Kalo te përmbajtja

Lajme të shpejta, të verifikuara dhe të paanshme

Lajm i fundit
Të ndryshme

Qentë e gushtit 1960 dhe frika e sotme nga apeli për 72 orë ushqim

Qentë e gushtit 1960 dhe frika e sotme nga apeli për 72 orë ushqim
Foto: gazetadita.al

Nga Migena Aleksi

Frika nga goditja e satelitëve dhe ndërprerja e shërbimeve është një nga arsyet e sfondit që ushqejnë ndjenjën e pasigurisë, por thirrjet për vetë-autonomi 72-orëshe kanë në themel një logjikë më të gjerë. Të mos kapesh i papërgatitur kur infrastruktura e përditshme ndalon, pavarësisht nëse shkaku është natyror, teknik, kibernetik apo gjeopolitik.

Kjo foto tregon dy qentë e famshëm të programit hapësinor sovjetik, Belka dhe Strelka, të cilët u dërguan në orbitë në bordin e anijes/satelitit Sputnik 5 në gusht të vitit 1960, së bashku me 40 minj, 2 ratushë dhe lloje të ndryshme bimësh.

Historia e Belkës dhe Strelkës

Për ta njohur më mirë këtë histori duhet të kthehemi pak te konteksti i dikurshëm i garës hapësinore në fund të viteve 1950 dhe fillim të viteve 1960, mes Bashkimit Sovjetik dhe SHBA.

Të dyja po testonin në atë kohë ndikimin e mikrogravitetit, rrezatimit dhe rihyrjes në atmosferë te organizmat e gjallë përpara dërgimit të njerëzve në hapësirë. Më 1957, qeni Laika u bë kafsha e parë në orbitë me Sputnik 2, por misioni nuk ishte i projektuar për kthim të sigurt dhe ajo ngordhi gjatë fluturimit.

Kurse Belka dhe Strelka u bënë qentë e parë që fluturuan në orbitë dhe u kthyen shëndoshë e mirë në Tokë. Misioni zgjati rreth 25 orë, duke bërë rreth 17 rrotullime rreth Tokës dhe kapsula zbriti e sigurt, duke hapur rrugën për fluturimin historik të Yuri Gagarin-it më 1961.

Sa për kuriozitet historik, Strelka solli në jetë më vonë gjashtë këlyshë, dhe një prej tyre, Pushinka, iu dhurua nga Nikita Hrushovi presidentit amerikan John F. Kennedy për fëmijët e tij, në kuadër të gjesteve diplomatike të Luftës së Ftohtë.

Njëjtë si sot, edhe gjatë Luftës së Ftohtë, kombinonheshin këto eksperimente me simbolikën dhe propagandën. Ndaj këto kafshë të trajnuara u kthye në ikona të kulturës popullore.

Informacioni që ka vendosur NATO-n në alarm

Emri “Sputnik”, i lidhur historikisht me atë epokë, rishfaqet këto ditë në një raportim për një satelit të dyshuar rus me kokë bërthamore, që sipas mediave gjermane dhe reagimeve të NATO-s do lëshohet nga rusët në hapësirë brenda 60 ditëve të ardhshme.

Informacioni bazohet në raportime të shërbimeve sekrete. NATO ka reaguar ashpër por Moska e mohon.

Një shpërthim bërthamor në hapësirë është një teori e diskutuar në takimet e Aleancës. Në teori një katastrofë e tillë nxjerr jashtë funksioni dhjetëra ose qindra satelitë njëherësh. Shpërthimi çliron një valë të fuqishme rrezatimi gama dhe X që ndërvepron me fushat magnetike të Tokës, duke “djegur” qarqet elektronike të satelitëve të pambrojtur në rreze shumë të gjerë. Grimcat e ngarkuara mbeten të bllokuara në fushën magnetike të Tokës rreth 300–2,000 km lartësi për muaj apo vite. Çdo satelit që kalon nëpër atë zonë dëmtohet gradualisht derisa fiket, dhe lëshimi i satelitëve të rinj bëhet i pamundur për një periudhë të gjatë.

