Vizitat e shpeshta në park mund të kenë një ndikim pozitiv te shëndeti mendor dhe aftësitë shoqërore të fëmijëve gjatë rritjes.
Sipas studiuesve të Universitetit të Exeter-it në Mbretërinë e Bashkuar, parqet u japin fëmijëve hapësirë për të qenë fizikisht aktivë, për të luajtur lirshëm dhe për të zhvilluar imagjinatën. Këto aktivitete ndihmojnë në ndërtimin e vetëbesimit dhe të pavarësisë.
Rezultatet e studimit
Studiuesit zbuluan se fëmijët që vizitonin parkun të paktën një herë në javë, nga lindja deri në moshën 11-vjeçare, kishin mesatarisht 16.5% më shumë pikë në vlerësimet e shëndetit mendor, krahasuar me ata që e frekuentonin më rrallë.
Studimi përfshiu mbi 4 mijë pjesëmarrës dhe analizoi zhvillimin social dhe emocional të fëmijëve, përfshirë aftësinë për të menaxhuar emocionet, për të krijuar marrëdhënie dhe për t’u përballur me vështirësitë e përditshme.
Rezultatet treguan se vizitat më të shpeshta në park lidhen me më pak probleme emocionale, me më pak vështirësi në marrëdhëniet me bashkëmoshatarët, si dhe me ulje të problemeve të sjelljes dhe hiperaktivitetit.
Roli i parqeve në barazinë
Studiuesit theksojnë se parqet mund të ndihmojnë edhe në zvogëlimin e pabarazive në zhvillimin e fëmijëve, por vetëm nëse janë të sigurta, të aksesueshme dhe të përshtatshme për të gjitha familjet.
Meqenëse janë hapësira publike dhe falas, parqet mund të krijojnë mundësi të barabarta për zhvillimin dhe mirëqenien e fëmijëve, pavarësisht nga kushtet ekonomike të familjeve të tyre.
Burimi: euronews.al










