosferë më intime, ajo flet për gabimet, zhgënjimet dhe përpjekjen për të rindërtuar veten.
Një prej temave kryesore është pikërisht mënyra se si e ka përjetuar krizën e shkaktuar nga “Pandoro Gate”, si dhe ndikimi që kjo periudhë pati në identitetin e saj personal dhe profesional.
“Është e lodhshme të përpiqesh t’u pëlqesh të gjithëve, por këtë kam bërë gjatë gjithë këtyre viteve. Më është dashur të mësoj të jem vetvetja edhe kur askush nuk duartrokiste për mua, por tani ndihem më shumë vetja se kurrë më parë”, shprehet Ferragni.
Njerëzit e afërt dhe zërat e tjerë
Në dokumentar shfaqen edhe njerëz të afërt të saj, mes tyre nëna Marina Di Guardo dhe miku i hershëm Filippo Fiora, të cilët ndajnë këndvështrimin e tyre për periudhën që ajo ka kaluar.
Ndërkohë, gazetarja Selvaggia Lucarelli shfaqet vetëm përmes pamjeve arkivore, pasi ka refuzuar të bëhet pjesë e projektit.
Reflektimi mbi mesazhet e së kaluarës
Një tjetër moment që tërheq vëmendjen është reflektimi i Chiara-s mbi mesazhet e saj të mëparshme për fuqizimin e grave dhe kontrastin me realitetin që, sipas saj, po përjetonte në jetën personale dhe profesionale.
“Unë flisja për fuqizimin e grave, por më pas isha në duart e dy burrave. Ndihesha si një mashtrim”, pranon ajo, duke iu referuar marrëdhënieve dhe varësisë që kishte krijuar nga njerëz të rëndësishëm në jetën e saj.
Dokumentari synon të tregojë një Chiara ndryshe nga ajo që publiku ka parë për vite me radhë: një grua që përpiqet të pranojë gabimet, të përballet me pasojat e vendimeve të saj dhe të gjejë sërish identitetin përtej famës dhe imazhit të krijuar në rrjetet sociale.
Burimi: bordo.al