Duke i qëndruar teorisë, një ngjarje e tillë e rëndë paralizon në Evropë satelitët e komunikimit komercial dhe qeveritar,
rrjetet e internetit satelitor, si Starlink, OneWeb e të tjerë, si dhe komunikimet e sigurta diplomatike e ushtarake evropiane. Humbja e tyre do të izolonte komunikimet në zona të largëta, operacione ushtarake, anije dhe avionë. Paralizë do pësonin edhe satelitët evropianë të programit Copernicus dhe sistemet ushtarake të zbulimit si të Francës, Gjermanisë, Italisë që monitorojnë lëvizjet e trupave, kufijtë, anijet dhe infrastrukturen. Pa ta, Evropa dhe NATO humbasin “sytë” nga lart.

Edhe pse satelitët e navigimit janë në orbitë më të lartë deri në 20 mijë metra, një çrregullim i sinjaleve të tyre prek thuajse gjithçka në botën e sotme, nga hartat në telefon te sinjali i saktë i kohës që njihet si atomic clock, i cili sinkronizon rrjetet elektrike, bursat, transaksionet bankare, rrjetet celulare 4G/5G, trafikun ajror e detar, sistemet që parashikojnë motin ekstrem të domosdoshme për aviacionin, bujqësinë dhe emergjencat civile, sensorët që detektojnë lëshimin e raketave balistike, etj, etj.

Skenar vetëvrasës edhe për vetë Rusinë

Por ky skenar është “vetëvrasës” edhe për vetë Rusinë. Kjo është arsyeja pse ekspertët e shohin më shumë si mjet presioni dhe shantazhi strategjik sesa si armë të përdorshme lehtë.

Rrezatimi në orbitë nuk zgjedh flamur. Një brez rrezatimi në orbitën e ulët do të shkatërronte njësoj satelitët rusë dhe ata kinezë. Veç kësaj shkatërrimi i qindra satelitëve do të krijonte re të dendura mbeturinash që përplasen me njëra-tjetrën, duke e mbyllur orbitën e ulët për dekada të tëra për të gjithë njerëzimin.

Megjithatë, frika e Evropës se një goditje e tillë në hapësirë mund të “verbojë” dhe të çorientojë infrastrukturën moderne brenda pak orësh, duke krijuar kaos ekonomik dhe komunikues, ekziston me të drejtë.

Ndaj kjo përplasje e re bëhet kështu pjesë e klimës më të gjerë të pasigurisë që mbizotëron këto kohë, përfshirë apelet për gatishmëri dhe autonomi disaditore, shkurtimisht për të pasur rezerva bazë, ushqim, ujë, mjete ndriçimi, radio/komunikim alternativ, ilaçe dhe dokumente për të paktën 72 orë.

Përhapja e këtij apeli në rrjete sociale ka shkaktuar frikë, megjithëse duhet theksuar që ai është bërë edhe më herët, pra nuk ka lindur nga një lajm i vetëm për një satelit me kokë bërthamore. Shumë vende nordike dhe evropiane e kanë pasur prej kohësh këtë qasje për shkak të motit ekstrem ose historisë së mbrojtjes civile. Nuk ka pse fshihet që vitet e fundit kjo është zgjeruar si përgjigje ndaj paqëndrueshmërisë gjeopolitike, rreziqeve hibride, sulmeve ndaj kabllove nënujore, tubacioneve e rrjeteve.

Në çdo rast, deri tani raportimet për satelitë me armë bërthamore në hapësirë bazohen në burime inteligjence dhe mediatike të pakonfirmuara plotësisht dhe mohohen nga Moska. Nuk duhet ngatërruar një skenar i mundshëm gjeopolitik, më i keqi për të gjithë, me një alarm të menjëhershëm për blackout të sigurt.

Botuar sot në gazetën DITA

 

 

Burimi: gazetadita.al

Të fundit Të gjitha