Një ngjarje e pazakontë ka trazuar Stambollin në prag të ndeshjes mes Galatasarayt dhe Aston Villas në UEFA Champions League. Policia turke dhe autoritetet e mbrojtjes së faunës kanë nisur një operacion të gjerë kërkimi, pasi një kafshë që dyshohet të jetë luan është parë në një zonë pyjore, rreth 16 kilometra larg stadiumit RAMS Park.
Kafsha u pikas në distriktin Sariyer
Sipas raportimit të gazetës britanike “Daily Mail”, kafsha është pikasur në distriktin Sariyer, ku ndodhet edhe stadiumi i Galatasarayt. Gjithçka nisi mbrëmjen e 22 nëntorit, rreth orës 21:00, kur punonjësit e një komisariati në zonën Zekeriyakoy vunë re në kamerat e sigurisë një kafshë që ngjante me një luan.
Mobilizohen ekipet e kërkimit
Pas sinjalizimit, autoritetet kanë mobilizuar rreth 70 persona, mes tyre efektivë policie dhe ekipe shpëtimi, si dhe shtatë dronë për të lokalizuar kafshën. Ndërkohë, në zonën pyjore dhe në lagjet përreth janë vendosur masa të shtuara sigurie, është kufizuar qarkullimi dhe banorëve u është kërkuar të tregojnë kujdes.
Ngjarja ka marrë vëmendje edhe në botën e futbollit, për shkak të një koincidence interesante. Galatasaray njihet me nofkën “Luanët”, ndërsa edhe Aston Villa ka një luan në stemën e saj.
Burimi: kohajone.com









