Gjyqi për Erion Veliajn mbahet sot në GJKKO
Në GJKKO është lexuar deklarata e kryetarit të Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, i cili ka shpjeguar arsyet përse nuk mund të jetë fizikisht i pranishëm në sallën e gjyqit. Ai i është referuar dëmtimit të këmbës dhe nevojës për ndërhyrje kirurgjikale.
Deklarata e Veliajt për shëndetin e tij
“Megjithëse kam vullnetin për të marrë pjesë në seancën gjyqësore, e kam të pamundur për shkak të këmbës së thyer. Në vijim të shkresës suaj dhe të prokurorisë, mbrojtja ime do t’ju vërë në dispozicion disa dokumente shëndetësore.
Jam i ndërgjegjshëm se kush më transferoi dhe kush do të vendosë për shëndetin tim. Nuk kërkoj as botoks, as mbjellje flokësh dhe as zbardhje dhëmbësh, por të operohem nga një mjek në spitalin që zgjedh familja ime.
Nuk duhet të vendosë askush se kush më fut në narkozë. Ndaj kërkoj nga GJKKO-ja të ndërhyjë dhe të marrë një vendim”, thuhet ndër të tjera në deklaratën e Veliajt drejtuar gjykatës.
Kërkesa për trajtimin mjekësor
Përmes kësaj deklarate, Veliaj i ka kërkuar GJKKO-së të ndërhyjë për të garantuar trajtimin e tij mjekësor, sipas kërkesës së paraqitur prej tij dhe familjes së tij.
Burimi: kohajone.com









